Plehrat mbulojne plehrat
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Nga era që po fryn këtu në Itali druaj se plehrat e Napolit do të mbërrijnë edhe në Shqipëri. Ndërsa shikoj qytetin e bukur të Napolit, zhytur në plehrat e veta, pyes veten: si është e mundur që nj ë qytet si Napoli, ku 200 vjet më parë, sanksionon me ligj diferencimin e plehrave, sot ka degraduar nën plehrat e veta?!?
Kur Saviano , më shpjegon se plehrat nën të cilat po vuan Napoli, nuk janë vetëm të napolitanëve por edhe të Italisë së veriut,(Lombardia, Piemonte, Toskana etj), një tjetër pyetje më vjen, kësaj here rrënqethëse; - tani që Napoli nuk mban më, ku do t'i hedhin vallë plehrat që prodhojnë zotërinjtë italianë?
Zoti na ruajt nga kjo mynxyrë v ë që na kërcënon! Para një realiteti kaq të ndotur e të dyshimtë, ndonëse e bërë me zemër, kjo lutje nuk më ngushëllon.
Kur Italia, një vend evropian, i pari në botë për nga pasuria kulturore e artistike, dhe i shtati si potencë ekonomike, tashmë i vetëdijshëm për diferencimin e plehrave, nga veriu në jug, nga më i vogli deri tek më i madhi, nga më i varfëri deri tek më fisniku, veç letrat, veç organiket, veç xhamat e veç veshmbathjet, nuk arrijnë t'i përballojnë në territorin e vet e as duke i eksportuar në vendet e tjera, si ja del vendi im i vockël,
që, jo vetëm nuk e di ç'është diferencimi i plehrave, por shpesh përton të zbresë shkallët dhe i hedh nga dritarja e katit të pestë, madje edhe pa qese.
Kur dëgjoj se plehrat janë një biznes i madh për Kamorrën, (20 miliard euro në vit), më vjen një pyetje malinje; -a thua kamorristët tanë nuk e kanë importuar akoma këtë eksperiencë plehrash në Shqipëri?
Kur dëgjoj që në këtë "afar të madh italian" janë ulur në tavolinë; politikanë, mafioz, administratorë, kamorristë e ndragetistë së bashku për të rënë në ujdi, jo për të pastruar plehrat, por për t'u pasuruar me ta, një tjetër pyetje me sëmbon; - a thua shtetarët e vendit tim të pastër nuk e kanë bërë në këmbë një bisedë të tillë plehrash me leverdi?
Nuk do të çuditesha që marrëzia shqiptare, këtë "afarizëm plehrash" ta justifikonte me kodin e shenjtë të bujarisë, "miku i mirë në ditë të ngushtë e të vështirë, byjrym e mirë se vjen o mik, edhe me plehra!" .
Ndonëse nga një vend jo me famë për mikpritje, Kryeministri i mëparshëm shqiptar, ua ka hap derën plehrave të gjitonëve. Zoti na ruajt nga Kryeministri aktual gjymert ! Derën e ka hapur; në Vlore është prerë shiriti i termotymit e pritet të vihet atomi i parë i nuklearit. E pse jo edhe ca tonelata plehrash kanceroze për fryme? Të kuptohemi; jo se qeveria jonë i do plehrat, por sepse mendojnë se plehrat mbulohen me plehra. Në fakt plehrat nuk pastrohen me plehra por me plehra plehrat pasurohen. Zoti e pastroftë Shqipërinë!
Zoti më ndjeftë për dyshimet "e pa baza" që më lindin por me çka kam lënë në vendthin tim, e me çka kam gjetur këtu, më bën të besoj pak në qeveritë e këtushme dhe të atjeshme.
Zotërinjë qeveritarë të vendit tim; më ndjeni për dyshimet e pyetjet malinje që më vinë, por me ato çka keni bërë e vazhdoni të bëni nën dritën e diellit, e me çka luhet nën plehrat e Napolit, edhe pse sforcohem, nuk arrij t'iu besoj as nga larg. Nuk e di si ia bëjnë ata që keni nën hyqëm? Allahu i ftilloftë!
Ju kërkoj ndjese zotërinjve; kamorristë, ndragetistë e mafios, nëse ka të tillë në Shqipëri. (si këto "të racës" që kultivohen këtu, jam i bindur që nuk ka atje, por kopje bastarde, ka dhe pa hesap, madje edhe ne sferat e larta te shtetit shqiptar. Kur ti sahati do tua them me emër e mbiemër).
Edhe ju, Zotërinj të lartë të qeverisë ju kërkoj ndjesë; mos e merrni si paragjykim piskamën time, por thjesht si paralajmërim. Ajo që më shtynë të jap alarmin, nuk janë faktet e atjeshme, por epidemia e plehrave të këtushëm. Le të jetë ky alarm si një paralajmërim për t'u vaksinuar nga kjo epidemi e zezë, që nuk është thjeshtë "higjenike", por edhe morale e mbi të gjitha politike.
Thonë se Nastradini, sa herë që shpinte të birin për të mbushur ujë te burimi, para se ti jepte shtambën e dheut, i tërhiqte veshin dhe i jepte një flakaresh; hap sytë, mos e thyesh! - e porosite ai të birin.
Ndryshe nga Nastradini, i nënshkruari, nuk ka hallin e "shtambës", pasi e ka qarë me kohë e me vakt, por bërtet nga ankthi mos pjella e prapët i ndot edhe burimin.
Bashkëatdhetar të dashur, ne shqiptarët, ndonëse mburremi se jemi "të penës e të pushkës", madje edhe te shpatës, për të përmirësuar jetën e për të zbukuruar vendin tonë kemi bërë pak ose asgjë në krahasim me ç'kanë bërë njerëzit e qytetërime të tjera. Me këtë nuk dua tu hedh fajin baballarëve e as stërgjyshërve tanë për çka nuk kanë bërë e për çfarë nuk na kanë lënë, por është e pafalshme për ne, të mos dimë të ruajmë çka Zoti na ka falë; -bjeshkë e male, fusha e lumenj e dy dete, në mes të Dheut. Ma mirë me ditë o më mirë me pas? Nëna ime thotë ma mirë me ditë se, edhe me pas, një i paditun, e çon dam.