e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Berisha: FMN po kontribuon ne perhapjen e krizes, leku monedha me stabel ne Evrope

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Berisha: FMN po kontribuon ne perhapjen e krizes, leku monedha me stabel ne Evrope
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë konferencës për 10-vjetorin e politikës monetare në Shqipëri, është shprehur se BSH ka mision themelor stabilitetin monetar në vend. Në këtë prizëm Berisha tha se, leku është një nga monedhat më të qëndrueshme.

“Në 18 vite, leku është një nga monedhat më stabël të Evropës dhe më gjerë. BSH është shndërruar në një katalizator të zhvillimit të sistemit bankar në Shqipëri”, u shpreh kreu i qeverisë.

Sipas Berishës, pavarësia e Shqipërisë, nis me krijimin e monedhës shqiptare. Kreu i qeverisë më tej foli për krizën financiare botërore, ku veçoi se sistemi bankar i Shqipërisë, “nuk shkau për asnjë moment”.

Kryeministri i Shqipërisë tha më tej se faktori i pllakosjes së eurozonës nga kriza, “është nga efekti i globalizmit apo me fjalë të tjera kompetetiviteti i injoruar”. Ai shtoi se kriza do të jetë e gjatë pasi ende nuk po adresohen hapat e duhura për zgjidhjen e problemeve. Berisha në këtë kuadër tha se, Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk po mbështet vendet në zhvillim.

“Një takim u bë në Tokio por të reja nuk dëgjuam. Guvernatori i Kinës më tha se i kishte dhënë FMN-së 100 miliardë dollarë dhe asnjë dollar investim nuk kishte përfunduar tek vendet në zhvillim, të tëra në vendet e zhvilluara. Në rast se ecim në këtë mënyrë është jashtëzakonisht i pashmangshëm kontributi në përhapjen e krizës ndaj dhe thirrja ime për bankat shqiptare është që të bëjnë gjithçka në mënyrë që të nxisim rritjen ekonomike”, u shpreh kryeministri.

Berisha tha se sistemi kapitalist është sot më i fuqishëm se kurrë më parë, por disa nga motorët kryesore të sistemit kanë vështirësi dhe probleme serioze. Ai kërkoi që ky përvjetor të shihet si një stacion për të vështruar drejtë një horizonti të ri. “Shqipëria ka nevojë për një horizont të ri të sistemit bankar. U bëj thirrje bankave të vendit të marrin të gjitha masat për të ridimensinuar produktin dhe shërbimet në këtë vend. Tani koha është për një etapë të re”, tha Berisha.

Ndërsa Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në fjalën e tij u shpreh se, BSH do të bëjë përpjekje për vazhdimin e suksesit dhe për këtë tha se i duhet dhënë një dimension të ri bashkëpunimit rajonal. Sipas Fullanit, “duke vlerësuar të shkuarën, duhen marrë aksione të reja për të ardhme”. “Eksperienca e krizës”, - tha ai -, “tregoi se vendet që kishin më shumë hapësirë për veprim në formën e sistemit financiar ishin në gjendje të përballonin më mirë pasojat e krizës”, duke shtuar se një ndër shembujt ishte edhe Shqipëria.

Shekulli Online/F.Stafa