e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Le Monde: Franca kunder liberalizimit te vizave me Shqiperine

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Le Monde: Franca kunder liberalizimit te vizave me Shqiperine
Franca është kundër liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Ky është titulli kryesor i faqes të lajmeve “Euractiv” që është dhe faqja zyrtare për lajme nga Bashkimi Evropian. “Euraktiv” shkruan se pas dëbimit të diskutueshëm të romëve nga Franca, shumica e të cilëve ishin shtetas të Rumanisë dhe me origjinë bullgare, pra dy shtete të BE-së, Parisi ka sinjalizuar kundërshtimin e saj për heqjen e vizave për qytetarët e Bosnjës dhe Shqipërisë. “EurActiv” i është referuar gazetës më prestigjioze në Francë “Le Monde”, e cila dje ka shkruar se raportet mes Francës dhe BE-së janë më të ftohta se kurrë. Sipas “Le Monde”, Franca ka kritikuar Komisionin Evropian për ndjekjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor “për arsye politike”, duke lënë pas dore “rreziqet” që lidhen më tej me hapjen e kufijve të BE-së.

Kundërshtimi

“Komisioni do një masë, por nuk do të merret me ndikimet e tij negative”, ka deklaruar një diplomat i nivelit të lartë francez, citon “Le Monde”. Sipas kësaj gazete, diplomati shton se KE, pas vendimit të liberalizimit të vizave, duhet të mendojë edhe për çështjet emigracionit dhe të sigurisë që rezultojnë nga heqja e vizave me barriera në Ballkanin Perëndimor.

Sekretari francez në Parlament

Duke folur në Parlamentin francez më 29 shtator, Sekretari Francez i shtetit për Çështje Evropiane, Lellouche Pierre, e ka quajtur politikën e vizave si një “çështje të sigurisë”. “Vitin e kaluar, vendet e ish-Jugosllavisë përfituan heqjen e vizave. Vendet e mbetura janë Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina. Çdo herë që liberalizohen vizat, ky është një ushtrim shumë delikat. Qëndrimi im, dhe unë mendoj dhe i qeverisë, është se çështja e vizave është një çështje e sigurisë. Kjo nuk është vetëm një dhuratë diplomatike që ne ofrojmë gjatë rrugës”, ka theksuar Lellouche. Ai shtoi se Franca do të kërkojë “garanci sigurie” nga Shqipëria dhe Bosnja para se ajo të japë dritën jeshile për heqjen e vizave për këto vende. Ai gjithashtu tregoi se në rastin e Bosnjës, Franca “ka nevojë të flasë me një shtet”, pasi sipas tij ky vend s’ka një shtet.

Fjala përfundimtare i takon BE-së

E pyetur nga “EurActiv” për të komentuar qëndrimin e Francës, Michele Cercone, zëdhënësja e komisioneres të Punëve të Brendshme të BE-së, Cecilia Malmström, tha se Komisioni kishte bërë punën e tij, si dhe ka propozuar liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, pasi sipas komisioneres këto dy vende i kanë përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme."Tani që të gjitha kriteret janë plotësuar, është në dorën e Parlamentit dhe Këshillit të miratojë një vendim përfundimtar," tha Cercone.

“Euractiv” thekson se Parlamenti Evropian është kryesisht mbështetës i liberalizimi të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Javën e kaluar, komisioni civil dhe i lirive në Parlamentin Evropian ka miratuar një projekt-rezolutë për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën me 49 vota për dhe vetëm dy abstenime.

Kryeministri deklaron se Franca nuk është kundër liberalizmit për Shqipërinë
Berisha: Vizat, titujt e mediave franceze, trillime

Shefi i qeverisë shqiptare deklaroi dje se titujt e mediave franceze se Franca do bllokojë liberalizmin e vizave për Shqipërinë, janë trillime. “Çështja e parë, me rëndësi në distancë nga të gjithë të tjerat, është liberalizimi i vizave. Këtë javë Parlamenti Evropian në një votë historike voton për vizat për Shqipërinë dhe Bosnjën. Unë, nga të gjitha kontaktet tona me autoritetet e Republikës Franceze, kam kënaqësi t’ju informoj se titujt e mediave të vendit janë trillime; se Franca është promotor i lëvizjes së lirë dhe proceseve integruese në Bashkimin Evropian; se autoritetet franceze me shumë të drejtë kërkojnë nga vendet përfituese që akti i heqjes së vizave, të cilin ata e mbështesin tërësisht, duhet të konsiderohet si një proces dhe jo si një vendim që finalizon”, u shpreh Berisha. Kryeministri garantoi autoritetet franceze se heqja e vizave për Shqiipërinë do të thotë më shumë përgjegjësi për sensibilizimin e qyetarëve.

 “Me këtë rast unë dua të garantoj autoritetet franceze dhe të gjithë partnerët tanë evropiane se qeveria shqiptare dhe autoritet shqiptare heqjen e vizave e marrin si një akt madhore përgjegjësie ndaj këtyre kombeve dhe vendeve, për të vazhduar me përkushtim të madh luftën me zero tolerancë kundër krimit dhe korrupsionit, për të konsoliduar më tej gjithë infrastrukturën e trajtimit të të rikthyerve të mundshëm, për të ngritur në nivel më të lartë të gjithë qëndrimet ndaj problemit të emigracionit, për të firmosur çdo lloj marrëveshje me vendet anëtare, e domosdoshme kjo për të shmangur çdo pasojë të këtij akti historik. Në këtë kontekst, ne kemi vepruar shumë drejtë me fushatën e fuqishme të sensibilizimit të qytetarëve, të ndërmarrë në kohë”, theksoi kreu i ekzekutivit.

53 organizata shqiptare civile apel PE-së për liberalizmin e vizave

Organizata të shoqërisë civile në Shqipëri u kanë bërë dje apel forcave politike që tu kërkojnë institucioneve më të larta  të Bashkimit Evropian, liberalizmin sa më të shpejtë të vizave për Shqipërinë.  Në një deklaratë për shtyp të nënshkruar nga 53 organizata në Shqipëri vlerësohen vendimet e deritanishme të organizmave më të larta të BE-së për çështjen e vizave.  “Përshëndesin unanimisht raportimin e fundit dhe propozimin e Komisionit Europian dhe qëndrimin e vazhdueshëm pozitiv të tij dhe të Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe aktualisht me Shqipërinë dhe Bosnje -Hercegovinën, të cilat i kanë përmbushur tashmë kushtet e përcaktuara nga udhërrëfyesët përkatës për liberalizimin e vizave”, thuhet në deklaratë. Organizatat inkurajojnë deputetët e Parlamentit Europian të mbështesin propozimin për amendimin e Rregullores (EC) Nr. 539/2001 për të mundësuar liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje -Hercegovinën gjatë seancave plenare të datave 6 dhe 7 Tetor 2010.

“Inkurajojnë Këshillin e Ministrave të Brendshëm të BE-së t’i japë përparësi në mbledhjet e tij të radhës dhe të miratojë propozimin e Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnje - Hercegovinën; Ritheksojnë rëndësinë e konfirmimit faktual nga ana e BE-së, nëpërmjet liberalizimti të merituar të vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, të seriozitetit të politikës dhe qasjes së saj ndaj integrimit të rajonit të bazuar në merita dhe arritje në reforma. Risjellin në vëmendjen e qeverive të vendeve anëtare të BE-së, përfaqësive të tyre në Shqipëri, Komisionit Europian, Parlamentit Europian, Këshillit të BE-së dhe Delegacionit të BE-së në Shqipëri rëndësinë e ruajtjes së besueshmërisë së perspektivës europiane të rajonit nëpërmjet mbajtjes së premtimit për liberalizimin e vizave pas përmbushjes së kushteve të përcaktuara në udhërrëfyesit përkatës, si një mënyrë e pazëvendësueshme për vazhdimin e ritmit të reformave dhe frymës gjithmonë edhe më bashkëpunuese të vendeve të rajonit”, thuhet në deklaratë. Sipas deklaratës “Organizatat nënshkruese të kësaj deklarate kanë besimin e plotë se institucionet vendim-marrëse të Bashkimit Europian do t’u qëndrojnë vullnetit dhe zotimit të tyre të deritanishëm për përafrim me BE-në të bazuar në merita”.