e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Idrizi: Votat treguan se jemi nje parti kombetare

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Idrizi: Votat treguan se jemi nje parti kombetare
Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, shprehet se rezultati i forcës politike që ai drejton në zgjedhjet lokale të 8 majit ishte spektakolar. Në një intervistë për “Shqip”, Idrizi thekson se ndonëse PDIU kishte afërsisht një vit krijimi, ajo arriti të konfirmohet si partia e tretë politike në qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Sipas tij, ky rezultat unik në historinë e pluralizmit shqiptar ka ardhur falë fushatës pozitive të bërë nga përfaqësuesit e PDIU-së, por edhe nisur nga programi kombëtar që ka në thelb kjo parti. Në këtë kuadër ai thekson se po diskutohet një marrëveshje bashkëpunimi mes PD-së dhe PDIU-së, e cila mund të sjellë një përfaqësim dinjitoz në qeveri si rezultat i arritjeve të kësaj partie edhe në zgjedhjet lokale. Po kështu Idrizi flet edhe për një organizim të madh në Qafëbotë në përkujtim të çamëve, të cilët u dëbuan përmes gjenocidit nga shteti grek.

Si e gjykoni procesin e zgjedhjeve të 8 majit? Cilat ishin hapat përpara dhe mangësitë e tij?

Zgjedhjet e 8 majit treguan edhe një herë se Shqipëria ka të gjithë potencialin për të bërë zgjedhje të lira dhe demokratike, se qytetarët shqiptarë kanë dëshirën që Shqipëria të zhvillojë procese zgjedhore të lira e demokratike dhe se partnerët tanë ndërkombëtarë kanë vullnetin e plotë që të angazhohen seriozisht në këtë proces. Këto zgjedhje treguan se fushata pozitiviste fiton, çka tregon emancipimin e kombit tonë, sikurse nxjerr në pah qartësisht orientimin e kombit tonë. Qytetarët shqiptarë dëgjuan alternativa dhe ditën e votimit, shkuan e votuan, nuk iu errësuan sytë nga flamujt partiakë dhe prodhuan ato që mediatikisht duken si surpriza, por që në realitet prodhojnë mesazh politik. Në të njëjtën mënyrë, këto zgjedhje vërtetuan se Kodi Zgjedhor nuk mund të bëhet më si një mjet për të kontrolluar politikisht zgjedhjet. Ne mund të themi me bindje të plotë se këto zgjedhje treguan se vota e mbrojtur nuk mund të vidhet dhe se vota e pambrojtur mund të tjetërsohet. Në komuna dhe bashki të caktuara, ku vëzhguesit tanë nuk u lejuan të hyjnë në KZAZ, votat e PDIU-së u pakësuan me qëllim, aq sa në qendrën e votimit të kandidatëve tanë në katër komuna, nuk gjendej asnjë votë për PDIU-në. Nga ana tjetër, në të gjitha ato KZAZ ku u lejuan vëzhguesit tanë nuk u vërejtën parregullsi ndaj forcës sonë.

Rasti i Bashkisë së Rrëshenit, ku u çel përpara dy ditësh një kuti nga KQZ-ja, flet qartë: asnjë ndryshim në rezultatin për kryetar bashkie (ku forcat e mëdha kishin numërues e vëzhgues) dhe ndryshime për ato forca që nuk kishin vëzhgues, ndër të cilat edhe PDIU. Vëzhguesit tanë në këtë KZAZ nuk u lejuan dhe rezultoi se forcës sonë iu privuan shumë vota në një qendër të vetme, ndërsa forcave të tjera u ishin shtuar abuzivisht vota. Këtu cenohet demokracia dhe këtu nuk ka të bëjë për kandidatët për kryetarë bashkish, komunash dhe njësive bashkiake, përfshi edhe kandidatët e PDIU-së, fitimtarë apo humbës, që kishin në dispozicion të gjitha mjetet për të mbrojtur votën e tyre, e që vota e tyre nuk është cenuar, por për të gjitha ato parti që nuk u lejuan jo vetëm të kishin numërues, por as vëzhgues për votat, për këshillat e këtyre njësive. Groteske bëhet situata kur në vend që të ankohen partitë që nuk u lejuan të mbrojnë votën e tyre, ankohen vetë padronët e militantëve, të cilët një herë në dy vjet marrin detyrën partiake të numëruesit. Sepse Kodi Zgjedhor, i hartuar dhe miratuar nga të dyja palët, nuk e përcakton detyrën e numërimit të votave dhe administrimit të procesit zgjedhor si një detyrë qytetare, nëpunësish shtetërorë ashtu sikurse ndodh në vende demokratike, por e përcakton si një detyrë partiake militantësh me shkollë të lartë, që të përplasen me njëri-tjetrin për të ruajtur balancat.

Me ndjenjë përgjegjësie për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve nuk dua të përbalt të gjithë procesin. Por si njohës i mirë i sistemeve zgjedhore, dua të propozoj ndryshimin definitiv të këtij sistemi zgjedhor, të këtij administrimi zgjedhor, të kësaj mënyre numërimi që prodhoi skena dramatike në mes të Europës.

Ka ardhur koha e numërimit elektronik. Ka ardhur koha që militantëve partiakë të subjekteve të mëdha t’u gjendet punë e vërtetë dhe jo në komisione si numërues, si vëzhgues, si manipulues zgjedhjesh duke rritur konfliktualitetin politik në vend. Duke qenë se teoritë e balancës së fuqive kanë rënë në Europë, prej luftës së parë botërore, duhet që edhe në Shqipëri klasa politike dhe konkretisht dy partitë e mëdha të lënë mënjanë egot e tyre dhe të bëjnë atë çka i duhet kombit, ta kthejnë procesin e administrimit të zgjedhjeve në një proces dytësor dhe të lënë si proces parësor vetë zgjedhjet.

Zoti Idrizi, a ishin rezultatet e PDIU-së në këto zgjedhje lokale në pritshmërinë e parashikimeve tuaja dhe cilat janë detajet që ju mund të theksoni nga kjo garë për partinë tuaj?

PDIU-ja ka arritur rezultatin më spektakolar të një partie të re në historinë e pluralizmit shqiptar. Në pak më shumë se një vit histori funksionimi si parti politike, ajo arriti të afirmohet si partia e tretë në qytetet më të mëdha të Shqipërisë, si parti e parë në disa bashki dhe komuna, një rezultat surprizë për të gjithë.

Ky rezultat i veçantë ka gjeografi: ai është arritur nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim. Nga Tropoja në Konispol, nga Korça në Durrës. Ky rezultat, në gjerësinë e vet, në thellësinë e vet, siç e demonstrojnë të dhënat që (po paraqiten në monitor) e kapërcen një mit të konsoliduar në gazetarinë e përciptë, se PDIU-ja është parti e çamëve. Ne e kemi për krenari të ligjshme se PDIU-ja ka në themel të sajë historinë e organizatave, apo partive të këtij komuniteti, por ajo që në themelimin e vet e ka bërë të qartë se boshti i programit të saj është çështja kombëtare. Brenda kësaj çështjeje, çështja çame është prioriteti ynë kryesor. Siç tregojnë të dhënat, ne kemi pësuar rritje të jashtëzakonshme në qarqet ku ka komunitet çam, por jemi afirmuar fuqishëm dhe në bashki apo qarqe të tjera. Por dhe nëse do ta merrnim për të mirëqenë mitin e pasaktë se PDIU-ja është thjesht parti çamësh, atëherë ne jemi të lumtur të pohojmë se çështja çame është bërë shumë e dashur për tropojanët, korçarët, librazhdasit, që kanë votuar masivisht për partinë tonë.

Për t’ua ilustruar po ju jap vetëm një të dhënë nga 15 mijë vota që merrte mesatarisht në çdo palë zgjedhje partia që përfaqësonte vetëm interesat e komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë ne arritëm në 65 mijë votues që i besuan një programi kombëtar dhe gjithëpërfshirës dhe nga pikëpamja gjeografike. PDIU-ja është partia e çështjes kombëtare, ku çështja çame është e para në radhë për të zgjidhur, për shkak se ajo ende pikon gjakun e bashkatdhetarëve tanë që u masakruan pse ishin shqiptarë dhe asgjë s’është bërë për zgjidhjen e saj. PDIU theu bipartitizmin e njëzet viteve në Shqipëri, nga njëri skaj i vendit, në Delvinë, ku doli forcë e parë politike, e deri në skajin tjetër në Bajram Curri, ku doli forcë e dytë. PDIU në këto zgjedhje fitoi 65 mijë vota të certifikuara shqiptarësh dhe akoma më shumë vullnete të shprehura. Ne nga rezultatet paraprake kemi mbi 270 këshilltarë në bashki e komuna.

PDIU-ja renditet direkt pas dy partive të mëdha për nga numri i bashkive të fituara, duke administruar katër vitet e ardhshme Librazhdin, Sukthin dhe Rrogozhinën, sikurse me kandidatë fitues edhe në dy komuna në Markat dhe Shushicë. Atashimi rreth PDIU-së i qytetarëve shqiptarë që çështjen kombëtare, ku pa dyshim çështja e shqiptarëve të Çamërisë është primare, e shohin si një detyrë të papërmbushur të përfaqësuesve të sovranit që janë zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë, është një fakt; nga ato faktet kokëfortë që sido që t’i shohësh të nxjerrin në të njëjtin përfundim. Në këto zgjedhje, që ishin zgjedhjet e para ku PDIU mori pjesë, u tregua qartazi se fryma kombëtare i nevojitet skenës politike shqiptare. Ne jemi të kënaqur, sepse në radhët tona u bashkuan patriotë nga çdo cep i Shqipërisë, njerëz të sprovuar dhe të paprovuar, të rinj e të reja, të moshuar, gra dhe burra që nuk premtuan vende pune e as të mira monetare, por që kërkuan votë për flamur dhe për komb. Ne jemi krenarë, se në këto zgjedhje dolëm me parullën “Unë e dua Shqipërinë” dhe me fotografinë e një fëmije, shpresëtarë për të ardhmen, duke kërkuar votën e atyre që nuk ndihen më të kënaqur nga rruga që është çështja kombëtare dhe që duan alternativën e re. Ne jemi krenarë, sepse pa numërues, pa anëtarë komisionesh e shpeshherë pa vëzhgues, arritëm të dalim me këto rezultate, që janë thjesht fillimi i një pune afatgjatë, të një partie që ka treguar se në radhë të parë është kombi dhe dykrenorja.

Gara jonë u bazua në të ardhmen, në ato që duhen bërë, pa fyer askënd, pa i rënë në qafë ndokujt, pa u përplasur me asnjë që nuk na përgojoi dhe duke zhvilluar një fushatë pozitiviste në të gjitha anët e vendit.

Si  e shikoni marrëdhënien pas zgjedhjeve në koalicionin e PDIU-së me PD-në. Sipas jushkush mori dhe kush dha më shumë nga ky bashkëpunim?

Bashkëpunimi me Partinë Demokratike ishte një bashkëpunim korrekt dhe institucional në instancat drejtuese. Në këtë bashkëpunim ne dolëm si konkurrentë në votat popullore dhe si bashkëpunëtorë në votat për ekzekutivin e pushtetit vendor. Kandidatët e propozuar prej nesh fituan në tri bashki, që deri dje drejtoheshin nga e majta, duke kontribuar qenësishëm në bilancin e koalicionit “Aleanca për Qytetarët”. Votat e PDIU-së në thelb janë vendimtare në shumicën e bashkive dhe komunave ku fituan kandidatë të forcave të tjera të koalicionit. Nga ana tjetër, vërejtëm mbështetjen e Partisë Demokratike në shumicën e njësive, ku kandidatët e PDIU-së kandiduan në emër të koalicionit, sikurse patëm mirëkuptimin e drejtuesve të Partisë Demokratike për shqetësimet tona. Fatkeqësisht, ky mirëkuptim nuk u arrit të përcillej me të njëjtin intensitet kudo. Militantët që marrin çdo dy vjet detyrën partiake të numërimit të votave, në shumë herë e panë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet si një forcë prej nga mund të thithej mbështetje për të ndihmuar të afërm personalë, apo edhe më gjerë, që ndodheshin në partitë e tjera. Në këto komuna dhe bashki, ku ky fenomen ka ndodhur, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i nisur mes dy forcave, u zvenit në rang lokal. Sistemi që është ndërtuar për administrimin e votave e ka pjesë të pandashme këtë fenomen, të cilin ne do të bëjmë çmos që ta çrrënjosim, duke nisur nga fajtori, që është sistemi bipolar i administrimit të zgjedhjeve, që i konvenon dy partive kryesore shqiptare, por që nuk i intereson kombit shqiptar.

Cili ishte kontributi real i PDIU-së për kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha?

Besoj se kontributi real për kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, z. Lulzim Basha, ka qenë kohezioni që ne kemi pasur gjatë gjithë fushatës. Z. Basha, ashtu sikurse edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet kanë zhvilluar një fushatë pozitiviste, larg akseseve dhe në emër e për qytetarët shqiptarë, për bashkëkombësit tanë. Kjo ndërthurje e dy fushatave pozitiviste besoj se ka sjellë në kampin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, si pasojë edhe në kutitë e votimit të kandidatit Basha e të PDIU-së, qindra e mijëra qytetarë ose mbi 7200 vota vetëm në qytetin e Tiranës. Këtë veçanti, që ndanim e na bashkonte me kandidatin Basha, jam i sigurt se do të vijojmë ta paraqesim edhe në bashkëpunimin tonë të ardhshëm nëpërmjet këshilltarëve tanë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Do të ishte e tepërt të flisja për ata votues që votuan për kandidatin e koalicionit tonë, z. Basha, të nisur nga fakti që PDIU është në koalicion, pasi një kontribut të tillë, pra një gur të tillë, e kanë vendosur të gjitha forcat e koalicionit, për t’u bërë muri elektoral që shpalli z. Basha fitues.

A do të zyrtarizohet përfundimisht tashmë përfaqësimi juaj në qeveri, me poste të nivelit të lartë drejtues siç janë zëvendësministrat apo ministrat?

Ne jemi pjesë e koalicionit dhe kemi me vete 65 mijë zëra që besojnë në aftësitë dhe programin tonë, kemi dhe 2 deputetë në Parlamentin shqiptar. Përfaqësimi ynë në qeveri do të varet nga përfaqësimi i programit tonë në programin qeverisës. Administratorët e zotë të PDIU-së, që fituan besimin e një në njëzetë shqiptarë, do të jenë një kontribut shtesë në qeverisjen e vendit, sikurse edhe programi ynë do të jetë një kolonë e re në programin qeverisës, për t’i dhënë frymë kombëtare, skenës politike shqiptare. Ne jemi në bisedime me PD-në për një marrëveshje për përfshirjen tonë në qeverisje, dhe sigurisht PDIU ka 2 deputetë dhe 65 mijë votues, duke qenë një forcë reale në spektrin e politikës shqiptare. Por kjo forcë e shtuar e PDIU-së na bën të konfirmojmë atë që kemi thënë kur ne u krijuam: mbështetja jonë nuk është një çek i bardhë: ai lidhet me mbrojtjen e interesit tonë kombëtar, me përshpejtimin e integrimit tonë në institucionet euroatlantike.

Cilat janë sfidat e ardhshme dhe projektet për PDIU-në?

Në këto momente ne jemi duke analizuar rezultatin zgjedhor dhe duke u përgatitur për krijimin e strukturave solide në të gjithë vendin, në të cilat për herë të parë një forcë politike shqiptare do të marrë nga përvoja demokratike perëndimore, duke krijuar struktura të votuara drejtpërsëdrejti në të gjitha instancat dhe të hapura jo vetëm për mendimin ndryshe, por edhe për simpatizantë – joanëtarë të forcës sonë. Një parti që ka në thelb kombin nuk i frikësohet demokracisë dhe lirisë. Në planin politik, ne jemi duke hartuar strategjinë e veprimeve për të realizuar programin tonë për periudhën në vijim, me disa qëndrime që mund të duken sërish surprizë, sikurse janë dukur edhe qëndrimet dhe rezultatet tona të deritanishme. Veprimtaria jonë politike gjatë muajve në vijim mund të jetë edhe interesante dhe intensive të një partie të tipit lëvizje.

Ky rezultat i PDIU-së e rrit rëndësinë e saj në skenën politike kombëtare. U konfirmua ajo që kishim thënë ndërsa i drejtoheshim zgjedhësve tanë: na duhet vota juaj, që atë ta shndërrojmë në forcë në arenën politike kombëtare. Ne sot jemi më të fortë falë votës së qytetarit. Ne do të ndërmarrim një tur falënderimesh për votuesin tonë dhe më duhet të them se ky udhëtim do të jetë shumë i gjatë. Ne do t’i shumëfishojmë iniciativat tona në këtë drejtim. Pas turit të falënderimeve, ne do të zhvillojmë marshimin tonë përkujtimor për gjenocidin kundër popullsisë çame në Qafëbotë më 27 qershor, me një formë të re organizimi. Ne jemi të bindur se këtë vit do të jemi më shumë. Nga e gjithë Shqipëria.