e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Prapaskenat:PD-PS 'aleance' per fitoren e Vasil Bollanos ne Himare

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Prapaskenat:PD-PS 'aleance' per fitoren e Vasil Bollanos ne Himare
Vasil Bollano vihet sërish në qendër të vëmendjes së opinionit, por këtë herë jo për shkak të deklaratave të tij provokuese kundër interesave të Shqipërisë por për rikandidimin e tij në Bashkinë e Himarës. Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut prishi marrëdhëniet me Partinë Socialiste për shkak të mos gjetjes së konsensusit për emrin e kreut aktual të Bashkisë Himarë, duke dalë parti më vete në zgjedhje.

Pse fiton Bollano

Në zgjedhjet lokale të 8 Majit do të jenë tre kandidatë për Bashkinë e Himarës. Partia Demokratike dhe koalicioni i saj ka kandidatin e vet, PS me aleatët kanë kandidat të vetin dhe PBDNJ ka Vasil Bollanon. Kjo ndarje e votave në mënyrë të pashmangshme sjell një favorizim të Bollanos i cili dhe këtë herë si zakonisht do të sjellë disa autobusë me njerëz nga Greqia dhe do të vazhdojë të jetë kryetar bashkie edhe për katër vjet të tjera pavarësisht faktit se nuk ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve.

Bollano përballë dyshes PD-PS

Situata zgjedhore në Himarë është disi e komplikuar, pjesa më e madhe e qytetarëve janë kundër Bollanos për kryetar bashkie duke mbështetur Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Mirëpo votat e himarjotëve do të ndahen mes PD-së dhe PS-së, duke sjellë në këtë mënyrë fitoren e Bollanos me votat e minoritarëve grekë, edhe pse ai fiton me një diferencë të vogël, përfaqësuesi i minoritetit merr mandatin.

Zgjedhjet e kaluara

Në vitin 2003 Vasil Bollano fitoi Bashkinë e Himarës nën siglën e PBDNJ-së dhe i mbështetur nga Partia Socialiste, në atë kohë në qeveri. Në 2007 Bollano fitoi sërish, por këtë radhë u mbështet nga Partia Demokratike që ishte në pushtet. Ndërsa këtë radhë nuk do të ketë mbështetjen e asnjë partie, të paktën zyrtarisht.

Si mund të humbasë Bollano

E vetmja mundësi që Bollano të humbasë Bashkinë e Himarës është një bashkëpunim mes dy partive kryesore qoftë bashkëpunim i hapur qoftë dhe i nëndheshëm. Ndarja që ka bërë PD dhe PS në Himarë qoftë ose jo e paqëllimshëm do të lërë në krye të një institucioni shtetëror një person i cili përdhos me deklarata publike jo vetëm një zyrë shteti por dhe dinjitetin kombëtar. Një figurë intelektuale do të ishte një zgjidhje e mirë që palët të ngroheshin mbi interesat partiake. Por duket se PD dhe PS nuk do të bashkëpunojnë kurrë bashkë edhe pse në mes janë interesat kombëtare.

Si humbi Bollano në vitin 2000

Për herë të parë Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë bashkëpunuar në vitin 2000 duke nxjerrë si kandidat të përbashkët Viktor Mato. Ky i fundit në raundin e parë doli në balotazh me Vasil Bollanon, edhe pse ishte shumë vota përpara. Dhe në raundin e dytë fitoi me 70 për qind të votave. Pra, ky fakt tregon më së miri se nëse PD-PS bashkëpunojnë si në vitin 2000, Himara do të qeveriset nga një shqiptar.Viti 2007 Në zgjedhjet e vitit 2007 për pushtetin lokal të majtët në koalicion kandiduan Aleks Taton që arriti të marrë 518 vota. Partia Demokratike u përfaqësua në zgjedhje me Dhimitri Llazari që mori 710 vota. Kandidati i LDLNJ-së Kosta Andruco mori 79 vota dhe Vasillaq Bollano i PBDNJ-së 1.264 vota. Në proporcional partia e Vangjel Dules mori pesë këshilltarë, LDLNJ-ja një dhe 11 të tjerë i takojnë si rregull partive jo minoritare. Subjekti PBDNJ mori në këtë proces në total 833 vota, pra një diferencë prej më shumë se 500 votash nga Bollano.

Historia e Himarës sipas Bollanos

Jo vetëm tani, por edhe historia e Himarës sipas Vasil Bollanos, flet për një krahinë autonome greke, e cila u ka mbijetuar të gjitha luftërave si të krishterë ortodoksë grekë. Bashkia e Himarës ka hapur së fundi një faqe online në internet ku fillimisht shkruhet Republika e Shqipërisë dhe më pas Bashkia Himarë, por teksa lexon historikun e Himarës të bie lehtësisht në sy se banorët e saj jo vetëm që janë ndjerë grekë, por kanë krijuar edhe një Konfederatë Autonome. “Tridhjetë e tre fshatra të Himarës me ndërgjegje kombëtare Greke krijuan Konfederatën Autonome të Qeravneve, të vetëqeverisur dhe të zhveshur nga çdo lloj takse, të përjashtuar nga thirrja nën armë nga ana e turqve, me sistemin vendor të drejtësisë dhe me të drejtën e mbajtjes së armëve në të gjithë Epirin. Himara i mbajti këto privilegje me shekuj. Me gjithë këto privilegje dhe autonominë esenciale që fitoi, Himara vazhdoi të luftojë kundër turqve gjatë gjithë kohës së sundimit turk. Nuk ekziston asnjë kryengritje ose lufte në të cilën Himara të mos ketë marrë pjesë”, thuhet në faqen zyrtare të kësaj bashkie kur flitet për historikun.

KQZ miraton koalicionin e majë, Bollano ndan PBDNJ-në nga PS

Gjatë regjistrimit në KQZ, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. PBDNJ nuk figuronte në listën e partive të koalicionit të majtë, të miratuar nga KQZ. Mesa duket, shkak për këtë është bërë kandidatura e Vasil Bollanos në Himarë. Partia Socialiste kishte deklaruar publikisht kohë më parë se nuk do ta mbështeste rikandidimin e tij, ndërkohë që PBDNJ kishte konfirmuar se zoti Bollano mbetet kandidat i kësaj partie për bashkinë e Himarës. Duke kandiduar e vetme për këto zgjedhje lokale, PBDNJ i rezervon të drejtën vetes që përveç Himarës, të paraqesë kandidatët e saj në të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit. Nga PBDNJ nuk kishin asnjë koment për këtë çështje. Ndërkohë, nga selia rozë pohojnë se pavarësisht se PBDNJ do të kandidojë e vetme në këto zgjedhje lokale, ajo do të mbetet pjesë e opozitës. Megjithatë, edhe pa PBDNJ-në dhe partinë tjetër që u tërhoq në minutat e fundit, ky koalicion i Partisë Socialiste mbetet koalicioni më i gjerë i krijuar ndonjëherë nga kjo parti për zgjedhje. Me herët kishte qenë Partia Demokratike që kishte deklaruar se nuk do të suportojë kandidaturën e zotit Bollano për Himarën.

Rizolopus: Marrëdhëniet Shqipëri- Greqi janë keqinterpretuar

Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi mbeten të mira. Këtë ka dashur të konfirmojë konsullit grek në Gjirokastër Joanis Rizopulos, në aktivitetin e organizuar me rastin e 190 vjetorit të pavarësisë së Greqisë. Aktiviteti u organizua mbrëmë si bashkëpunim i Bashkisë së Gjirokastrës dhe konsullatës greke në qytetin Jugor.
Në vazhdim të deklaratës së tij konsulli Rizolopus ka nënvizuar se kohët e fundit këto marrëdhënie janë keq interpretuar nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias, duke krijuar një frymë jo të mirë. “Nuk janë zëra të veçuara por kohët e fundit shohim një pjesë të shtypit dhe një pjesë të intelektualëve shqiptarë që ti referohen marrëdhënieve- shqiptaro greke”- ka thënë konsulli grek në Gjirokastër, i cili ka preferuar të mos komentojë thirrjet antishqiptare të kolegut të tij, në Korçë, konsullit Ikonomus.

Dule jo me Ramën, Xhafa: Donin Bollanon në Himarë

Vangjel Dule nuk do të jetë pjesë e koalicionit me të cilin socialistët do të garojnë në 8 Maj. Sekretari për çështjet ligjore në selinë rozë Fatmir Xhafaj, konfirmon në emisionin "Agon" në “Albanian Screen”, se shkak për këtë ka qenë kandidatura e Vasil Bollanos. "Zoti Dule insistoi, është në drejtën e tij, është normale që si kandidat të rikandidonte përsëri në këtë pozicion kryetarin e bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. PS mendonte që mund të ishte një kandidat i koalicionit, mund të ishte dhe ky kandidat i PBDNJ, po jo zoti Bollano për shkak të disa pozicioneve të mbajtura prej tij në raport me ushtrimin e funksionit", tha Fatmir Xhafaj, deputet i PS. Si ish kryetari i komisionit bipartizan për kodin zgjedhor, Xhafaj, e sheh ende të mundshme ndërhyrjen në këtë ligj. Ai kujton në këtë rast se manovrime të tilla në kodin elektoral, në të shkuarën janë bërë dhe 35 ditë para mbajtjes së tyre. "Unë nuk di që ndërkombëtarët të kenë thënë iku ky afat apo iku ky afat. Nëse ndonjëri nga ata e ka thënë ka bërë gabim. Ata mund të bëjnë gabim dhe mund të mos e njohin ligjin mirë apo mund të mos e njohin praktikën mirë, apo mund të mos i njohin realitetet mirë", tha Xhafaj. Gjithashtu deputeti socialist njofton se PS nuk ka ndërmend të heqë dorë nga komisioneri në KZAZ, i zëvendësuar nga person jo politik. "As zoti Ristani dhe as kërkush tjetër nuk mund ti marr PS atë që i jep ligji", vijoi Xhafaj. Ndonëse pohon se kandidatura e Ramës është e vetmja e artikuluar për Tiranën, Xhafa ia le zyrtarizimin e saj vetë kryetarit dhe forumeve në fundjavë.