e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Pse nuk qan Tirana kur e rrahin?

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pse nuk qan Tirana kur e rrahin?

Gezim SinematiNga GËZIM SINEMATI

Viktima e preferuar" është titulli i një filmi, të cilin po e vjedhim për hatër të Tiranës. Ajo që ndodh prej vitesh me skuadrën bardheblu, në momentet më pikante, zbulon se problemet që ka ekipi janë fasadë në krahasim me thikën që merr pas shpine.

Ajo që përjetuam në ndeshjen e fundit, ku kampionët përfituan një penallti me paterica dhe Tiranës iu avullua një penallti flagrante, s'është gjë tjetër, veçse vazhdim i serialit "Viktima e preferuar". Vitet e fundit, vetëm kur kanë luajtur me Skënderbeun, duket sikur fati i tyre ka qenë i paracaktuar.

Si në filmat e Alfred Hitçkok, kujton se ke gjetur vrasësin dhe gishtin e drejton nga arbitrat, por është dikush tjetër që vret në prapaskenë. Në sytë e popullit të futbollit, kërkohet në tavë koka e arbitrit Koçi, porse e dinë fort mirë se kjo nuk është punë arbitrash.

Dhe ajo që të ngacmon më shumë, rebelimi i vdekur i klubit, një deklaratë gjasme, e cila merret me bilbilin dhe jo me baballarët që i fryjnë. Sa ironik fati për Tiranën: krenoheshin, në vite, para Partizanit dhe Dinamos, duke treguar shenjat në kohën e diktaturës dhe nuk e dinin se çfarë fati i priste në kohën e futbollit "demokratik".

Në kohën e futbollit, ku paraja vlen më shumë se morali dhe, për shkak të një flirti financiar me FSHF-në, Tirana nuk qan dot edhe kur e rrahin. Thonë se përrallat e futbollit besohen më lehtë se të tjerat. Edhe mund të jetë kështu.

Kjo mbledhja zhurmëmadhe e presidentit Duka me arbitrat ishte një spektakël edhe për vetë xhaketat e zeza. Kishin frikë nga zemërimi i "Zeusit" dhe ishin lagur nga sikleti, por me ato që dëgjuan... dolën fitimtarë.

Aty nuk llogaritej dëmi që iu bë klubeve si Tirana, Teuta apo Partizani nga lajthitjet e fundit, por halli më i madh ishin gafat në rrjetet sociale. Aty ku thuhen gjëra të ndaluara. Aty ku, në një ditë të bukur me pushime, ra në grackë edhe vetë i madhi, kur një tifoz i bëri një pyetje provokuese për paratë dhe përgjigjja ishte zhgënjyese... "Me paratë e mamit tat".