e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rama: Nuk kam qeveri hije, s’eshte model ne Ballkan

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rama: Nuk kam qeveri hije, s’eshte model ne Ballkan
Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare Partia Socialiste do t’u kërkojë votën shqiptarëve vetëm duke u ekspozuar atyre programin qeverisës dhe ekipin e kandidatëve për deputetë, por jo një qeveri hije, e cila do mund të vinte në jetë këtë program. Ndryshe nga sa kemi parë herët e tjera, kreu Rama e ka parë të arsyeshme që të mos eksperimentojë në këtë drejtim, kjo ndoshta edhe për t’i prerë rrugën shtimit të pakënaqësive mes vetë drejtuesve socialistë, të cilët për hir të së vërtetës janë shtuar ditët e fundit edhe për listat e kandidatëve për deputetë.

Duke folur në një intervistë për “Radio Radicale”, kreu i socialistëve ka sqaruar se prezantimi i një qeverie të tillë nuk do funksiononte për mirë në një vend ballkanik. I pyetur nga gazetari nëse kishte një qeveri hije, Rama u përgjigj: “Jo, nuk e kam! Praktika e ‘qeverive hije’ nuk është europiane, por anglo-saksone, e cila nuk funksionon në botën mesdhetare dhe mendo sa mund të funksionojë në botën e Ballkanit…”

Më tej ai ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke theksuar se pavarësisht se në Shqipëri ekziston një frymë mosbesimi se qeveria do mund të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, opozita do tentojë t’i fitojë ato. “Të gjithë e dinë që në Shqipëri ka një problem të integritetit të procesit elektoral. Kjo gjë tashmë është një fakt i pranuar nga nivelet më të larta të ndërkombëtarëve. Ne do bëjmë më të mirën tonë dhe le të shohim…”, – tha Rama.

Ai ka folur edhe sa i përket debatit të shtimit të toneve nacionaliste, duke theksuar se teoritë e Shqipërisë së Madhe nuk kanë më hapësirë në kohët e sotme. “Kjo do të thotë që vizioni dhe instrumentet e një periudhe historike kur e ardhmja e shqiptareve shihej te Shqipëria e Madhe nuk ka më hapësirë, apo mundësi të aktualizohet. Bota ku jetojmë është e re dhe sigurisht që e ardhmja na ofron mundësi të reja”, – u shpreh Rama.

Gjithashtu, ai ka hedhur poshtë edhe logjikën e përdorur shpesh nga kryeministri Berisha se kombi shqiptar është i vetmi në botë që është i ndarë në pesë shtete të ndryshme. “Shqipëria nuk është i vetmi komb që jeton në disa shtete… ka edhe kombe të tjerë që…, por të imagjinosh një projekt që t’i bashkojë këto pesë “copash”…në një gjë të ‘shkëlqyer’ që të jep drithërima…. Nuk shoh as një rrugë të kalueshme në to. Kjo sepse janë rrugë që të çojnë vetëm në fatkeqësi.

Nuk mund të humbin të gjitha ato që i kemi fituar dhe nuk mund të humbim simpatinë dhe mbështetjen e aleatëve tanë të mëdhenj dhe ne nuk mund të humbim mundësinë e madhe që është përpara nesh, këtë botë të re që sigurisht duhet të na shtyjë drejt themeleve të Etërve themelues të idealit të kombeve që jetojnë së bashku”, – tha Rama. Sa i përket politikës së jashtme të Shqipërisë, ai ka bërë të ditur se ajo nuk ka nevojë për ndryshim, por vetëm për konsolidim.