e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rama: Nuk ka dialog me ‘pushtetin’

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rama: Nuk ka dialog me ‘pushtetin’
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha të martën se nuk ka asnjë lloj dialogu të mundshëm me ‘pushtetin’ dhe i bëri apel ndërkombëtarëve “të deklarojnë shkoqur për popullin të vërtetën e vjedhjes së zgjedhjeve në Tiranë, pasi këtë radhë bashkë me opozitën u vodhën ditën për diell edhe ata vetë”.

“Me pushtetin e vjedhur që grabiti edhe zgjedhjet në Tiranë, që manipulon çdo gjyq, që kërcënon prokurorinë për çdo akuzë mbi fakte, që burgos demonstrues dhe dekoron ata që vranë me pushkë, nuk ka sot për sot asnjë lloj dialogu të mundshëm”, tha zoti Rama.

Zoti Rama garantoi se forca që drejton dhe opozita e bashkuar do të jenë vendosmërisht zëdhënëse e vlerave të integrimit në BE, dhe kursi i ri politik do të jetë shprehje e plotë e domosdoshmërisë për ta futur vendin në rrugën e funksionimit të demokracisë. Kreu i PS-së gjithashtu bëri të qartë se “refuzon t’i nënshtrohet diktaturës dhe nuk bëhet pjesë e farsës së ideuar nga Saliu si gjoja dialog, për të gënjyer e tallur me popullin dhe ndërkombëtarët”.

Zoti Rama shtoi se “populli do të dëgjojë shkoqur të vërtetën nga goja e partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë se ata nuk bëhen palë me vjedhësit e zgjedhjeve, me gjykatësit e kapur dhe me qeverinë që ka tradhëtuar hapur vlerat, parimet, standardet e integrimit në BE”, raportoi Panorama.

Ai gjithashtu theksoi se duhet të pranohet publikisht se “ajo që ndodhi ishte jashtë çdo standardi demokratik ndërkombëtar dhe nuk duhet të përsëritet më kurrë”.

“Këtë nuk presim ta dëgjojmë nga Saliu, por partnerët. Vetëm pastaj mund të flitet jo thjesht për dialog, por paketë reformash e garancish, të cilat adresojnë aspiratën e qytetarëve dhe prioritet e përcaktuara nga BE. Këtë nuk e garanton Saliu por ndërkombëtarët, që duhet ta kuptojnë se në Tiranë nuk u vodh vetëm opozita, por edhe BE, SHBA dhe OSBE”, theksoi zoti Rama.