e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Olldashi: Cilido qofte rezultati, do punoj per ringritjen e demokrateve

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Olldashi: Cilido qofte rezultati, do punoj per ringritjen e demokrateve

Në fund të fushatës së tij 20 ditore, kandidati për postin e kryetarit të partisë, Sokol Olldashi, mendon se mbi gabimet duhet ndërtuar një eksperiencë dhe mbi eksperiencën një platformë suksesi, për qëllimin e vetëm një fillim të ri dhe rikthim të shpejtë.

“Ne na duhet me shpejtësi të përcaktojmë se: vetëm duke iu përmbajtur në mënyrë rigoroze kufijve politikë të qendrës së djathtë, duke identifikuar qartësisht një skenë politike dypolare me partinë e vjetër të punës të rithemeluar në 1 prill në njërën anë dhe Partinë Demokratike në anën tjetër, duke konsoliduar marrëdhënien tonë me të përndjekurit, pronarët, botën akademike, të rinjtë dhe biznesin, duke ndërmarrë një opozitë parlamentare energjike, të paepur, të mirëstrukturuar dhe të pakompromis, duke riorganizuar mekanizmin e Partise Demokratike, përmes inventarizimit të menjëhershëm të kontributeve të secilit anëtar, përmes konsolidimit të mekanizmit të përgjegjësive dhe stimujve, përmes rikthimit tek struktura bazë e PD-së të cdo të drejte përfaqësimi dhe përmes riorganizimit dhe reformimit të thellë të çdo

strukture të Partisë Demokratike, nga seksioni më i vogël, deri tek kryesia qendrore; Partia Demokratike do të rikthehet tek fitorja, në përballjen e parë elektorale, zgjedhjet lokale të vitit 2015”, – tha dje Olldashi përmes një konference për shtyp.

Ai theksoi se, mundet të drejtojë Partinë Demokratike, duke radhitur arsyet: “Unë mundem t’i drejtoj demokratët në këtë sipërmarrje të vështirë, por sigurisht të arritshme, sepse e njoh strukturën e partisë demokratike në nivele të ndryshme, nga anëtar i thjeshtë deri në nivelet më të larta drejtuese, kam eksperiencën e duhur opozitare për të ngritur një veprim politik efikas, kam prezencën parlamentare që më jep mundësinë ta kthej foltoren e kuvendit në një tribunë të opozitës, kam 24 orë në ditë, në dispozicion të ristrukturimit, opozitarizmit dhe fitores së shpejtë të Partisë Demokratike”.

Olldashi ftoi gjithë anëtarësinë që të marrë pjesë në votim, duke shprehur angazhimin se pavarësisht rezultatit, ai do të punojë në funksion të ringritjes së Partisë Demokratike. “I ftoj të gjithë të marrin pjesë në votim, të vendosin secili në liri të plotë duke i siguruar se, cilido qoftë rezultati i këtyre zgjedhjeve, unë do të vazhdoj me të gjithë energjitë e mia, të punoj për suksesin e Partisë Demokratike dhe për ringritjen e demokratëve dhe të parimeve të shenjta tek të cilat ne bashkarisht besojmë”, – tha ai.