Prezantohen uniformat, ka batuta me Berishën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në prezantimin e fanellave të reja të Kombëtares në sallën e Akademisë së arteve në kryeqytet sigurisht që pas ekzekutimit të himnit kombëtar nga tenori Kastriot Tusha, radhën do ta kishte gardiani kuqezi. I veshur me fanellën e tij, Berisha u ftua që të bëjë edhe paradën e tij në skenë.
Mes ilaritetit, portieri provon të bëjë edhe... sfilatë. Pas duartrokitjeve, Etrit Berisha rikthehet edhe një herë në mes të skenës. Pas këtij momenti, tenori Kastriot Tusha dhe këngëtarja Manjola Nallbani ftohen që të performojnë një këngë arbëreshe.
Po Berisha? Shumë të qeshura dhe moment gazmor për të pranishmit në sallë. Vetë shokët e Kombëtares së portierit filluan të shkrepin foto dhe të bëjnë humor me portierin. Situatë shumë e sikletshme.
Shumë më shumë edhe se atëherë kur futet në fushë në ndeshjen përballë Interit, pas daljes me karton të kuq të Marketit dhe i pret menjëherë penalltinë Ikardit. Ndërkohë që po performohej "live" kënga arbëreshe, gardiani kthente kokën ngado ku mund të merrte një konfirmim se ç'duhet të bënte.
Të linte skenën, apo të qëndronte aty. Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit kërkon të përdorë telefonin për të riparuar këtë moment dhe për ta larguar portierin nga një situatë... e pakëndshme. Berisha gjen diku një konfirmim dhe largohet. Bën pas dhe ikën nga skena.