Palermo shenjestron dyshen kuqezi Vajushi-Gjasula
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Armando Vajushi dhe Jurgen Gjasula kanë zgjuar interesimin e skuadrës së Palermos, e cila nga sezoni i ri do të garoj në Serie B. Lajmi bëhet i ditur nga faqja italiane palermo24.net, në të cilën thuhet se klubi sicilian është i interesuar për dyshen kuqezi. Vajushi, pas një sezoni të shkëlqyer te skuadra bullgare Litex, është vënë në shitje nga klubi, me qëllim që nga largimi i tij të përfitohet financiarisht. Litex e bleu para një sezoni e gjysmë për 100 mijë euro nga Vllaznia, por tani kërkon minimalisht 500 mijë euro për kartonin e shkodranit.
Ndërsa Gjasula është një lojtar i lirë, pasi më 30 qershor i përfundoi kontrata me Duisburgun. Mesfushori tiranas nuk e rinovoi kontratën, kjo edhe për faktin se me drejtuesit e klubit nuk u gjet një e mesme e përbashkët. Gjasula është edhe në orbitën e skuadrës gjermane të Eintraht Braunshwaigut, e cila sapo është ngjitur në elitën e futbollit të këtij vendi. Tek Palermo është përmendur kohët e fundit edhe transferimi i Erjon Bogdanit, ndërsa pjesë e kësaj skuadre janë edhe Samir Ujkani e Agon Mehmeti.