e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Përmeti: Partizani ta ketë për nder që na ndjek, Vata ziliqar

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Përmeti: Partizani ta ketë për nder që na ndjek, Vata ziliqar

Ilirjan Përmeti ka replika dhe përgjigje për të gjithë. Polemikat e fundit kanë detyruar drejtorin e klubit që të sqarojë shumëçka dhe gjithkënd mbi çështjet e ngritura rishtas në kampin korçar.ilirian permeti Rasti i parë që ai preku ishte "Shkëmbi", teksa sqaroi se nuk ka asgjë personale, thjesht futbolli nuk është i përjetshëm dhe ata po mundohen që të gjejnë zëvendësuesin ideal të kapitenit.

Për Shkëmbin... "Kam ndjekur me vëmendje të gjitha diskutimet që janë bërë në media për çështjen e Bledi Shkëmbit. Duhet të jeni të qartë se nuk ka asgjë personale. Ne jemi shumë krenarë që kemi një kapiten si ai, që ka fituar pesë tituj dhe ka dhënë shumë për Skënderbeun.

Megjithatë, koha ikën dhe asgjë nuk zgjat përjetësisht. Problemi jonë është të gjejmë një zëvendësues ideal të Shkëmbit dhe kjo nuk është e lehtë dhe respektojmë kapitenin maksimalisht. Nuk më ka pëlqyer fakti që kjo është bërë çështje në media dhe vazhdimisht është ngacmuar. Nuk është mirë që punët e një familjeje të madhe si Skënderbeu të dalin jashtë ekipit" tha për kapitenin, drejtori ekzekutiv i korçarëve.

Për Dervishin... Më pas, ai komentoi edhe "thumbat" e njëpasnjëshme të homologut të tij të Partizanit, Dritan Dervishit, duke i cilësuar joserioze. "I kam ndjekur vazhdimisht deklaratat e Dervishit dhe nuk më duken aq fort serioze, sidomos për një ekip si Partizani.

Kur je pjesë e këtij ekipi të madh dhe me emër, nuk është e hijshme të bësh deklarata të tilla që nuk përkojnë me lartësinë e klubit në të cilin punon. Unë e kam mik Dervishin dhe si i tillë i them që m'u dukën sulme të kota fjalët e tij në media.

Për mendimin tim, Partizani duhet ta ketë për nder që luan me një ekip që ka bërë histori në Europë dhe për nder që është në luftë për titull me Skënderbeun. Megjithatë, ne jemi klub mjaft tolerant dhe për këtë arsye nuk duam të merremi me punët e klubeve të tjera. Jemi të bindur dhe problemin e kërkojmë gjithmonë te vetja duke qenë kështu jemi të suksesshëm", tha për çështjen "Dervishi", drejtori i klubit bardhekuq.

Për Vatën... Ndalesa e fundit e Përmetit shkon për Rudi Vatën, që e cilëson si një politikan që kërkon të "varrosë" futbollin. "Sikundër ka thënë edhe Konica: 'Shqipërinë e krijoi Zoti, e shpëtoi rastësia dhe po e varrosin politikanët', ashtu më duket edhe qëndrimi i Vatës në këtë mes, si një politikan që kërkon të "varrosë" futbollin Shqiptar.

Nuk m'u duk e udhës gjithë ajo kundërvënie për një ekip që ka filluar të ndjekë një rrugë të mirë për t'u bashkuar në elitën europiane, dhe Vata të bëjë një koment përçmues për Skënderbeun. Nuk duhet të jetë aq ziliqar për arritjet e Skënderbeut, por të mund të kontribuojë për të mirën e futbollit shqiptar dhe jo në të kundërt.

Sa për informacion, ne jemi në një rrugë të mbarë dhe gjithçka e kemi konform rregullave, ndërsa Sëlltikun e kemi arritur në vazo tashmë. I them Vatës se lakmia jonë është që një ditë të luajmë kundër Bajernit të Mynihut dhe jo kundër Sëlltikut të Vatës, që është një objektiv lehtësisht i arritshëm për ne, për vetë faktin se jemi në një vazo", përfundoi drejtori i klubit, Ilirjan Përmeti.