e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Prudentino, Ina Rama takon kreun e SHIK-ut

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Prudentino, Ina Rama takon kreun e SHIK-ut
Në të njëjtën kohë kur në terren po ekzekutoheshin urdhrat e sekuestrimit për pasuritë e familjes Prudentino dhe të bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë, përfshirë këtu edhe njerëz të afërt me politikanë, kryeprokurorja Ina Rama ka kryer një takim sekret me kreun e SHIK-ut, Bahri Shaqirin. Akuza qendrore tha se takimi ka qenë në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, SHISH-Prokurori, për të faktuar të gjitha akuzat publike të politikës për verifikime dhe hetime për pasuritë e krimin e organizuar.

Megjithatë, momenti i zhvillimit të takimit përkon me veprimet për sekuestron e pronave të kryemafiozit, nga Tirana në Vlorë, ku janë bllokuar vila dhe hotele luksoze. Burime konfidenciale të akuzës qendrore thanë se në të njëjtën kohë kur Bahri Shaqiri ka qenë në godinën e Prokurorisë së Përgjithshme, në të ndodhej edhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo prokurori, pas fillimit të procedimit penal nga akuza e Vlorës për “pastrim parash” nga Albino Prudentino, ka filluar të sekuestrojë të gjitha pronat në emër të tij.

Pastrimi i parave

Në një komunikim me mediat, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm saktësoi se ndaj shtetasit italian, Albino Prudentino, dhe bashkëpunëtorëve të tij ka filluar një hetim për akuzën e “pastrimit të parave”. “Prokuroria e Përgjithshme, në kuadër të luftës kundër krimit dhe në përgjigje të sensibilizimit të opinionit publik lidhur me çështjet që kanë qenë edhe në fokus të medias, bën të ditur se duke nisur nga data 1 tetor 2010, është regjistruar nga Prokuroria Gjyqësore e Rrethit Vlorë çështja penale për pastrim parash në ngarkim të shtetasit italian, Albino Prudentino, i akuzuar si pjesëtar i grupit mafioz ‘Sacra Corona Unita’”, thanë burimet zyrtare nga akuza qendrore.

Sipas tyre, paralelisht me hetimin nga Prokuroria Gjyqësore e Rrethit Vlorë, bëhet e ditur se Prokuroria e Krimeve të Rënda po kryen aktivitetin e saj procedural në zbatim të ligjit “Antimafia”, për hetimin pasuror të pasurive të Albino Prudentinos. “Hetimi ka nisur fillimisht për shtetasin italian, Albino Prudentino, për të cilin ka edhe një mandat arresti nga Prokuroria Distretuale Antimafia e Leçes. Hetimi për pasuritë e Albino Prudentinos, është shtrirë edhe për pasuritë e personave të tjerë të cilët rezultojnë të kenë lidhje me të”, thanë burimet nga akuza qendrore, sipas së cilës janë bllokuar edhe asetet e para.

Pronat e bllokuara

Pas regjistrimit të procedimit penal për pastrim parash, akuza qendrore tha se janë bllokuar asetet e para të familjes Prudentino. “Prokuroria e Vlorës, në kuadër të procedimit penal për pastrim parash ndaj shtetasit italian, Albino Prudentino, i arrestuar disa ditë më parë në Vlorë në bazë të një mandat-arresti nga Prokuroria e Antimafies së Leçes për pjesëmarrje në organizatën mafioze ‘Sacra Corona Unita’, ka vendosur sekuestrimin e një lokali në Vlorë.

Lokali, ‘Gelateria Piaza Italia’, ndodhet përgjatë rrugës Skelë-Uji i Ftohtë”, thanë burimet nga akuza qendrore. Sipas tyre, Prokuroria e Vlorës, po në kuadër të procedimit penal për pastrim parash, ka vendosur sekuestrimin e aktivitetit të zhvilluar në resortin “Artur” (MUZA), në Komunën Petrelë, përgjatë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan. Ndërkohë, akuza qendrore deklaron se Prokuroria e Vlorës dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda i kanë nisur shkresa zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme në të gjithë Republikën e Shqipërisë për pasuri në emër të familjes Prudentino.

Ka dyshime se ky shtetas, i akuzuar si një nga krerët e klanit mafioz “Sacra Corona Unita”, në Itali, disponon edhe ambiente e godina për ushtrimin e aktivitetit të tij në lojërat e fatit. Megjithatë, hetimi duket se është në fazat fillestare dhe pas evidentimit të pronave të Prudentinos akuza do të verifikojë nëse të ardhurat me të cilat është ngritur ky biznes janë të ligjshme ose jo. Megjithatë, ligji i ri shqiptar “Antimafie” parashikon se pasuria sekuestrohet edhe nëse ka dyshime se shtetas në fjalë janë marrë me krim të organizuar.

Pra mjafton që ndaj Albino Prudentinos dhe djalit të tij, Anxhelo, ka filluar një procedim penal për “pastrim parash” dhe të gjitha pasuritë u sekuestrohen. Prokuroria e Përgjithshme thotë se pasuria mbetet e sekuestruar edhe nëse akuza e pastrimit të parave e ngritur nga Prokuroria e Vlorës rrëzohet.