e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

PS: Mos luani me voten

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
PS: Mos luani me voten
Zëdhënësja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli tha të mërkurën se përfaqësuesit e Partisë Demokratike në ZAZ 54 të Njësisë numër 10 në Tiranë, përkatësisht Nënkryetari dhe Sekretari i KZAZ-së, kanë braktisur detyrën duke mos firmosur rezultatin final të shpallur pas përfundimit të proçesit të numërimit në këtë njësi.

“Ky është një tjetër akt i dëshpëruar i Sali Berishës, i cili po përpiqet me çdo kusht të minojë këtë proces zgjedhor dhe fitoren e sigurt në Bashkinë e Tiranës. PS i bën thirrje kujtdo që të mos guxojë të luajë me votën e shqiptarëve, të mos e bëjë këtë. Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të ndalojë së funksionuari si një vegël politike e pushtetit dhe të marrë urgjentisht masa për të siguruar funksionimin e çdo hallkë të procesit të numërimit të votave, duke ndëshkuar përfaqësuesit e Partisë Demokratike që vazhdojnë të përpiqen të sabotojnë procesin”, tha Kodheli.

Përfaqësuesja socialiste tha se vazhdon të numërohet në pjesën më të madhe të Njësive Bashkiake në Tiranë, me përjashtim të Njësisë numër 5, ku procesi i numërimit ecën me ritme tejet të ngadalta, plotësisht jashtë normales, “për shkak të tentativave të vazhdueshme të përfaqësuesve të Partisë Demokratike për ta bllokuar këtë proces”.

“Aktualisht, në momentet që po flasim, në Njësinë numër 5 në Tiranë, janë numëruar vetëm 27 nga 75 qendra votimi dhe Edi Rama kryeson në këtë Njësi, me 2456 vota. I bëjmë thirrje përfaqësuesve të Partisë Demokratike të mos e bllokojnë procesin e numërimit në këtë Njësi, ndërkohë që sigurojmë të gjithë qytetarët e Tiranës se çdo votë e tyre do të numërohet ashtu siç është hedhur në kuti”, tha ajo.