Policia e Tiranes: Nuk e dime kush e goditi lojtarin, tifozet e Kukesit e nisen te paret
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Policia e Tiranës ka dalë me versionin e vet zyrtar mbi ngjarjet e ndodhura të enjten mbrëma në ndeshjen e Ligës së Evropës mes Kukësit dhe polakëve të Legia Varshavës.
Në një njoftim për medie, blutë e kryeqytetit thonë se në asnjë moment në fillim, përgjatë dhe në përfundim të takimit nuk është shënuar asnjë lloj incidenti pasi policia ka qenë në gatishmëri të plotë deri në momentin që janë larguar tifozët pas pezullimit të lojës.
“Policia e Tiranës mori masat e duhura për zhvillimin normal të këtij aktiviteti. Nga ana e Komisariateve të Policisë Nr. 1, 2, 3 në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, duke filluar nga ora 17:00 janë marrë masat paraprake lidhur me planizimin dhe vendosjen e efektivëve për çdo komisariat me detyrë dhe pozicionimi në vendet e caktuara për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti”, sqaron policia e kryeqytetit.
“Fillimi i këtij aktiviteti vijoji normalisht - thuhet më tej -, efektivët u pozicionuan në ruajtje të mjedisit përreth dhe brenda stadiumit. Gjatë përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes, tifozët e Kukësit u revoltuan me rezultatin duke e kontestuar atë, dhe të ashpërsuar kanë filluar reagim me tifozët kundërshtarë duke tentuar të afroheshin me tribunën e tifozëve polakë. Në këto momente policia ka shmangur kontaktin fizik duke i rikthyer tifozët e Kukësit në vendet e tyre”.
Lidhur me episodin kyç të përballjes, policia sqaron: “Në minutën e 52-të të ndeshjes së futbollit është parë një lojtar i shtrirë, i cili u shpreh se është goditur nga një send i pacilësuar së çfarë ishte. Drejtimi nga kishte ardhur goditja nuk është përcaktuar, pasi zona në të cilën lojtari u rrëzua ishte pa tifozë. Nga ana e arbitrit u bë ndërprerja e aktivitetit sportiv dhe lojtarët u shoqëruan për në mjedisin e brendshëm nga ana e Policisë pa asnjë problem. Nga ky moment e në vazhdimi nuk është shënuar asnjë incident ndërmjet tifozëve apo hedhje sendesh, ndërkohë që nga ana e përfaqësuesve të futbollit u mor vendimi për pezullimin e ndeshjes”.