e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

'PS te shmange perçarjen dhe te riktheje themeluesit'

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
'PS te shmange perçarjen dhe te riktheje themeluesit'
“Të rindërtohet e Majta e Bashkuar me bosht PSSH-LSI dhe të përcaktohet një formulë e ndershme për aleatët tradicionalë”

Sikur më 8 maj 2011 të ishin zhvilluar zgjedhjet parlamentare, sikur zgjedhësit të votonin në mënyrë të njëjtë si në zgjedhjet vendore dhe sikur taktikat e dy koalicioneve kryesore të ishin po ato që u ndoqën në këto zgjedhje, Aleanca për Qytetarin, e drejtuar nga PD dhe e mbështetur nga LSI, PDIU, PR e të tjera parti të vogla, do të rezultonte përsëri maxhorancë qeverisëse, ndërkohë që Aleanca për të Ardhmen, e drejtuar nga PS, do të vazhdonte të qëndronte në opozitë. Ky është një rezultat jo optimist. Zgjedhjet 2011 përsërisin pothuajse zgjedhjet 2009 në shumë aspekte, sidomos përsa i përket rezultatit zgjedhor. Në të njëjtën mënyrë, 2013-a mund të përsërisë 2011-n dhe 2009-n. Parashikimi duket pesimist për socialistët e thjeshtë, ndërkohë që e Majta e Përçarë, duke qenë në krizë për shkak kryesisht të sjelljeve të lidershipit të saj, nuk ua siguron as fitoren e zgjedhjeve, por minimalisht as mbrojtjen e tyre legjitime. Ç’duhet bërë?

Rezultate jo optimiste në 2011 dhe parashikime pesimiste për 2013…

Llogaritjet e bëra me formulat e sistemit proporcional rajonal dhe duke përdorur votat e fituara nga subjektet zgjedhore në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, tregojnë se në të gjitha kombinimet e mundshme, koalicioni “AQ” fiton më shumë mandate sesa koalicioni “AA”, bile edhe sikur koalicionit “AA” t’i shtohen të gjithë votat e fituara nga të gjitha subjektet e tjera jashtë këtyre dy koalicioneve kryesore. Ndryshe mund të thuhet se nuk rezulton asnjë opsion që AA të mund të siguronte 71 mandate për t’u shndërruar në maxhorancë qeverisëse. Ky përfundim vjen kryesisht ngaqë e majta është e përçarë. Nga kjo mund të arrihet në përfundimin se pa një koalicion të PSSH me LSI, është e pamundur fitorja e opozitës aktuale në vitin 2013, edhe sikur AA të grumbullojë të gjitha votat, përveç atyre që fiton PD dhe LSI me aleatët e tyre, natyrisht me supozimin që Aleanca për Qytetarin nuk pëson ndarje të qenësishme. Të njëjtat përfundime nxirren edhe sikur të merret mesatarja e votave të fituara nga këshilltarët me votat e fituara nga kryetarët e njësive vendore; ky opsion i fundit i mesatares së votave mund të ishte më i pranueshëm dhe më afër realitetit nisur edhe nga fakti që ka një debat lidhur me shifrat e votave që duhen marrë në konsideratë, ato për votat e këshilltarëve apo ato të votave të kryetarëve të njësive vendore. Fillimisht do të jepen rezultatet në katër opsione, bazuar në shifrat e votave të grumbulluara nga këshilltarë të njësive vendore. Këtij parashikimi “pesimist” sugjeroj t’i vihet përballë një projekt alternativ që jep shpresë dhe mundësi për ndryshim e sukses në vitin 2013 nga e Majta e Bashkuar…

Opsioni I: Nga përplasja AQ me AA merret rezultati maksimal…

Fillimisht do të bëhen llogaritjet bazuar në votat e fituara nga secili subjekt zgjedhor më 8 maj 2011 dhe pa bërë asnjë kombinim të mundshëm të tyre. Nga të dhënat e KQZ-së rezulton se AQ fitoi në shkallë kombëtare nga këshilltarët për njësitë vendore mbi 140 mijë vota më shumë sesa AA. Nga llogaritjet për çdo qark me formulën e D’Hondt do të rezultonte se AQ=79 mandate, AA=61 mandate, PBDNJ=0 mandate, LZHK=0 mandate. Në këtë opsion arrihet diferenca më e madhe me 18 mandate midis dy subjekteve zgjedhore, AQ dhe AA.

Opsioni II: AQ përballë kombinimit opozitar “AA plus PBDNJ”….

Nëse ndërtojmë një opsion të dytë, ku AQ do të ishte përballë “bashkimit” të AA me PBDNJ, atëherë diferenca në votat e grumbulluara nga këshilltarët e njësive vendore në shkallë kombëtare do të rezultonte mbi 100 mijë në favor të AQ. Duke kryer llogaritjet e ngjashme, rezulton se AQ=76 mandate, kurse AA+PBDNJ=64 mandate duke arritur kështu një diferencë me 12 mandate midis dy grupimeve kryesore. Ndërkohë që LZHK do të kishte zero mandate. Duket se “bashkimi” i votave të PBDNJ me AA e rrit nga 61 mandate në 64 mandate rezultatin e grupit opozitar, por pa mundur të sigurojë fitoren nga ana e saj të 71 mandateve që mundësojnë fitimin e zgjedhjeve.

Opsioni III: AQ përballë kombinimit “AA plus PBDNJ dhe plus LZHK”…

Nëse për efekt llogaritjesh ndërtohet formalisht një “bashkim” i tri subjekteve, AA, LZHK dhe PBDNJ (ky supozim mund të bëhet po të kemi parasysh edhe krijimin e një partie të re të djathtë me bazë LZHK), atëherë diferenca në vota midis AQ dhe këtij kombinimi do të ishte rreth 80 mijë vota. Duke kryer llogaritjet në këtë rast do të rezultonte se AQ=73 mandate dhe AA+LZHK+PBDNJ=67 mandate. Duhet pasur parasysh se nuk mund të nxirret menjëherë përfundimi se shtimi i LZHK (e cila më 8 maj fitoi 21 mijë vota) në bashkimin AA plus PBDNJ shton numrin e mandateve nga 64 në 67 pra me 3 mandate, sepse ka një arsyetim matematik më kompleks për të shpjeguar këtë efekt. Por edhe në këtë rast aleanca “AQ” rezulton fituese me 73 mandate, me një diferencë prej 6 mandatesh me “bashkimin” e të gjitha forcave të majta e të djathta jashtë AQ.

Opsioni IV: AQ përballë “të gjithëve: socialistë, komunistë, të djathtë etj.” …

Një opsion teorik i mundshëm është që përballë AQ të ndërtohet një “bashkim” i votave të të gjitha subjekteve zgjedhore që morën pjesë në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011: a) AA të drejtuar nga PS; b) LZHK subjekt i djathtë; c) PBDNJ subjekt që përfaqëson kryesisht minoritetet etnike; d) PKSH parti komuniste me rreth 5000 vota në shkallë kombëtare; e) të gjithë të pavarurit që së bashku kanë grumbulluar rreth 11500 vota; dhe f) të gjitha subjektet e tjera të vogla që kanë grumbulluar së bashku rreth 7 mijë vota. Këtë “bashkim” formalisht po e emërtojmë “Të gjithë përveç AQ”. Në realitet, një kombinim i tillë nuk do të ishte shumë realist sepse jo të gjithë të pavarurit janë në opozitë me AQ, dhe jo të gjitha partitë e tjera të vogla mund të rreshtohen me AA. Ky do të ishte opsioni maksimalist i bashkimit opozitar kundër aleancës qeverisëse. Në këtë rast, nga llogaritjet rezulton se AQ ka rreth 57 mijë vota më shumë sesa bashkimi “Të gjithë përveç AQ” dhe në mandate AQ=71 mandate dhe “Të gjithë përveç AQ” = 69 mandate. Pra, edhe në këtë opsion maksimalist, por gati të pamundur, PSSH nuk arrin të sigurojë 71 mandate, pra nuk do të mund të rezultonte fituese dhe të drejtonte maxhorancën qeverisëse.
Mesatarja e votave të këshilltarëve me votat e kryetarëve të njësive vendore…

Aleanca “AQ” ka fituar në zgjedhjet e 8 majit mbi 140 vota më shumë sesa AA, po t’u referohemi votave të fituara nga këshilltarët dhe rreth 33 mijë votave më shumë sesa AA, po t’u referohemi votave të grumbulluara nga kryetarët e zgjedhur dhe kandidatët humbës të njësive vendore. Ekziston një debat midis AQ dhe AA lidhur me pyetjen: se cilat nga votat, “votat e këshilltarëve”, apo “votat e kryetarëve” janë më afër realitetit dhe cila shifër duhet marrë në konsideratë për të bërë parashikime për zgjedhjet e vitit 2013? Duke qenë se përgjigjja e kësaj pyetjeje është komplekse dhe e komplikuar për lexuesin, po paraqes vetëm opsionin e llogaritjeve bazuar më shifrën mesatare të “votave të këshilltarëve” me “votat e kryetarëve” të njësive vendore. Llogaritjet tregojnë në këtë rast se 1) Opsioni I: AQ fituese me 12 mandate më shumë, AQ=76, AA=64, LZHK=0, PBDNJ=0; 2) Opsioni II: AQ fituese me 8 mandate më shumë, AQ=74 mandate, AA+PBDNJ=66 mandate, LZHK=0; 3) Opsioni III: AQ fituese me 4 mandate më shumë, AQ=72 mandate dhe AA+LZHK+PBDNJ=68 mandate; dhe 4) Opsioni IV: AQ fituese me 2 mandate më shumë, AQ=71 mandate dhe “Të gjithë përveç AQ”=69 mandate. Pra edhe në këtë rast llogaritjesh nuk ka asnjë opsion që PS të mund të “ndërtonte” (qoftë edhe formalisht apo teorikisht) një bashkim fitues të maxhorancës.

Në vend të një përfundimi të thjeshtë e të përsëritur…

Nuk është as e re dhe as e paditur që e majta e përçarë ka humbur në zgjedhjet e përgjithshme të 2005-s dhe 2009-s dhe në zgjedhjet vendore të 2011-s. Ky përfundim duket po ashtu se do të mbetet i pandryshueshëm edhe për të ardhmen e afërt, zgjedhjet e vitit 2013, edhe sikur PS të bashkojë rreth vetes së saj jo vetëm aleatët e saj tradicionalë (PDS, PSD, G99 etj.) e PBDNJ, por edhe të djathtët e pakënaqur nga qeverisja aktuale, komunistët dhe të gjithë të pavarurit. Është një përfundim gati unanim i njerëzve me logjikë të ftohtë (përjashtoj të gjithë ata që janë militantë emocionalë, disa nga drejtuesit e partive të vogla që kanë vetëm interesa të bëhen deputetë, pavarësisht nëse e majta vjen në pushtet apo jo, si dhe ata personazhe në PS që bashkimin e së majtës e shikojnë si rrezik të prishjes së marrëdhënieve klienteliste që kanë ndërtuar me lidershipin e PS) se e majta e përçarë, aq më tepër që LSI është në koalicion me PD, nuk do të mund të fitonte zgjedhjet në vitin 2013. Teza e “bashkimit me popullin votues” është jo vetëm naive nëse besohet nga lidershipi, por rezulton më shumë demagogjike për votuesit socialistë, ndërkohë lidershipi mendon se ata po e “gëlltisin” atë, por në realitet çdo ditë e më shumë po e kuptojnë se “pa bashkim të së majtës nuk ka fitore për socialistët në vitin 2013”.

II. Projekt reformimi dhe shprese: Si mund të fitohet në 2013-n?

Parashikimi/analiza e mësipërme përbën vetëm një qasje të thjeshtë dhe përafrim të nivelit të parë për të ndërtuar një strategji elektorale për 2013-n. Natyrisht, PS, përveç problemit prioritar të bashkimit të së majtës, duhet të përballojë disa sfida në funksion të suksesit elektoral në vitin 2013. Më poshtë jepet një “projekt me tri shtylla kryesore: I) Demokratizimi i PS dhe bashkimi i së majtës; II) Zhvillimi ekonomiko-social dhe mirëqeverisja e vendit; III) Reformat për fitimin e statusit të vendit kandidat dhe integrimin e vendit në BE, projekt që do të mundësonte sukses nga e Majta e Bashkuar në vitin 2013. Pikat themelore të këtij projekti, alternativ e gjithëpërfshirës dhe të hapur për diskutim midis të gjithë votuesve dhe mbështetësve të majtë, do të ishin:

I) Demokratizimi i PS dhe bashkimi i së majtës:

1) Forcimi i veprimit institucional e kolegjial për të bërë të mundur eliminimin e drejtimit autoritar e të personalizuar të PSSH; 2) Rivënia në funksionim e veprim i forumeve të Partisë, FRESH dhe Gruas Socialiste; 3) Eliminimi i klientelizmit partiak që ka dëmtuar rëndë sistemin e karrierës dhe ka promovuar mediokritetin; 4) Ngritja e një ekipi të besueshëm, profesional, me eksperiencë e të motivuar për të fituar zgjedhjet e mirëqeverisur vendin, të ndërtuar mbi bazën e kritereve të meritës, kontributeve, eksperiencës dhe kapaciteteve; 5) Afrimi i të gjithë njerëzve me kontribute në PS, që kanë marrë pjesë në krijimin dhe reformimin e PSSH dhe qeverisjet qendrore e vendore, të cilët pas vitit 2005 janë larguar nga PS dhe vazhdojnë të margjinalizohen/shpërfillen nga lidershipi i saj; 6) Pranimi institucional i mendimit ndryshe dhe alternativ për të parandaluar rrjedhjet dhe përçarjen e PSSH; 7) Hartimi i një platforme për rindërtimin e së Majtës së Bashkuar me bosht PSSH-LSI dhe përcaktimin e një formule të ndershme e të qartë për bashkëpunimin me të gjithë aleatët tradicionalë (PSD, PDS, PBDNJ, G99 etj.);

8 ) Rikthimi në traditën e një veprimi të fuqishëm opozitar brendaparlamentar, inteligjent, profesional, konstruktiv dhe etik; 9) Riorganizimi strukturave partiako-elektorale në funksion të përballimit të zgjedhjeve të vitit 2013…

II) Zhvillimi ekonomiko-social dhe Mirëqeverisja e vendit: 10) Ngritja e një ekipi me personalitete politike e profesionale me eksperiencë në PS për hartimin e një programi politiko-qeverisës me fokus zhvillimin ekonomiko-social të vendit në kushtet e krizës globale dhe të përafrimit më kërkesat e BE, forcimin e shtetit ligjor dhe funksionimin e balancuar të institucioneve, realizimin e mirëqeverisjes së vendit në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar etj., si një alternativë qeverisjeje e shprese nga e Majta e Bashkuar.

III) Reformat për integrimin e vendit në BE; 11) Hartimi i një programi afatgjatë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe i një axhende veprimesh afatmesme të orientuara me sinqeritet e frymë bashkëpunimi drejt fitimit të statusit të vendit kandidat në BE; 12) Kryerja në periudhën afatshkurtër me synim marrjen e statusit të vendit kandidat në BE në vitin 2012 e të gjithë reformave të domosdoshme, të tilla si reforma zgjedhore (me urgjencë dhe në respekt të rekomandimeve të OSBE/ODHIR), reforma në Drejtësi, reforma territoriale, reforma administrative, si dhe të gjitha reformat që janë përcaktuar në axhendën e integrimit në BE (12 pikat e Komisionit Europian dhe të tjerat që do të rezultojnë nga reflektimi ndaj raportit të fundit të progresit).