e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Osmani e Hysa, stervitje me kalamajte, te tjeret gjoba marramendese

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Osmani e Hysa, stervitje me kalamajte, te tjeret gjoba marramendese
-Në Shkodër e pësojnë lojtarët jabanxhinj. Ata janë “armiqtë” e Shkodrës. Ashtu siç pritej sot lojtarët janë njohur me ndëshkimet që duhet të themi kanë qenë shumë të rënda. Edhe pse nuk ka përjashtime, vendimet që janë marrë kanë qenë ekzemplare dhe shumë të rënda për disa nga lojtarët. Tefik Osmani dhe Vilfor Hysa detyrohen që të luajnë me të rinjtë tre muaj. Për të tjerët gjoba nga 20 deri në 50 % të kontratës. Kështu me propozimin e drejtorit sportiv Armir Grima, administratori i klubit Fatos Gjyrezi, duke zbatuar kontratat individuale të sportistëve, ka marrë vendimet e mëposhtme bazuar në statutin e KF Vllaznia sh.a. Në vendime duket qartë se janë ndëshkuar jabanxhinjtë dhe jo shkodranët duke bërë një seleksionim.

Për drejtuesit ndëshkimet ende nuk janë zbardhur. Gjithsesi nga vendimet kuptohet shumë qartë se vendimet kanë qenë shumë të ashpra sidomos për Tefik Osmanin dhe Vilfor Hysën. Të dy lojtarët janë ndëshkuar me minus 45 për qind të kontratës. Të dy lojtarët janë pezulluar tre muaj nga të gjitha aktivitetet. Por ndëshkimi nuk mbaron me kaq sepse të dy lojtarët e ardhur bashkë me Shpëtim Duron në verë për tre muajt në vazhdim si të dënuar do të stërviten me 19-vjeçarët ose ndryshe me kalamajtë. Prej javësh pritej ky vendim dhe ishte aluduar që lojtarët si ndëshkim do të merrnin kalimin tek skuadra e të rinjve, por pas mbledhjes së djeshme që ka qenë një kamuflim për mediet, ndjenja e hakmarrjes së drejtuesve është kthyer, duke prodhuar këto vendime.

Edhe Begaj e Nallbani “armiq”

Në vendimin e djeshëm të administratorit Gjyrezi bënin pjesë edhe dy lojtarë të tjerë jo shkodranë. Halim Begaj dhe Ilir Nallbani. Të dy këta futbollistë të cilët janë ndëshkuar me 35 për qind të kontratës, por gjithsesi nuk e kanë pësuar si dy shokët e tjerë, Hysa dhe Osmani që janë përjashtuar për tre muaj. Pjesa tjetër e skuadrës ia ka hedhur edhe më paq. Vetëm një pagë e gjysmë gjobë dhe të gjithë të lumtur në shtëpi. Vetëm katër lojtarë e kanë pësuar me një ndëshkim ekzemplar.

Trajneri, vendimi enigmë

Një çështje që zien tek Vllaznia është padyshim ajo e stafit teknik. E prekur pak nga vendimi djeshëm, duket se vendimi për trajnerin do të merret më pas. Mesa kuptohet në vështirësi për të shkarkuar trajnerin Shpëtim Duro, sepse duhet të paguajnë paratë një më një, po ndërtohet gjoba në zyrën e administratorit. Ajo pritet të jetë shembullore sa të largojë vetë tiranasin nga Shkodra. Por për këtë pjesë të ndëshkimeve, duhet të presim. Të paktën edhe 48 orë.

Në Vlorë, tani kërkojnë Europën dhe Kupën

Pas shkarkimit të Hulian Rubios në Vlorë vjen një analizë e gjatë për gjendjen e ekipit. Plot dy orë ka zgjatur ky takim ku kryebashkiaku Shpëtim Gjika, kryetari bordit të shoqërisë sportive Ilir Banushi, administratori Geri Çipi dhe drejtori teknik Ardi Behari kanë biseduar dhe diskutuar gjatë me futbollistët duke ridimensionuar objektivat për pjesën e dytë të sezonit. Mësohet se tashmë skuadra si objektiv ka Europën me çdo kusht. Po kështu skuadra duhet të shkojë deri në finalen e Kupës së Shqipërisë. Për momentin nuk ka ndëshkime financiare për lojtarët si dhe do të afrohen të paktën dy futbollistë cilësorë nga merkatoja. Sa për trajnerin, emrat e përfolur janë ata që qarkullojnë por klubi akoma nuk ka marrë një vendim. Trajner provizor do të jetë ndihmësi i Rubio, Driza.

VENDIMET E VLLAZNISË

1.Futbollisti Tefik Osmani të gjobitet me 45% të vlerës së kontratës dhe pezullohet nga të gjitha stërvitjet pranë Ekipit të Pare për një kohëzgjatje 3 (tre mujore) duke filluar nga data 11 dhjetor 2012. Futbollisti Osmani do të vijojë stërvitjen pranë ekipit Vllaznia U-19 nën urdhrat e trajnerit Astrit Prençi.

2. Futbollisti Vilfor Hysa të gjobitet me 45% të vlerës së kontratës dhe pezullohet nga të gjitha stërvitjet pranë Ekipit të Pare për një kohëzgjatje 3 (tre mujore) duke filluar nga data 11 dhjetor 2012. Futbollisti Osmani do të vijojë stërvitjen pranë ekipit Vllaznia U-19 nën urdhrat e trajnerit Astrit Prençi

3.Futbollisti Halim Begaj të gjobitet me 35% të vlerës së kontratës.

4.Futbollisti Ilir Nallbani të gjobitet me 35% të vlerës së kontratës.

5.Futbollistët e tjerë të Ekipit të Pare të Vllaznisë të gjobiten me 1 (një) pagë e gjysmë mujore.

6.Stafi teknik i Ekipit të Parë të Vllaznisë, do të jetë objekt i një vendimmarrje të mëvonshme.