e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Pritje heronjsh per Kukesin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pritje heronjsh per Kukesin

Arritja historike e Kukësit që kaloi dy turne në Europa League ka entuziazmuar tifozët e kësaj skuadre, të cilët i kanë bërë një pritje triumfale ekipit në momentin e mbërritjes në aeroport pas fluturimit nga Bosnja. Të mbajtur në krahë nga tifozët në daljen nga aeroporti, më pas para mediave kanë folur me radhë të gjithë protagonistët e këtij suksesi të jashtëzakonshëm.

“Shpirti dhe karakteri i këtyre djemve duhet vlerësuar maksimalisht, kjo është një arritje jo vetëm e Kukësit, por e futbollit shqiptar. Me sa di unë, prej 26 viteve, asnjë ekip shqiptar nuk kalonte në turin e tretë, ndaj besoj se për këtë duhet të ndihet krenare e gjithë Shqipëria”, ishin fjalët e trajnerit Armando Cungu.

Ndërsa entuziazmi nuk i ka munguar presidentit të klubit, Safet Gjici, i cili ka ambicie të mëdha dhe nuk dëshiron të ndalet në këtë pikë. “Besojmë tek objektivi i tretë i rëndësishëm, kalimi i turit të tretë dhe atëherë do të jetë superhistorike për Kukësin dhe gjithë Shqipërinë”, ishin ambiciet e numrit 1 të verilindorëve.

Padyshim një nga personazhet më të spikatura të këtij suksesi ishte portieri vlonjat, Argent Halilaj, i cili priti një penallti në pjesën e dytë të ndeshjes duke ruajtur rezultatin 0-0 që kualifikoi ekipin shqiptar. “Nuk do ta quaja veten hero, por të gjithë çunat, për këtë arritje kaq të madhe. Çfarë mendova para gjuajtjes së 11-metërshit? Si të bëja krenar një komb të tërë”, ishte komenti i portierit.

Ndërkohë, drejtori teknik i Kukësit, Sulejman Starova, ka lëshuar një thumbim ndaj të gjithë atyre që mendojnë se futbolli shqiptar është inekzistent dhe mbijeton vetëm falë asaj që dhurojnë lojtarët e kombëtares që vijnë nga jashtë. “Ky është shërbim i madh që i bëhet futbollit shqiptar. Është një hap cilësor i futbollit shqiptar. Nuk është futbolli ynë vetëm futbollistët që vijnë të luajnë me kombëtaren nga jashtë, por kjo tregon që ne jemi një fidanishte dhe kampionati shqiptar herë pas here prodhon lojtarë. Arritja e skuadrës tregon që ka nivel në futbollin tonë”, deklaroi Starova, i cili është një nga personazhet kryesore që ka përzgjedhur lojtarët për skuadrën e Kukësit në dy sezonet e fundit, duke e kthyer atë në një nga ekipet me futbollin më cilësor në vendin tonë.  E. Kuka