PSG-ja kërkon Bejlin për të zëvendësuar Ibrahimoviçin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
PSG-ja dhe drejtuesit e saj kanë plane edhe më të mëdha për të ardhmen, prandaj ndërsa pritet që të përshëndesin Zlatan Ibrahimoviçin në fund të këtij sezoni, ata e kanë individualizuar zëvendësuesin e tij të denjë.
Sheiku Naser Al-Khelaifi kërkon të ecë në gjurmët e Realit të Madridit, prandaj edhe disa prej lojtarëve që ai ëndërron luajnë pikërisht në këtë klub.
Por, ndërsa në tre vitet e fundit ata nisën një sulm të frikshëm ndaj Kristiano Ronaldos, transalpinët kanë hequr dorë prej portugezit dhe në pritje të kësaj vere, objektivi i ri është Garet Bejl.
Këtë e konfirmojnë jo vetëm burime pranë klubit me selinë nën kullën "Eifel", por edhe media britanike në kor. Fundja, sulmuesi uellsian nuk është shumë i kënaqur nga aventura e tij në Madrid, e cila ka parë shpesh përplasje me trajnerët, por edhe me yllin e skuadrës, Kristiano Ronaldo.
Prandaj, nëse diçka serioze do të lëvizte në këtë verë, pa dyshim që Garet Bejl do ta vlerësonte seriozisht idenë e një largimi nga "Santiago Bernabeu", për t'u shndërruar në yllin e skuadrës së PSG-së, ku përflitet se e pret e njëjta pagë që fitonte Zlatan Ibrahimoviç, e thënë ndryshe, 15 milionë euro neto në sezon.
Dhe, në të tilla shifra, por edhe me faktin se Reali i Madridit do të arkëtonte nga 80- 90 milionë euro për uellsianin, pa dyshim që transferimi në Madrid nuk duket i pamundur.