Basha: Jam gati te bej opozite te forte ndaj dyshes Rama-Meta
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kandidati për postin e kryetarit të PD-së, Lulëzim Basha, e mbylli fushatën e tij me një takim të zhvilluar me anëtarët e njësive 1,3,4 dhe 11 në kryeqytet. Basha premtoi para anëtarësisë së Tiranës se në rast se fiton drejtimin e partisë, ai do të jetë i aftë ta ringrejë partinë me qëllim fitimin e betejave të ardhshme. Gjatë fjalës së mbajtur dje
në Pallatin e Kongreseve, Lulëzm Basha, bëri thirrje për bashkim mes gjithë demokratëve. “Në këtë garë, që në momentin e parë kam pasur një thirrje, kërkesa ime e parë, e dytë dhe e tretë ndaj cdo demokrati është që edhe sot të jemi më të bashkuar dhe me afër se kurrë me njëri-tjetrin”,- tha ai.
Për Bashën, kryetari i dorëhequr, Sali Berisha është i pazëvendësueshëm. “Askush nuk e zëvendëson Berishën, ai është lideri historik i PD, por ora e PD-së nuk mund të ndalë, është ora e lirisë dhe zhvillimit europian. Nuk jam i shtyrë nga ambicia personale, sot marr përgjegjësinë time para cdo demokrati dhe mbështetësi për të ofruar gjithcka nga shpirti, mendja e trupi im”,- tha ai.
Basha është ndalur edhe tek rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit, duke premtuar analizë. “Rezultati nuk ishte ai që prisnim, dëshironim, për të cilin kishim punuar. Këto ditë dhe javë kanë qënë të një reflektimi të thellë. Ky tur takimesh e ditët para tij më kanë dhënë mundësinë të ndjej dhe prek hidhërimin për humbjen të militantëve anë e mbanë vendit. Kam dëgjuar dhe ndjerë tronditje, edhe për dorëheqjen e liderit tonë historik, Sali Berisha”, – tha Basha, duke shtuar se do bëhet një analizë për humbjen e zgjedhjeve.
“Të evidentojmë pa emocion gjithcka që bëmë në këtë fushatë e vitet pararendëse”, – shtoi ai. Duke mbetur tek shkaqet e humbjes, Basha shtoi se një ndër arsyet ishte mungesa e vëmendjes ndaj bazës, anëtarëve dhe militantëve të PD-së. Për pasojë, ai premtoi rivitalizim të anëtarësisë përmes ndryshimit të statutit.
“Anëtari i PD-së është sovran i padiskutueshëm. Zgjedhjet do zhvillohen sipas parimit ‘një anëtar një votë’. Nuk ka, nuk shoh asnjë arsye që ky parim të mos jetë në statutin e PD-së. Unë do kërkoj mendimin e sovranit për cdo veprim. Kjo duhet të kthehet në një normë standarde në punën e PD-së. Të mobilizojmë cdo mendje, e cdo shpirt, cdo anëtar”,- tha ai. Në të njëjtën kohë, Basha premtoi edhe luftë frontale ndaj kundërshtarit. “Kundërshatri ka komplekse të thella me trashëgiminë dhe identitetin e forcës sonë politike.
Në cdo prag zgjedhjesh ndryshojnë ngjyrat, bëri mavinë e mashtrimit me ngjyrën tonë. Identitetin e tij nuk arrin ta shqiptojë”,- tha Basha, duke premtuar se do bëjë cdo gjë për tu përballur me dyshen Rama-Meta. “Gati të bëj opozitë të fortë ndaj dyshes së zullumit Rama-Meta. Gati të përballem me këtë mazhorancë të zullumit”, – vijoi ai. Duke kujtuar në fjalën e tij
edhe rezultatin, që po del gjatë rinumërimit të qëndrave të votimit në qarkun e Lezhës, Basha tha se PS-ja ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura. “PS-ja ka ardhur në pushtet me vjedhjen e votave, këto janë vlerat e tyre, e dëshmon rinumërimi i Lezhës. Kanë vjedhur dhe abuzuar me votën e shqiptarëve, ai bërtiste për votat në 4 vite, ndërsa sot u faktua në Lezhë si hajduti i votave, më i pacipë me mjete banditeske”,- shtoi ai. Megjithatë, Basha premtoi se ai do ta mundë sërish Ramën. “Kush të ka mundur njëherë është gati të të mundë përsëri”,- tha ai