Paqe ne Milan-Barca, Dortmundi ndal Arsenalin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndeshjet e treta të fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve kanë dhënë disa sinjale të rëndësishme të skuadrave, të cilat luftojnë jo vetëm për të kaluar në fazën tjetër, por edhe për të siguruar kreun e grupit në të cilin marrin pjesë.
Çelsi më në fund ka marrë kontrollin e grupit E, falë një suksesi të rëndësishëm 3-0 në transfertë përballë Shalkes. Në fakt, rezultati nuk i përgjigjet shumë asaj që është shfaqur në fushën e lojës, ku skuadra gjermane ka dominuar. Por ekipi i Murinjos gjeti shpejt golin e avantazhit me anë të Torres, për të goditur përsëri me dy kundërsulme në pjesën e dytë dhe për të marrë këtë rezultat shumë të rëndësishëm. Ndërkohë, Bazeli nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në transfertë ndaj Steauas, duke humbur një mundësi të mirë për të qëndruar në të njëjtën kuotë pikësh me dy ekipet kryesuese të grupit.
Grupi F, i ashtuquajturi “grupi i vdekjes”, është kthyer përsëri në një mishmash të paparashikueshëm ku duket se kualifikimi i mëtejshëm do të zgjidhet vetëm nga golavarazhi mes ekipeve që janë thuajse të barabarta. Këtë fakt e vërteton më së miri fitorja në transfertë e Borusia Dortmund në fushën e Arsenalit, edhe pse anglezët prodhuan më shumë lojë. Skuadra e Klop, i cili për vete ndiqte ndeshjen nga tribuna VIP për shkak të pezullimit të UEFA-s, është treguar e aftë të ndëshkojë kundërshtarët me çdo rast që i është shfaqur, ndërsa ka mbrojtur me rregull para katërkëndorit të Vaidenfeler. Ky rezultat, i kombinuar me suksesin e Napolit ndaj Olimpik Marsejës, ka bërë që në këtë grup, pas tri ndeshjeve të para, të ketë 3 skuadra në kuotën e 6 pikëve, me vetëm golavarazhin direkt që teorikisht, në këto momente, kalon Arsenalin dhe Borusia Dortmund.
Rezultatet e ndeshjeve të Grupit G kanë konfirmuar si superfuqi skuadrën e Atletiko Madrid, e cila me një fitore të lehtë 3-0 ndaj Austria Vjenës është ngjitur në kuotën e 9 pikëve. Puna e spanjollëve thjeshtohet edhe më shumë nga fakti se skuadra që shihej si rivalja kryesore, Porto, është mundur në fushën e vet nga Zenit dhe tashmë rrezikon seriozisht që të mos kualifikohet në fazën tjetër të turneut. Ekipi rus ka qenë edhe me fat, pasi portugezët u ndëshkuan me karton të kuq që në minutat e para të ndeshjes, ndërsa pësuan golin e vetëm të kësaj sfide në momentin më të mirë të tyre.
Supersfida tjetër e ditës së djeshme ka qenë ajo mes Milanit dhe Barcelonës, e përfunduar në barazim 1-1. Italianët, ndonëse me probleme të shumta, kanë arritur përsëri të dhurojnë një ndeshje të madhe ndaj katalanasve, duke arritur edhe të kalojnë të parët në avantazh me anë të Robinjos pas një fillimi të jashtëzakonshëm të ndeshjes. Por i zakonshmi Lionel Mesi ka vendosur baraspeshën pas një “vallëzimi” mes mbrojtësve kundërshtarë në minutën e 24-t, ndërsa në vazhdimin e takimit, të dy ekipet kanë krijuar raste, por pa arritur t’i konkretizojnë ato. Grupi kryesohet nga Barcelona, me Milanin që është kandidat për vendin e dytë, edhe pse fitorja e Sëlltikut ndaj Ajaksit ka kthyer skocezët në garë dhe mund t’i hapë telashe ekipit italian.
Liga e Kampioneve
Grupi E
Steaua B.-Bazel 1-1
88’ Tatu / 48’ Diaz
Shalke-Çelsi 0-3
5’, 68’ Torres, 87’ Hazard
Renditja: Çelsi 6 pikë, Shalke 6, Bazel 4, Steaua B. 4.
Grupi F
Arsenal-B. Dortmund 1-2
41’ Zhiru / 16’ Mkhitarian, 82’ Levandovski
O. Marsejë-Napoli 1-2
86’ Ajeu / 42’ Kajehon, 67’ Zapata
Renditja: Arsenal 6 pikë, B. Dortmund 6, Napoli 6, O. Marsejë 0.
Grupi G
Porto-Zenit 0-1
85’ Kerzhakov
A. Vjenë-A. Madrid 0-3
8’ Garsia, 20’, 53’ Diego Kosta
Renditja: A. Madrid 9 pikë, Zenit 4, Porto 3, A. Vjenë 1.
Grupi H
Sëlltik-Ajaks 2-1
45’ (p) Forrest, 54’ Kajal / 90’+4’ Shëne
Milan-Barcelona 1-1
9’ Robinjo / 24’ Mesi
Renditja: Barcelona 7 pikë, Milan 5, Sëlltik 3, Ajaks 1.
Sot
Grupi A
B. Leverkusen-Sh. Donjetsk
M. Junajtid-R. Sociedad
Grupi B
R. Madrid-Juventus
Gallatasaraj-Kopenhagë
Grupi C
Anderleht-PSZH
Benfika-Olimpiakos
Grupi D
CSKA Moskë-M. Siti
B. Mynih-V. Plzen