e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Opozita pritet te zhvilloje protesta para selise se Kolegjit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Opozita pritet te zhvilloje protesta para selise se Kolegjit
Rruga ligjore e ndjekur nga Partia Socialiste, sidomos pas vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor, duket se është një lëvizje formale dhe plotësuese në detyrimin e saj ndaj procesit në tërësi. Kjo, pasi rrëzimi i kërkesës së saj për vendimin 709 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk ka lënë më asnjë shpresë reale mbi vendimin e radhës së gjykatës, që së fundi është vënë nën akuzën politike të opozitës.

E gjendur në kushtet e përballjes me një drejtësi, të cilën e konsideron të kapur, opozita socialiste po priret të vërë në veprim mekanizmin e reagimit të fortë politik si opsion praktik për të presuar sadopak mbi rrjedhën e gjykimit në Apel. Kështu, burime nga selia rozë bëjnë të ditur se protesta e realizuar në KQZ, në ditët e hapjes së kutive të Tiranës dhe rivlerësimit të fletëve të votimit të gjetura në kutitë e gabuara, mund të vihet në zbatim edhe në momentin që Kolegji do të gjykojë kërkesë padinë e re socialiste që është vendosur në datën 13 qershor.

Edhe pse vetëm një opsion në diskutim, tubimi njerëzor në dyert e gjykatës shërben si paralajmërim për stinën e re politike që po afrohet në vend, në rast se Tirana ndërron duar me anë të akteve juridike në tavolinë. Është ende e paqartë se deri ku do të ndalet reagimi qytetar që mund të organizohet me këtë rast nga PS-ja, por në një analizë të fundit duket se kundërshtimi edhe me këtë formë i një procesi që po devijon shifrat e pretenduara nga PS-ja dhe ato të pasqyruara në tabelat përmbledhëse të rezultateve të Komisioneve të Zonës së Administrimit Zgjedhor të Tiranës, është me vlerë specifike simbolike.

Në një rast të këtillë askush nga palët apo nga monitoruesit nuk mund të pretendojë për një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm, për sa kohë që në njësinë kryesore të vendit kontestimi është jo vetëm i ndërtuar mbi argumente ligjore që po marrin përgjigje të mjegullt dhe jo shteruese, por po ngjiz si alternativë riciklimin e betejës së nisur në vitin 2009. Opsioni i protestave nuk është përjashtuar në asnjë rast nga drejtuesit socialistë, të cilët gjithsesi do të duhet të presin mbledhjen e forumeve partiake për të formuluar një qëndrim konkret dhe të qartë politik.