e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Partizani mposht Skenderbeun 2-1

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani mposht Skenderbeun 2-1

Skënderbeu ka pësuar humbjen e dytë brenda 4 ditësh, pasi është mposhtur në kryeqytet nga Partizani me rezultat 2-1. Partizani kryeson me tre pikë më shumë se korçarët që zbresin në vend të dytë.  Salihi realizoi një gol spektakolar, ku në minutën e 8 i dha epërsinë korçarëve me një gol.

Por, Partizani nuk u dorëzua dhe në minutën e 23, mbrojtësi gëzim Krasniqi barazoi rezultatin 1-1 me një gol të shënuar me kokë e këmbë bashkë. Kur luhej minuta e 34-t, një tjetër mbrojtës, kësaj radhe Labinot Ibrahimi me një goditje të fuqishme në hyrje të zonës i dha epërsinë Partizanit.

Në minutën e 55-të, Olayinka në përpjekje për të goditur portën goditi Hoxhën, me futbollistët e Partizanit që iu hakërryen atij. Në të 70-n, të kuqtë rrezikuan dhe me Plakun, por shanset më të mira do t’i kishte Skënderbeu.

Katër minuta më pas Jashanica nuk përsëriti dot mbrëmjen e Lisbonës, këtë herë duke i mohuar vetes një gol të sigurt, ndërsa në të 77-n, shpresat e korçarëve u përplasën në shtyllë, me Latifin që nuk mposhti Hoxhën për çështje centimetrash.