Prapaskenat e nje rinovimi kuqezi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhani De Biazi ka po aq mundësi që të mos rinovojë me Shqipërinë si dhe të rinovojë me Shqipërinë. Edhe pse ai mund të çojë ekipin shqiptar për herë të parë në një finale direkt në Europian, që do të thoshte arritje e madhe për kuqezinjtë, për të nuk do të ishte diçka pozitive, pasi rinovimi koklavitet. Mungesa e stimulit dhe një grup i vështirë në botëror janë dy pengesat e para. Pastaj vinë pretendimet financiare të italianit që thuhet se është ngjitur deri në 2 milionë euro në sezon. Por më shumë se kaq, nëse kuqezinjtë kualifikohen shkojnë në Europian gjasat janë që De Biazi të largohet. Ai kërkon një shumë të madhe që gjithsesi presidenti Duka, nuk ka ndërmend të japë asnjëherë, ose të paktën kështu thonë burime pranë tij.
De Biazi nga ana e tij vazhdon presionin për një super rrogë që ndoshta e ka merituar, por që nuk përballohet nga FSHF, në mos Duka bën çmendurinë financiare për ta paguar. Më vështirë duket nëse kuqezinjtë humbasin shansin për në Europian, sepse kërkesat e De Biazit për më shumë para do të venitej automatikisht dhe italiani ose do të qëndronte me pagë të ulët, ose do të largohej për një ofertë tjetër. Kujtojmë që rinovimi i trajnerit De Biazi ndoshta do vinte pas ndeshjes me Portugalinë, por humbja e Shqipërisë në sekondat e fundit ka qenë mbase arsyeja që firma nuk ka ardhur, duke e lënë gjithçka pas përfundimit të eliminatoreve. Ka qenë vetë numri një i FSHF-së, Armand Duka, ai që ka sqaruar për opinion sportdashës në lidhje me këtë çështje.”
E kisha menduar që pas ndeshjeve me Danimarkën dhe Portugalinë të takohesha me trajnerin De Biazi dhe të diskutonim rreth rinovimit të kombëtares. Rinovimi me De Biazin? Absolutisht nuk e kam hapur këtë bisedë. Kam pasur përshtypjen që do ta hapja pas këtyre dy ndeshjeve, pasi ndofta kisha mendimin që do të ishim më mirë në klasifikim.
Tani që i kemi të domosdoshme dy ndeshjet, nuk mund të hapim asnjë bisedë tjetër, përveçse të përqendrohemi fort, fort në dy ndeshjet e radhës. Kryesisht në ndeshjen e parë, pastaj të dytën. Çdo lloj diskutimi do të na shpërqendronte nga objektivi kryesor. Unë besoj se ky është një objektiv madhor për futbollin shqiptar dhe është objektiv madhor edhe për trajnerin e ekipit shqiptar, qoftë edhe në planin e tij personal. Kështu që do të na largonte nga objektivi madhor i të gjithëve”, është shprehur pak ditë më parë presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Ndërkohë që italiani me diplomaci, herë bën të paditurin e herë lëshon ndonjë “kunjë” të vogël. Ata që e njohin e dinë mirë. Është strategjia e tij mediatike për të lodhur kundërshtarin, pak a shumë siç bëri dy vite më parë, por tani De Biazi ka në dorë rezultatet dhe mundësinë e artë me të cilën mund të kërkojë fatin diku tjetër. Por ia leverdis largimi i italianit FSHF-së...?
Policia nuk do të lejojë të dyshuarit në stadium
FSHF ka zyrtarizuar shitjen e biletave on-line, si dhe çmimet e tyre për ndeshjen Shqipëri-Serbi, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2016, e cila do të zhvillohet më 8 tetor, në stadiumin “Elbasan Arena”. Biletat mund të blihen në faqen zyrtare të FSHF-së, por që dje ishte e pamundur që një gjë e tillë. Si edhe në ndeshjet e mëparshme, FSHF njofton të gjithë tifozët se stadiumi “Elbasan Arena” është i pajisur me sistemin elektronik të kontrollit të biletave, të cilat kanë elementë sigurie të nivelit më të lartë, të dukshëm dhe të padukshëm me sy të lirë. Sistemet e kontrollit të biletave në hyrjet e stadiumit janë të kompjuterizuara. Biletat për këtë event do të jenë të personalizuara dhe për asnjë arsye, asnjë person, i cili nuk do të mbajë një biletë me emrin e tij, nuk do të lejohet të hyjë në stadium. Listat nominative të personave të pajisur me bileta do t’i komunikohen Policisë së Shtetit për të mundësuar identifikimin dhe ndalimin e të gjithë personave problematikë, apo të dyshuar si potencialisht të rrezikshëm për mbarëvajtjen dhe sigurinë e eventit, njofton FSHF në faqen e saj zyrtare në internet.