e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Pse vazhdon ta financoje ministria e Kultures Festivalin fantazem te Monodrames ne Korce?

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Pse vazhdon ta financoje ministria e Kultures Festivalin fantazem te Monodrames ne Korce?
Pse? Përgjigjen po e them që në fillim: për të spekuluar me qëllim përfitimi nën maskën e këtij festivali “sekserët” , duke filluar që nga ndonjë nëpunës i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me “impakt” për projektin “Albamono” e deri në persona të pleksur aksidentalisht e që nuk kanë asnjë lidhje me teatrin, të cilëve u delegohen fondet, sipas logos të një “shoqatëze”, e cila nuk paguan tatime e taksa askund, sipas ligjit për OJF–të.

Kjo nuk është hera e parë, u bë vazhdë dhe pse ky festival ka dështuar, se nuk gjeti e nuk mundi të sigurojë spektator, për arsye të keq organizimit e moskapërcimit të pengesës gjuhësore, ose mungesës së komunikimit me publikun e katandisi në një “sekt” të çuditshëm, me ca aktorë që vijnë e rrëfehen si “gjynahqarë” në Katedralen e Korçës, në kishën e Dardhës, apo ato të Voskopojës e ku të munden. Për këtë komuniteti i artistëve korçarë tashmë është distancuar dhe të rrallë janë edhe aktorët e teatrit të qytetit, intelektualë, apo të rinj që shkojnë për të ndjekur shfaqjet e këtij festivali fantazmë. Por jashtë vëmendjes dhe asnjë interes nuk tregon për këtë veprimtari , e cila zhvillohet si në ilegalitet edhe pushteti vendor në Korçë.

Atëherë kujt i shërben kjo “Albamono” që njofton sërish performancën e saj, në 7 maj të këtij viti, anulohet si të gjitha festivalet e teatrit në vend për mungesë fondesh gjatë verës e befas ngre siparin në sallën bosh të teatrit “Çajupi”, edhe pse hyrja ishte e lirë, tani në fund të nëntorit?

Drejtori i saj – një veteran i skenës korçare, ka thënë se; “interesantja e këtij aktiviteti është se shfaqjet jepen në vendet turistike të qytetit… Kjo bëhet me synimin për të rritur interesin për turizmin në këtë qytet”. (Gazeta “MAPO” e mërkurë 6 prill 2011). Se i shërben; “gjallërimit të jetës së qytetit… Këmbimit të vlerave… Do ti jepet edhe një hov i mëtejshëm turizmit kulturor…etj.” (Gazeta “Tirana Observer” 21 nëntor 2011).

Po për ç’turizëm mund të bëhet fjalë, kur gjatë kësaj kohe në Korçë është dimër e pushuesit, studentët dhe emigrantët vijnë vetëm gjatë muajve të verës? Apo nën sloganin e turizmit kulturor, u bë deti kos dhe, “o burra, rrëmbeni lugët të hamë”, duke bërë një festival të pavend?! Formalizmi dhe fiktiviteti i këtij festivali, ashtu si dhe i ndonjë tjetri të ngjashëm me të, është bërë edhe herë tjetër objekt kritikash në media nga gazetarë dhe artistë të skenës, por Ministria e T.K.R.S.- së, bën “shurdhmemecin”. Nuk është e tepërt të kujtojmë me këtë rast atë thënien e Ainshtajnit se: “S’ka shenjë më të sigurtë të paranojës, se sa të përsëritësh vazhdimisht të njëjtën gjë dhe të presësh se rezultati do të jetë ndryshe”.

Se në këtë peizazh të varfër teatror të vendit, kur teatrot bashkiakë janë kthyer pothuajse “shtojca” të ndërmarrjeve të shërbimeve publike e gjelbërimit e teatri shqip është në falimentim, M.T.K.R.S. në vend të zgjidhë qesen për Festivalin Kombëtar të Dramës shqip, apo për Festivalin e Kukullave që zhvillohet prej dhjetë vjetësh në Pogradec, ose të Komedisë që qeshej dikur në Korçë, a ndonjë festival tjetër shqip, siguron udhëtime turistike për aktorë e amatorë, kryesisht nga ish- Republikat e B.R.S.S.- së, ashtu siç bënte dikur Gedafi me qejflinj nga bota për të njohur Libinë!

Nuk mjafton një festival i tillë monodrame “Albashqip”, si ai që zhvillohet në Vlorë gjatë sezonit turistik, ku mund të ftohen edhe tre- katër aktorë nga bota për ballafaqim e eksperiencë me aktorët tanë të rinj?

Pse kjo ngutje për ta bërë këtë edicion të 6- të “Albamono 2011”, pa një program si të gjitha festivalet teatrore serioze, me ca aktorë mbledhur rastësisht te fqinjët, (dy-tre nga Serbia, dy-tre nga Maqedonia), një çunak nga Korça, dhe një artist polak, për ti dhënë ngjyra internacionale? Ironia e të ashtuquajturit festival ishte se nuk pati asnjë aktor nga Shqipëria për të dhënë shfaqje, një tjetër i huaj që pritej të vinte paskej thyer këmbën udhës dhe dikush nga aktorët fqinjë për konkurim, ishte kujdesur për të sjellë nga jashtë edhe spektatorë, sikur ta dinte që publiku artdashës korçar e ka bojkotuar këtë karnaval prej kohësh dhe organizatorët edhe këtë herë, nuk bënë transparencë para medias për fondin e akorduar nga MTKRS dhe efikasitetin e shpenzimit të tij, në emër të “turizmit kulturor”!Përkundrazi janë kujdesur që llogaritë të jenë të përligjura e “ të ujdisura me kompjuter”, sipas skemës mbështetëse të ministrisë.

Ministri Bumçi, i cili ka marrë vetëm falenderime nga Albamonopolisti, nëpërmjet ekranit të “kafes së mëngjesit” në R.T.SH. për dhënien e këtij fondi nuk është i informuar për praktikën e një festivali të tillë që sponsorizohet, vërtet me qëllimin më të mirë… por që është larg këtij qëllimi, duhet të dijë se “korrupsioni” për këtë dështim të kësaj veprimtarie “ndërkombëtare”, nuk është në sallën bosh të teatrit të Korçës, por aty në zyrat e ministrisë, ku janë bërë dallaveret e mbase për këtë gjatë ditëve të festivalit nuk pati asnjë përfaqësues të kësaj ministrie për të ndjekur, në mos suksesin e kësaj “mono”, të paktën si harxhohen ato dy lekë që mezi sigurohen nga buxheti i qeverisë.

Pastaj me qenë se monodrama na qenka “me një aktor, me pak dekor e staf mbështetës”, me një llaf, me “pak-o gjë”, siç thotë në media Albamonopolisti i projektit, përse nuk merr përsipër financiarisht për ta realizuar atë vetë, duke ia shtuar kështu famën “festivalkës” edhe vetes? Përse nuk troket edhe në donatorë të huaj, kur festivali pothuajse është “ i huaj”, po kërkon ç’do vit pare nga ato të taksapaguesit shqiptar?

Le të thonë pastaj asetçinjtë: “Dhentë e dhitë e Zeres, nami i Hasan Qeres!”… E thashë që në fillim: “për të xheposur më të mëngjër- istë mini”, siç thonë nga Korça ca lekë duke spekuluar…, duke “ ia qarë ” hallin teatrit e spektatorit që ka shtrënguar rripin e nganjëherë flet vetë me vete. Bën edhe ai më duket monodramë. Po nuk kërkon qiqra në hell… Do vetëm të hajë një copë bukë të ngjyer me djersë.

Dikush pas kuintave të teatrit, mund të thartohet edhe të thotë: “Edhe ti, o Brut?!” Më mirë kështu: Cezari të marrë ç’i takon Cezarit dhe teatri atë që i përket atij katërcipërisht. Vërtet kriza ka sjellë orë të vështira edhe për teatrin, por jo edhe për artin. Dhe teatrin e bëjnë artistët e vërtetë. Mbase Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës, do ti ndihmojë ata për t’ia arritur këtij qëllimi.