e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Perplasja Topi-Berisha per te zemrat e ish te perndjekurve (Analiza)

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Perplasja Topi-Berisha per te zemrat e ish te perndjekurve (Analiza)
Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe Partia Demokratike e udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha shkëmbyen replika të ashpra në distancë gjatë ditës së sotme duke përdorur temën e antikomunizmit dhe dëmshpërblimit të ish të persekutuarve politikë në përpjekje për të fituar zemrat e kësaj pjese të shqiptarëve, të cilët mund të marrin rëndësi vendimtare në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Presidenti Topi, mandati i të cilit mbaron pas pak muajsh, vizitoi fshatin Kolesian të Kukësit sot për të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore me rastin e 100 vjetorit të hapjes së një shkolle të gjuhës shqipe. Ai dha një dekoratë për shkollën. Por ofroi edhe komente agresive dhe të pazakonta për të në drejtim të kryeministrit Berisha dhe kreut të komisionit parlamentar të ligjeve Ilir Rusmajli.

“Ju e dini që njeriu që akuzon duhet të japë shpjegime për polifotot me anëtarët e Byrosë Politike të kohës së diktaturës dhe është gati-gati ironike dhe një hipokrizi e papranueshme që në krye të Komisionit të Ligjeve, aty ku certifikohen ligjet edhe për të përndjekurit, është pasardhësi i një personazhi të nomenklaturës së lartë të kohës së diktaturës”, tha Topi duke iu referuar njëkohësisht fotove të kryeministrit Berisha me anëtarët e familjes së diktatorit Hoxha si dhe kreut të komisionit parlamentar të ligjeve Ilir Rusmajli.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha mbajti një fjalim tjetër në lidhje me ish të përndjekurit, ku premtoi vijimin e pagimit të dëmshpërblimeve dhe zgjerimin e numrit të përfituesve.
“E vërteta e padiskutueshme dhe e dokumentuar qartësisht – tha Kryeministri - është se spitalet  psikiatrike të Elbasanit dhe Vlorës u përdorën njëkohësisht si burgje për kundërshtarët politikë dhe u ndrynë me qindra qytetarë vetëm se ata shprehën pikëpamjet e tyre kundër regjimit,” – tha Berisha.

Ndërkohë, Partia Demokratike lëshoi pak orë më vonë një deklaratë përmes deputetit Edi Paloka.
“Ne 8 maj 2011, Edi Ramen e votove për shkak te pronareve te ligjshëm te Tiranës, ne trojet e se cilëve po ngrenë sarajet Koçoja, Besoja dhe Fideli, e te tjere “tironca te vjetër”....? Apo e votove kryetarin e partisë se Enver Hoxhës, (partisë se persekutorëve qe dekretove për katër vjet ne krye te prokurorisë e gjyqësorit), për te përmbushur një amanet te te përndjekurve politike.....? Ne fakt ky është Kamxhiku Edi Ramës. Njeriu që përdhos çdo ditë institucionin e Presidentit,” tha Paloka.
Strategjia e Berishës kundër Topit është përqendruar te sulmi mbi kredencialet e presidentit si antikomunist.

Ndërkohë, vetë ish-të përndjekurit, të cilët nuk kanë qenë kurrë një forcë kompakte në politikën shqiptare dhe përfaqësohen nga një dyzinë shoqatash të ndryshme, duket se kanë humbur besimin te e gjithë klasa politike, përfshirë edhe vetë presidentin Topi, i cili ka simbolizuar gjithmonë popullsinë e konsideruar si të deklasuar gjatë periudhës komuniste.

Gjergj Ndreca, ish i persekutuari që rroku vëmendjen e medias gjatë ditëve të fundit përmes sulmeve fizike e verbale ndaj disa politikanëve, e cilësoi presidentin Topi si një figurë që jep dekorata pa vlerë.

“Bamir Topi ka filluar tashmë fushatën elektorale “një dekoratë-një votë”, vetëm duhet ta dijë se taktika që po ndjek, është fyese për gjakun e mijëra shqiptarëve që vdiqën nga diktatura,” tha Ndreca në një intervistë për gazetën Panorama.

Megjithëse të përçarë dhe të lodhur nga pritja 22 vjeçare për një dëmshpërblim financiar, sërish ish të persekutuarit mbeten votues. Dhe me sistemin aktual elektoral, disa qindra vota mund të përcaktojnë nëse një parti e vogël merr asnjë, një apo tri mandate deputetësh në qarkun e Tiranës.

Në këtë kontekst, gara mes Berishës dhe Topit për të fituar zemrat e ish të persekutuarve, merr një rëndësi të dorës së parë.