Organizohen ultrasit e Teutës, Rizvani: Nuk zhgënjejmë me Partizanin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kur na ndajnë vetëm 48 orë nga Teuta-Partizani, përgatitje nuk ka vetëm nga ana e ekipit, por edhe prej tifozëve.
Durrsakët po mobilizohen dhe janë duke u organizuar për të qenë sa më të shumtë në stadium. Ata garantojnë spektakël, por njëherësh edhe "fair play".
Disa prej mbështetësve më të zjarrtë të grupimit "Djemtë e Detit" e kanë cilësuar këtë duel si tejet delikat për misionin "Europë", ndaj premtojnë se ata do të jenë në "Niko Dovana" për t'i dhënë zemër formacionit të drejtuar nga Gugash Magani.
"Po përgatitemi për ndeshjen e ditës së diel që kemi kundër Partizanit. Është një duel i vështirë në fushë, por edhe në tribuna, pasi rivaliteti nuk do të mungojë. E dimë që Partizani ka tifozëri të zjarrtë, ndaj edhe ne jemi gati që të kundërpërgjigjemi.
Duke qenë se jemi në shtëpi, na mbetet për detyrë që ta bëjmë ne diktatin. Me tifozët e kuq kemi rivalitet të madh, por gjithnjë i kemi duartrokitur, pavarësisht rezultatit. Shpresojmë që kjo të ndodhë dhe në këtë ndeshje", thanë disa prej tifozëve më të flaktë të Teutës. Rizvani - Kapiteni Bledian Rizvani tregon se po merr masat e duhura që këtë takim ta kalojë me sukses. Për "Panorama Sport" ai evidenton se skuadra është tejet e mobilizuar, pasi e ka të qartë se duhet të marrin pikë.
"Po përgatitem me ritëm dhe moral të lartë për Partizanin. E dimë rëndësinë që ka kjo sfidë dhe, për këtë arsye, na është kërkuar përqendrim dhe shumë punë. E dimë forcën që ka kundërshtari, por ne përgjigjen tonë do ta japim si gjithnjë në fushë dhe jo me fjalë. Këtë gjë kemi bërë në çdo ndeshje, kemi qenë kokulur dhe në fund jemi shpërblyer me rezultate. Fatmirësisht kemi një grup të mirë që punon dhe shikon vetëm të paraqitet mirë për këtë sfidë. Objektivi ynë është vetëm Partizani, asnjëherë nuk mendojmë për më larg", përfundoi portieri i skuadrës durrsake.
Përgatiti: Jeton Rexhmati