e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Presidenti Topi më 8 Maj, votoi për Edi Ramën (ABC News)

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Presidenti Topi më 8 Maj, votoi për Edi Ramën (ABC News)
Surprizat e procesit zgjedhor të 8 Majit, veçanërisht ajo e garës së ngushtë për Tiranën, nuk kanë të sosur. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ditën e 8 Majit, e ka hedhur votën e tij pro kandidatit socialist për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama. Ky përfundim ka dalë pas zbulimit të fletës së votimit të kreut të shtetit, e hedhur në kutinë nr.1968.

Në fakt, vota e tij është hedhur aksidentalisht në kuti tjetër dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po numëron konkretisht të gjitha ato fletë të rregullta votimi, të kontestuara për shkak të gjetjes së tyre jo në kutinë e caktuar.  Pamjet e gabimit të kreut të shtetit gjatë procesit të votimit më 8 Maj, nga qendra e votimit në shkollën 9-vjeçare “Servet Maçi” në njësinë bashkiake nr. 9. të Tiranës, u transmetuan nga televizioni “ABC News”.

---
Me tej reagimi i Zedheneses se shtypit te Presidentit te Republikes se Shqiperise.
Deklaratë për shtyp e Presidentit Topi lidhur me votën e tij të fshehtë për zgjedhjet vendore të 8 majit
20 maj 2011

Zëdhënësja e Presidentit të Republikës, zonja Mimoza Koçiu bëri publike sonte një deklaratë për shtyp të Kreut të Shtetit lidhur me votën e tij të fshehtë për zgjedhjet vendore të datës 8 maj.

“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, hedh poshtë me neveri spekullimet politike dhe mediatike lidhur me votën e tij të fshehtë të dhënë më 8 maj për organet e qeverisjes vendore. Presidenti i Republikës e ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese të votës si çdo qytetar tjetër, me bindjen e plotë se vota e çdo qytetari është dhe duhet të jetë e fshehtë, siç përcaktohet nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

Çdo qytetar i interesuar ka patur rastin të shohë në formë publike e vizive aktin e votimit të Presidentit, si votim i rregullt, ligjor dhe korrekt. Çdo aludim tjetër, mbetet produkt i sajuar politik e mediatik, i lidhur me kontekstin politik të ditës si dhe për tërheqjen e vëmendjes nga problemet e mëdha që po shfaq vonesa në administrimin ligjor të rezultatit të zgjedhjeve.

Presidenti i Republikës refuzon të përfshihet në spekullimet dhe lojrat politike të ditës, dhe me cilësinë e Kryetarit të Shtetit apelon edhe njëherë aktorët politikë dhe institucionet përgjegjëse, që të lënë mënjanë çdo alibi dhe përpjekje për të sajuar skema të tilla të ulëta dhe të kryejnë detyrën dhe përgjegjësinë që u ngarkon ligji dhe interesat madhore të vendit.”
Me poshte nje video nga lajmet e Klan TV. Ju lutem vleresojeni videon per castin e votimit dhe jo per mesazhin politik.