e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Pese qytete shqiptare festojne diten kombetare te Greqise

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Pese qytete shqiptare festojne diten kombetare te Greqise
Pesë qytete shqiptare do të festojnë 28 tetorin, festën kombëtare greke, që shënon përvjetorin e refuzimit grek ndaj ultimatumit italian për të hyrë në Greqi pa hasur rezistencë. 28 tetori i vitit 1940 njihet si dita e 'JO'-së, ditë kur u shënua fillimi i luftës italo-greke. Qytetet si Gjirokastra, Korça, Himara, Saranda dhe Përmeti do bëhen pjesë e festimeve të 28 tetorit.

Që atëherë, përvjetorët e kësaj dite festohen në Greqi si festë kombëtare. Këtë vit, në 72-vjetorin e kësaj dite, në mbarë Greqinë janë programuar festime, por një program i qartë është hartuar edhe për festimet në Shqipëri, në Gjirokastër, Përmet, Sarandë, Korçë e Himarë.

Nën kujdesin e Konsullatës së përgjithshme greke në Gjirokastër, festimet do të mbahen në Vuliarat dhe Këlcyrë, në bashkëpunim me krahinën e Dropullit.

Në Vuliarat, të dielën më 28 tetor, pas Liturgjisë Hyjnore në Kishën e Shën Athanasit, do të kryhet një shërbim përkujtimor në Kishën e Shenjtë, duke respektuar të rënët me një minutë heshtje dhe kurora.  Një përkujtimore ditën e diel do të zhvillohet edhe në Manastirin e Shën Nikollës, në Këlcyrë të Përmetit. Pritet që ambasadori i Greqisë në Tiranë të vendosë këtu, një kurorë me lule.

Ndërkohë në Korçë, festimet do të kryhen të shtunën, 27 tetor 2012, nën patronazhin e Konsullatës Greke në këtë qytet. Festimet do të fillojnë me një meshë falënderimi në Kishën e Shën Marisë dhe do të vazhdojnë me vendosjen e kurorave me lule, në memorialin e luftës në fshatin Boboshticë.

Edhe Himara është pjesë e festimeve për përvjetorin e 'JO'-së, festime që do të jenë të kombinuara me ngjarjet e 100 viteve të çlirimit të Himarës nga turqit (1912). Një ceremoni do të zhvillohet sot, në Kishën e Gjithë Shenjtorëve. Në Sarandë festimet zhvillohen në Kinemanë e Sarandës me shkollën greke dhe shkollat e tjera të qytetit, një ngjarje artistike me këngë dhe recitime të poezive dedikuar për përvjetorin e "JO"-së.