Panathinaikosi sfidon Hamburgun per Lilen!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Andi Lila në merkato. E teksa stërvitet me Skënderbeun në “Tropikal”, mbrojtësi i Kombëtares, i ka sytë dhe veshët… jashtë Shqipërisë. Ofertat për të zyrtare ende s’kanë ardhur, por kontakte ka pasur dhe shumë madje. Pas gjashtë muajsh të shkëlqyer tek Parma, ku ka lënë gjurmë në një klub që po shkonte drejt një fundi të hidhur, kavajasi tashmë pret një thirrje nga një skuadër e Serisë A, Gjermanisë, por, së fundmi, edhe në Greqi, vendi ku edhe u rrit profesionalisht (Pas Janina). Eshtë Panathinaikosi ai që interesohet për 26-vjeçarin e Kombëtares, pasi e ka ndjekur vazhdimisht dhe ia di cilësitë, qoftë edhe në kohën kur luante në Janinë.
Edhe Hamburgu ka nisur sondazhet dhe ka pasur kontakte, por ende asgjë konkrete. Gjermanët duan një mbrojtës krahu dhe tek Lila kanë parë idealin, duke qenë se është edhe me parametra zero, teksa në Itali është gjithçka e lidhur me vendin e ekstrakomunitarit për t’u harxhuar. Praktikisht, vetëm nëse deri në fund të gushtit, ndonjë skuadër e Serisë A, do të kishte vende bosh, mund të mendonte tek Lila. Ndërkaq, transferimi i mundshëm tek Panathinaikosi, ka një pengesë ekonomike në mes. Në fakt, kriza që ka prekur Greqinë ka prekur edhe buxhetet dhe investimet e klubeve, ndaj edhe Lila i druhet faktit se mos të ndodhë ajo që ndodhi tek Janina, kur u largua me 4-6 rroga të prapambetura.