e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Bankat kredi me 'mik' pa respektuar rregullat

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Bankat kredi me 'mik' pa respektuar rregullat
Aksionerët e bankave kanë mundur të marrin kredi në bankat e tyre pa respektuar rregullat dhe kufijtë për shumat që përcaktohen në rregulloren e Bankës së Shqipërisë. Gjatë një inspektimi në bankat e nivelit të dytë, Banka e Shqipërisë ka vërejtur disa mangësi në drejtim të praktikave të administrimit të kredisë, të ekspozimit ndaj rreziqeve të mëdha, të rrezikut të likuiditetit, transparencës etj.

Në disa raste është evidentuar tejkalimi i ekspozimit maksimal, çka do të thotë se është dhënë kredi 20 për qind e kapitalit rregullator ndaj një personi të vetëm që në shumë raste ka qenë aksioner i bankës, duke tejkaluar kufijtë e lejuar me ligj. Sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë, ekspozimi i bankës ndaj një personi ose grupi personash të lidhur mes tyre ose me bankën, konsiderohet i madh kur vlera e tij është e barabartë ose më e madhe se 10 për qind e kapitalit rregullator të saj.

Në këto raste mësohet se kredia nuk është dhënë nga autoritetet përgjegjëse të bankës për huanë, duke krijuar kështu favore jo të mbështetura në ligj për persona të veçantë. Nga ana tjetër, rregullorja e Bankës parasheh Këshillin Drejtues të bankës që miraton kreditë për personat me një marrëdhënie të veçantë me bankën.

Në rast se për këto kredi përdoret si kolateral pasuri e paluajtshme, sipas rregullores vlera e tij nuk do të jetë më e vogël se 140 për qind e vlerës së kredisë së akorduar. “Administratorët e bankës, sipas politikave dhe procedurave të vetë bankës për personelin (stafin) e saj lidhur me procesin e kreditimit, nuk mund të përfitojnë kredi që tejkalojnë shumën 8 000 000 lekë, ose kundravleftën e saj në monedhë të huaj”, – thotë rregullorja e bankës, por që në të vërtetë, sipas verifikimeve të Bankës së Shqipërisë ky kufi nuk është respektuar.

Banka e Shqipërisë ka evidentuar gjatë kontrolleve të saj se disa nga bankat e nivelit të dytë nuk kanë bërë klasifikimin e saktë të kredive me probleme. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky spekulim ka çuar në mbulim të pamjaftueshëm me fonde të kredive me probleme, duke mos respektuar në këtë mënyrë rregulloren për administrimin e rrezikut të kredisë.

Gjithashtu, në shumë raste nuk është zbatuar rregullorja për administrimin e likuiditetit. Banka e Shqipërisë ka vënë re se bankat kanë mangësi në procedurat e brendshme për administrimin e rrezikut të likuiditetit. Nisur nga kjo situatë, Banka e Shqipërisë i ka përfshirë në mënyrë periodike këto banka në testin e rezistencës për të matur aftësinë paguese të tyre në periudhë normale dhe jo normale.

Por nga ana tjetër, banka qendrore ka vënë re se bankat janë bërë më të ndjeshme ndaj hetimit dhe administrimit të rrezikut. Kjo evidentohet në identifikimin më të saktë të dobësive dhe kërcënimeve të mundshme, përmirësimit të planeve të biznesit etj. Banka e Shqipërisë ka vënë re gjithashtu se bankat nuk kanë respektuar rregulloren për transparencën. Ky është një gabim i përsëritur i këtyre të fundit, të cilat vazhdojnë të mos jenë të qarta me klientët për sa i përket normave të interesit, kushteve të kontratës dhe komisionet për shërbimet.