e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Partizani rikthehet me fitore ne Superiore

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani rikthehet me fitore ne Superiore

Ka qenë plot surpriza dita e parë e Kategorisë Superiore të futbollit, që ka nisur dje me tri ndeshje të luajtura në Kavajë, Krujë dhe Shkodër. Takimet e nisura me një minutë heshtje, në nderim të kujtimit të ish-trajnerit Artan Bushati, kanë sjellë fitoren e dy skuadrave udhëtuese dhe një përmbysje rezultati në fund të lojës.

Pas katër viteve mungesë në Kategorinë Superiore, Partizani rikthehet në elitën e futbollit shqiptar me petkun e skuadrës që ka koleksionuar 15 tituj kampionë, duke fituar 2-0 në Krujë me Kastriotin vendas. Prezantimi i të kuqve në këtë kampionat pritej me shumë interes, për faktin se skuadra që drejtohet nga Hasan Lika është formuar nga e para gjatë verës, ku bërthamën e përbëjnë ish-futbollistët e Prishtinës. Kastrioti duket e kishte nënvlerësuar Partizanin, që i vendosur mirë në fazën mbrojtëse, synonte goditjen nëpërmjet kundërsulmit.

Në minutën e 25–të të pjesës së parë, Hyshmeri shtyu drejt portës një top të goditur nga Krasniqi, duke entuziazmuar tifozët e kuq, që kishin udhëtuar drejt Krujës. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Partizanit, që e nisi fraksionin e dytë i vendosur mirë në gjysmëfushën e tij, për të mos pësuar gol. Në minutën e 50, pas një aksioni pa shumë pretendime, Artan Demiri u dha avantazhin e dyfishtë të kuqve, që e mbrojtën me fanatizëm rezultatin deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Jorgji. Një start perfekt i formacionit të Likës, që gjithsesi ka shumë punë për të bërë në arritjen e objektivave sezonalë.

Ndërsa në Durrës, Teuta arriti një fitore me përmbysje në takimin e parë sezonal ndaj Bylisit, duke marrë tri pikë me mjaft vlerë përballë një kundërshtari që tregoi se do të jetë një kockë e fortë edhe në këtë kampionat. Skuadra e Gugash Maganit u shfaq apatike dhe e qartë në ndërtimin e lojës gjatë 45 minutave të para, aq sa munguan rastet në portën e Haxhos. Ballshiotët iu afruan golit që në minutën e 17, madje pretenduan një 11-metërsh, që u konsiderua ndërhyrje e rregullt nga gjyqtari kryesor. Bekim Kuli ishte rreziku permanent në portën e Teutës, por kavajasi do të shfaqej me gjithë klasin e tij në fund të pjesës së parë, pikërisht në minutën e 43, me një goditje me të brendshmen, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit Rizvani.

Teuta u mundua të reagonte në fillimin e pjesës së dytë, por sërish durrsakët u shfaqën të paqartë në fazën sulmuese. Gjithsesi, Daniel Xhafa pati një mundësi të mirë në minutën e 55 pas krosimit të Ahmatajt, por sulmuesi vlonjat u vonua në gjuajtje. Presioni i djemve të detit erdhi duke u rritur derisa në minutën e 70, pas tentativës së pasuksesshme të Muriqit, aksioni u vijua nga e majta me Dostin që krosoi në qendër për Xhafajn, por topi shkoi në këmbët e Ahmatajt, që prirët me portën barazoi rezultatin. Ky gol e çliroi psikologjikisht Teutën, por rastin e radhës të pastër e pati Segun i Bylisit, që përballë Rizvanit goditi keq. Pas këtij rasti të humbur nga ballshiotët përfitoi Daniel Xhafa, i cili i dha një trajektore të bukur topit me kokë, për t’i dhënë Teutës tri pikët e para në këtë start kampionati.

Në ndeshjen tjetër të ditës së parë të Superligës, kuqeblutë e Shkodrës janë mundur në shtëpinë e tyre 1-0 nga Flamurtari. Goli për vlonjatët u shënua nga Taulant Kuqi, në minutën e 32-të të takimit.