Pele zgjedh Messin para Ronaldos

Pele zgjedh Messin para Ronaldos

Messi apo Ronaldo. I ftuar nga New York Cosmos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, legjenda Pele foli për të gjitha, për aktualitetin e futbollit, çfarë ndodhi në Botërorin e Brazilit, por pa iu shmangur pyetjes se kush është më i miri sot për sot.

“Nuk është se më pëlqen Messi më shumë se Cristiano. Kur më pyesin, gjithmonë them se nuk mund të bëj një krahasim. Cristiano është një lojtar i shkëlqyer, më i avancuar dhe një golashënues i vërtet. Messi gjithashtu shënon, por luan edhe prapa. Në ekipin tim, të dy do të ishin të rëndësishëm, por nëse do të zgjidhja njërin prej tyre, ai do të ishte Messi”.

Neymar, Xavi e Iniesta. Ikona e Brazilit komentoi në vazhdim edhe katastrofën e Selecaos Kupës së Botës.

“Neymar po arrin nivelin e më të mirëve. Nuk mund të ketë shkollë më të mirë për të, nisur nga fakti që ai luan në një skuadër me lojtarë të mëdhenj, siç janë Xavi e Iniesta. Për të parin mund të them se është një futbollist i jashtëzakonshëm, por me Iniestan në krah, gjithçka bëhet më e lehtë. Për Botërorin nuk di çfarë të them. 7 golat e pësuar nga Gjermania janë diçka që vetëm Zoti mund ta shpjegojë. Ky Botëror për brazilianët ishte një katastrofë”.

I ftuar si president nderi i New York Cosmos, Pele në fund theksoi se klubi amerikan vazhdon traditën duke patur në radhët e tij lojtarë të mëdhenj dhe këtu e kishte fjalën për spanjollin Raul Gonzalez./SuperSport


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama