e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Papandreu, biznesit gjerman: Na ndihmoni

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Papandreu, biznesit gjerman: Na ndihmoni
Kryeministri i Greqisë, Papandreu, u ka bërë një kërkesë drejtuesve të biznesit gjerman në lidhje me ndihmën ndaj vendit të tij. Sipas Kryeministrit, ndihma financiare gjermane nuk do të jetë një investim në dështimet e së shkuarës, por një investim në suksesin e së ardhmes. Ai gjithashtu e përshëndeti Greqinë dhe përpjekjen e saj supernatyrore për të ulur borxhin e lartë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e siguroi Greqinë për mbështetje në përballimin e krizës së borxheve. Në kongresin e Shoqatës Federale të Industrisë Gjermane në Berlin, Merkeli tha në prani të Kryeministrit grek, Jorgos Papandreu, se Gjermania do të vërë në dispozicion atë ndihmë që është e nevojshme.

Ajo ka respekt për reformat e deritashme të Greqisë së zhytur në borxhe. Papandreu tha se Greqia do t’u përmbahet premtimeve të saj për të marrë këstin tjetër të kredisë nga europianët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndërkohë, qeveria gjermane dha siguri se nuk planifikon një zgjerim të ri të ombrellës së shpëtimit të euros.

Ndërkohë, Kancelarja Merkel kërkoi që Bashkimi Europian të ketë kompetenca të gjera për ndërhyrje në buxhetet kombëtare të shteteve anëtare të euros, të cilat nuk u përmbahen rregullave të paktit të stabilitetit të BE-së. Merkel, e cila është edhe kryetare e Unionit Kristiandemokrat, tha në një tubim të partisë në Karlsruhe, se ajo do të luftojë që të jetë e mundur për të vepruar kundër mëkatarëve të njohur botërisht të deficitit. Buxhetet e tyre duhet të shpallen të pavlefshme, përndryshe nuk do të mund të kapërcehet kriza aktuale e borxheve dhe e monedhës, tha Merkel. Qeveria japoneze është në parim e gatshme që të marrë pjesë në rimëkëmbjen financiare të Greqisë. Megjithatë kusht për këtë është një model shpëtimi i europianëve, që do të qetësonte tregjet, tha ministri japonez i Financave, Jun Azumi, në Tokio. Që javën e kaluar para fillimit të takimit të G20-s në Uashington, Azumi u kishte premtuar vendeve të BE-së ndihmë në luftimin e krizës së borxheve.