e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

'Qellova, Basha me tha ‘bej kujdes’, ne Kryeministri ishte edhe Berisha'

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
'Qellova, Basha me tha ‘bej kujdes’, ne Kryeministri ishte edhe Berisha'
Ish-kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i pandehur për vrasjet gjatë 21 janarit, ka dëshmuar dje për më shumë se një orë, duke treguar edhe informacionet që kishte marrë për një sulm të mundshëm ndaj Kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Madje, ai ka pohuar se brenda ambienteve të Kryeministrisë ndodhej edhe ministri i atëhershëm i Brendshëm, Lulzim Basha, nga i cili ka marrë urdhrin “bëj kujdes”, pasi në selinë kryeministrore ndodhej Kryeministri dhe disa ministra të tjerë.

3 kërcënimet ndaj Berishës

“Nga policia, para zhvillimit të demonstratës, kishim marrë tri informacione, mbi përgatitjet për akte kriminale ndaj ORV-ve (objekteve të rëndësisë së veçantë) dhe Kryeministrit të vendit, nga elemente apo grupe kriminelësh të evidentuar dhe të lidhur dhe me zhvillimin e demonstratës në datën 21 janar 2011”, tha Prendi. Ai vijoi se informacioni i parë i ka mbërritur më 30 dhjetor 2010. “Informacion mbi një mesazh elektronik për organizim sulmesh me lëndë kimike kundër zyrës së Presidentit dhe Parlamentit në disa vende kryesore të Europës, përfshirë dhe Shqipërinë, ku nga përdorimi i lëndëve kimike parashikohej të kishte një numër të konsideruar viktimash, përfshirë diplomatë parlamentarë” ishte informacioni i parë që pasohej nga i dyti, më 17 janar 2011: “Informacion mbi përgatitjet e një shtetasi me të dhëna si person me rrezikshmëri, për akt kriminal ndaj Kryeministrit të vendit, ku për realizimin e këtij akti priteshin snajperë nga shtetas shqiptarë me banim në Gjermani”.

Informacioni i tretë kishte objektin: informacion nga persona që do të ishin pjesëmarrës në demonstratë, mbi përgatitjet në lagjet nr. 1 dhe nr. 2 në Tiranë, për grumbullim të paligjshëm, me datë 21 janar 2011, rreth orës 16.00 në këndin e lodrave te Rruga e Elbasanit, me djem të moshës rreth 25 vjeç dhe me probleme me drejtësinë, të cilët do të ishin në pritje për të marrë sinjalin për të hyrë në sallën e Parlamentit në mënyrë demonstrative. Po në këtë ditë, në orën 20:00 do të shkonin në afërsi të banesës së Kryeministrit të vendit, ku do të prisnin kthimin e P.L.SH.-së në banesë dhe ndërkohë pranë Ambasadës Italiane do të ishin të parkuara për to, dy automjete me targa të huaja (gjermane dhe zvicerane).

Biseda me Bashën

Pas situatës së krijuar, Prendi pohoi se i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe ministrit të Brendshëm, mbulimin e perimetrit të lënë bosh nga forcat e policisë, pasi po rrezikohej objekti. “Kam kërkuar në telefon drejtorin e Përgjithshëm, por nuk është përgjigjur. Më pas, nëpërmjet Gardës, i kërkova marrjen e masave për të realizuar rrethin e parë të sigurisë për selinë e Kryeministrisë, dhe kam marrë përgjigje se ‘do të merren masat’. Kur sulmet mbi Kryeministrinë po intensifikoheshin në disa drejtime, pa u shpërthyer porta, kam folur në telefon me ministrin, ku kam kërkuar riaktivizimin e forcave të policisë, për rrethimin e parë të sigurisë së Kryeministrisë dhe mora përgjigjen: ‘po merrem me këtë’. Pak minuta më vonë, jam bërë me dije se në hollin e jashtëm të Kryeministrisë, te tuneli, ndodhej ministri i Brendshëm, kam shkuar e kam takuar dhe me është dhënë porosi që të bëhet kujdes. I kam kërkuar marrjen e masave nga Policia, se objekti po rrezikohej, më tha se: ‘me këtë po merrem’. Kur kam dalë jashtë, madje duke dalë, kam dëgjuar zhurmën e zjarrit të hapur dhe ndërkohë u informova se është shpërthyer porta, njerëzit po futen brenda dhe zjarri është manovër. Në këtë situatë të krijuar me shpërthimin e portës, duke pasur parasysh se në ORV ndodheshin Kryeministri i vendit, administrata dhe ndoshta edhe disa ministra, duke përcjellë dhe porosinë e ministrit ‘për të bërë kujdes’, kam dhënë porosi drejtuesve të efektivave të Gardës me shërbim në këtë objekt, për qëndrueshmëri dhe veprime me profesionalizëm”, tha Prendi.

Qëlluam me armë

Në vlerësim të situatës së krijuar, me rrezikshmëri të lartë për sigurinë e Kryeministrit të vendit e ministrave që ndodheshin në objekt, gardistët kanë qenë të detyruar të përdorin, krahas plumbave manovër edhe fishekët luftarakë. Në këtë zonë, kam qenë i pranishëm, me uniformë dhe skafandër në kokë, si dhe me armën e brezit. Dhe unë për një moment kam hapur zjarr (në ajër), e në këtë kohë jam goditur rëndë në kokë dhe nga goditja me intensitet të lartë kam humbur vetëdijen.