e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Prodani: Do ta godasim pa meshire kete 'fenomen'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Prodani: Do ta godasim pa meshire kete 'fenomen'
Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani shpjegon problematikën e dyshimeve të ndeshjeve në kampionatin shqiptarë të futbollit. Lidhur me dyshimet e fundit të një prej dy institucioneve (UEFA) lidhur me disa ndeshje të kampionatit shqiptar, ku kanë mbërritur edhe dokumente në adresën e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilat do të ndihmojnë vazhdimin e investigimeve, Eduard Prodani, sekretari i përgjithshëm i FSHF-s, gjatë emisionit “Procesi Sportiv”, në Top Channel, komentoi këtë problem.

Sipas tij, nuk bëhet fjalë për masa ekstreme, por në bazë të dokumentacioneve përkatëse, FSHF ka marrë masat e duhura për të analizuar dhe hetuar situatën. Ndërkohë që dokumente të ndryshme kanë kaluar edhe në duart e Prokurorisë, e cila ka nisur hetimet zyrtare. Duket se futbolli shqiptar është në tymnajë të plotë dhe tashmë pritet që organet kompetente të analizojnë gjithçka.

“Duhet të jemi shumë etikë në diskutimet që do të bëjmë për këtë çështje, sepse nuk bëhet fjalë për prova, as për fajtorë, por janë dyshime që vijnë nga studimi i parametrave të ndryshme në bazë të koeficientëve që vendosin kompanitë e basteve. Po të ishin prova, nuk do të ishim ne këtu në studio duke diskutuar, por do të ishin arritur konkluzionet kohë më parë. Këto hetime bëhen në të gjitha kampionatet ku ka dyshime në raporte të ndryshme.

Nuk bëhet fjalë për Komision të UEFA-s, por për një sistem informatik vrojtimi, ku sinjalizohet në disa ndeshje të dyshohet për trukim me qëllim bastesh. Më pas njoftohet edhe federata përkatëse, pasi ka diçka këtu që duhet parë. Pra, nuk janë fakte, por dyshime, ndryshe do të kishte ndëshkime nga UEFA dhe s’do të kishte nevojë për ne. Duhet ndarë qartë që UEFA jep dënime sportive.

Ndeshja Kastrioti–Vllaznia e këtij sezoni është nën hetim nga Prokuroria. Ata kanë kërkuar materiale dhe ne kemi dorëzuar çfarë disponojmë. Ka shumë raste të tjera që ne kemi analizuar pas “denoncimit” të zyrtarëve të UEFA-s. Sapo raporti ka mbërritur, ne kemi bërë investigimet tona sipas mundësive. Një pjesë të mirë të rasteve edhe unë personalisht kam bërë analiza dhe s’më ka rezultuar në bazë të atyre që kam dëgjuar dhe kam parë që kjo ndeshje apo një tjetër të jenë të trukuara.

Këtë gjë ia kemi bërë të qartë edhe zyrtarit të UEFA-s që e kishte dërguar shkresën. Në rastin e ndeshjes Kastrioti–Vllaznia, të dy klubet janë treguar të gatshme për investigim. Megjithatë, klubet e kanë dërguar vetë në Prokurori këtë çështje dhe më pas kërkuan materiale. Është gjë e mirë që merret me këto punë Prokuroria.

Federata edhe në të kaluarën ka filluar dhe ka analizuar ndeshje për trukim. Por federata ka mjete hetimesh shumë të kufizuara, sepse nuk është organizatë qeveritare. Pra, jemi OJQ, organizatë joqeveritare. Kohë më pare, Federata Italiane e Futbollit i ka kërkuar ndihmë financiare UEFA-s për të sostifikuar sistemin e kontrollit ndaj dyshimeve për manipulim të ndeshjeve.

Lidhur me kombëtaren tonë s’ka pasur asnjë dyshim apo dokument që ka mbërritur për dyshime. Ne kemi për detyrë që ta godasim këtë fenomen pa mëshirë, pasi të kemi konstatime. Ndaj dhe s’duhet të luani me imazhin e ekipit kombëtar dhe do t’ju lutem mos të përmendim skuadrën kombëtare për këto fenomene me pikëpamje personale, pa asnjë provë. Ndeshjet e kombëtares i analizon FIFA dhe UEFA dhe me to më pas merret Interpoli,”- deklaroi z. Prodani, sekretar i përgjithshëm i FSHF-s, gjatë emisionit “Procesi Sportiv” në Top Channel.

 

Raporti i UEFA-s për ndeshjen Kastrioti – Vllaznia 2-1  (2 tetor 2011)

Raporti i parë i UEFA-s për këtë ndeshje ka ardhur vetëm 3 ditë, pasi është luajtur ndeshja, pra më 5 tetor. Në të shkruhej: “Ne kemi arsyet për të besuar se kjo ndeshje është e manipuluar për qëllime përfitimi me bastet. Raporti ynë tregon ndryshime të mëdha në koeficientët e basteve në Azi, por edhe Europë, duke shqetësuar kompanitë edhe përpara ndeshjes, por edhe gjatë zhvillimit të ndeshjes”.

 

Raporti i dytë i UEFA-s mbërrin në zyrat e FSHF-së, më 20 tetor. Në të shkruhet:

“Janë vendosur baste të forta që Vllaznia të humbasë ndeshjen dhe të shënohen të paktën 3 gola. Edhe gjatë zhvillimit të ndeshjes ka pasur baste të shumta që do të shënohen të paktën 3 gola. Të gjitha bastet në fund rezultuan të suksesshme. Ndeshja përfundoi me fitoren e skuadrës së Kastriotit 2-1 dhe u shënuan 3 gola. Kjo do të thotë se të gjitha bastet e vendosura u arritën. Edhe gjatë ndeshjes pati baste të shumta që takimi do të dhuronte 3 gola. Koeficientët për këtë lloj basti u ulën shumë, duke treguar qartë se ata që vendosnin bast kishin besim se do të shënoheshin 3 gola.

UEFA ka një situatë të qartë edhe për mënyrën se si janë shënuar golat dhe gjithçka që ka ndodhur në fushë në atë takim. Pamjet e ndeshjes tregojnë se mbrojtësit e Vllaznisë gabuan në golin e dytë, duke e lënë sulmuesin e Kastriotit, Bruce Inkango, të shënonte lehtësisht. Ka sugjerime që ky gol mund të ishte dhe në pozicion jashtë loje.

Gjyqtari i takimit, Albano Janku, dhe asistentët e tij, Rejdi Avdo dhe Arben Pregja, kanë anuluar edhe një gol për Vllazninë në minutën e 55-të, duke e vlerësuar futbollistin e Vllaznisë në pozicion të parregullt. Specialistët në Shqipëri tregojnë se ishte një vendim i padrejtë.

Ka zëra se lojtarët e Kastriotit, Elton Grami, Fatmir Caca, Elton Muçollari dhe Erald Turdiu, janë përfshirë në manipulime sezonin e kaluar. Të gjithë këta lojtarë kanë qenë në fushë në atë ndeshje dhe Fatmir Caca ishte kapiteni i skuadrës, ndërsa Erald Turdiu përfundoi jashtë me karton të kuq. Këta zëra dhe bastet e mëdha që Vllaznia duhej ta humbiste ndeshjen rrisin shqetësimet mbi performancën e Vllaznisë në atë ndeshje.

Të dyja skuadrat kanë një histori shumë të dyshimtë, me një numër rreth 14 të ndeshjeve të dyshimta të vëna re nga sistemi i zbulimit të mashtrimeve. 9 prej këtyre ndeshjeve kanë pasur një nivel të lartë kërcënimi, duke treguar se kanë qenë të manipuluara”.