e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

'PD e do Bashen jashte, Topalli permbahet me zor'

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
'PD e do Bashen jashte, Topalli permbahet me zor'
Perceptimet publike se kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha sulmohet edhe nga brenda Partisë Demokratike, po rezultojnë të vërteta. Kabllogrami i datës 12 dhjetor të vitit 2008, i shkruar nga ish-ambasadori amerikan, John Widhers tregon se përgjatë gjykimit që Bashës i bëhej për shpërdorim detyre për rrugën Durrës-Kukës, rivalë të tij politikë shpërndanin në media dokumente ku tregoheshin lidhjet e tij familjare me biznesmenin e dyshimtë boshnjak, Damir Fazlliç. Sipas ish-ambasadorit amerikan, vetë Basha i ka telefonuar i alarmuar ambasadës amerikane për t’i shpjeguar se faktet për lidhjet e tij me Fazlliç i jepeshin mediave nga rivalët e tij brenda PD-së. “Kjo është konfirmuar nga Basha vetë, i cili nëpërmjet një telefonate gati histerike që ka bërë në nëntor me zëvendësambasadoren e SHBA-së, pretendon se faktet e lidhjes së tij familjare me biznesmenin e dyshimtë, Damir Fazlliç vijnë nga rivalët e tij politik në PD”, - thekson Withers në raportin e dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit. Nga ana tjetër, ish-ambasadori citon për këtë çështje këshilltarin diplomatik të Presidentit Bamir Topi, Arben Cicin. Sipas Widhers, Cici i ka thënë një zyrtari të ambasadës amerikane se, Basha nuk duhet të shqetësohet nga opozita, por nga vetë kolegët e tij në Partinë Demokratike, të cilët e duan atë jashtë partisë. Si një nga kundërshtarët më kryesorë të Bashës brenda PD-së shihet kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli.

Në paragrafin titulluar nga Widhers: “Rivalët brenda PD-së ndiejnë erë gjaku”, Topalli shihet një kolege e cila pret me gëzim çdo telash të Bashës. “Telashet e zotit Basha janë komplikuar së tepërmi nga pozicioni në të cilin ndodhet në Partinë Demokratike, me një rivale siç është kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila është duke pritur me gëzim se çfarë mund t’i ndodhë atij”, - theksohet në kabllogram. Po kështu, aty vihet re edhe fakti që Kryeministri Berisha ndihet në siklet nga akuzat që i bëhen Bashës dhe deri në ato momente i kishte bërë vetëm një mbrojtje të vakët figurës së tij. Nga ana tjetër, në raport flitet për padinë që Bashës i është bërë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për çështjen e rrugës Durrës-Kukës, ku theksohet se Basha nuk akuzohet për korrupsion direkt, po për shpërdorimin e detyrës, duke mos reaguar gjatë abuzimeve që janë bërë me këtë vepër infrastrukturore. “Basha nuk është akuzuar për korrupsion të drejtpërdrejtë.

Në vend të kësaj, ai është akuzuar për ‘shpërdorim detyre’ dhe për shkeljen e ‘barazisë në procesin e tenderimit’. Në thelb, Basha është akuzuar se ka neglizhuar dhe keqprezantuar koston e Durrës-Kukës, neglizhencë e cila ka çuar në një abuzim afërsisht 600 milionë euro”, - thekson Widhers, i cili gjithashtu shton se, avokatët e tij e konsiderojnë veprimin e Bashës si pjesë të vendimit që kishte marrë Këshilli i Ministrave për këtë çështje. Në komentin e tij, Widhers thekson se ende nuk dihet se si do të shkojë padia ndaj Bashës, por parashikon që zvarritja e procesit gjyqësor do t’i dobësojë edhe pozitat e tij brenda Partisë Demokratike. “Gjyqi ndaj Bashës do të fillojë me siguri në janar dhe mund të zgjatet për disa muaj. Kjo komplikon kandidimin e Bashës në zgjedhjet e ardhshme elektorale.

Ndërkaq, nuk ka indice se Basha do të japë dorëheqjen ose të pezullojë mandatin deri në përfundimin e gjyqit”, - thekson ish-ambasadori në raportin e tij. Por duket se ish- ambasadori nuk ka pasur fuqi të parashikonte që Basha do të kishte një karrierë edhe më të suksesshme brenda PD-së edhe pas gjyqit për rrugën Durrës-Kukës dhe pas përpjekjeve të rivalëve të tij për ta nxjerrë nga politika. Dy muaj më parë Basha rezultoi se ishte kandidati më i votuar i kryesisë së PD-së, duke marrë një numër rekord votash gjatë zgjedhjeve për këtë forum drejtues të demokratëve.