e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Pronat e Ushtrise, Balla: Ish-klubi Partizani u shit per 100 mln leke

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pronat e Ushtrise, Balla: Ish-klubi Partizani u shit per 100 mln leke
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, denoncoi dje në terren shitjen e pronave nga Ministria e Mbrojtjes. I vendosur përpara ish-klubit të sportit ‘Partizani’, Balla ka pohuar se prona prej 33 mijë metra katror është privatizuar për 100 milionë lekë. “Për të gjithë ata që e mbajnë mend, këtu ka qenë klubi i futbollit ‘Partizani’, një pronë prej 33 mijë metra katrorë, pikërisht në qendër të Tiranës.

I them sot Sali Berishës dhe Arben Imamit të japin shpjegime se përse këtë pronë e kanë dhënë për 100 milionë lekë, duke pretenduar gjithashtu se pjesën e truallit ua paskan kthyer disa ish-pronarëve, ndërkohë që është i paqartë gjithë procesi i shitjes së këtyre pronave. Si ka mundësi që në institucion si Ministria e Mbrojtjes privatizon 17 milionë metra katrorë pa kaluar një ligj i posaçëm në Kuvendin e Shqipërisë? 

Një ligj që të trajtojë jo vetëm mënyrën e privatizimit, por ligji të përcaktojë qartë edhe alternativat sociale të menaxhimit të këtyre pronave. Këtu mund të duhej një qendër shëndetësore dhe jo pallati i radhës i njerëzve të lidhur me pushtetin”, – u shpreh Balla para mediave. Ai ka theksuar se kjo është vetëm një pjesë asaj masakre që është bërë me pronat publike në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe se në ditët në vazhdim Partia Socialiste do të vijojë të denoncojë të gjitha rastet që, sipas tij, duket qartazi se janë në shkelje të plotë të ligjit.