e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Qeveria aksion ne veri. Reagon Serbia: Aventure e rrezikshme

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Qeveria aksion ne veri. Reagon Serbia: Aventure e rrezikshme
Pak ditë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës pas sulmit terrorist me eksploziv në banesën e një shqiptari në Mitrovicën e veriut me shumicë serbe, ku mbeti i vrarë 38-vjeçari Selver Haradinaj dhe u plagosën familjarët e tij, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar një aksion të ngjashëm me atë të 25 korrikut të viti të shkuar në veri të Kosovës. Këtë paralajmërim e ka bërë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili ka deklaruar se aksioni i Policisë së Kosovës është i domosdoshëm dhe i detyrueshëm për zbatimin e rendit dhe sundimin e ligjit në këtë pjesë të vendit.

Në një intervistë për emision Rubikon në KTV, Kuçi nënvizoi se vonesat në ndërhyrje kanë qenë për të dalluar qytetarët nga kriminelët, në mënyrë që të mos krijohet përshtypja se Kosova po bën spastrim etnik në veri.

“Aksioni i 25 korrikut do të jetë i detyrueshëm dhe jo i dëshirueshëm për qeverinë e Kosovës”, u shpreh Kuçi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës u shpreh i pakënaqur me dinamikën e KFOR-it dhe EULEX-it në atë pjesë, duke kërkuar më tepër bashkëpunim për të vënë në vend ligjin. Por lidhur me këtë paralajmërim ka reaguar sot edhe sekretari shtetëror në Ministrinë serbe të ashtuquajtur për Kosovën, Oliver Ivanoviç. Ai deklaroi se aksionet e policisë kosovare në veri, do të paraqisnin “aventurë të rrezikshme”, e cila sipas tij, mund të nxiste pastaj reagim të dhunshëm.

Ivanoviç tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndalojë një gjë të tillë. Sipas Ivanoviç veriu i Kosovës është problem politik, i cili nuk mund të zgjidhet me dhunë, pasi sipas tij, “kjo do të nxiste reagim të dhunshëm të cilin askush nuk do të mund ta qetësonte”, transmeton REL. Në 25 korrikun e vitit të shkuar njësia speciale e policisë, Rosu, u dërgua në veri të vendit për të vënë nën kontroll dy pikat kufitare në veri të Mitrovicës, Jarinë dhe Bërnjakë. Vrasja e Selver Haradinaj në veri të Mitrovicës në zonën “Tre Rrokaqiejt” ka sjellë tensionimin e situatës në veri të Kosovës. Autore e organizimit të sulmit terrorist në shtëpinë e Haradinajve dyshohet se është organizata kriminale serbe “Mbrojtja Civile”.