Odise Çipa: Luftëtari bleu Butrintin me 3 milionë lekë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Akuza të reja vazh dojnë të dalin çdo ditë në lidhje me skandalin e trukimeve në kampionatin e Kategorisë së Parë. Në këtë çështje përfshihet edhe ish-lojtari dhe ishtrajneri i Butrintit, Odise Çipa.
Një prej njerëzve që i ka qëndruar gjithmonë pranë skuadrës dhe e njeh ambientin hedh akuza të forta në drejtim të skuadrës dhe trajnerit aktual, Flamur Shehu.
Akuzat "Akuzat e zv/ministrit të Brendshëm, Stefan Çipa, i cili ka qenë edhe president i Butrintit janë të vërteta. Skuadra sarandjote ka toleruar në ndeshjen e humbur 5-1 me Luftëtarin. Butrinti ka marrë 3 milionë lekë të vjetër premio nga ekipi i Luftëtarit për të ndalur Apoloninë dy javë më parë.
Dhe, në këtë mënyrë, Butrinti e kishte më pas si detyrim moral që të toleronte ndaj Luftëtarit. Këto fjalë kanë dalë nga vetë futbollistët, të cilët kanë mbetur të pakënaqur nga ndarja e parave. Futbollistët e Butrintit, që kanë mbetur të pakënaqur, kanë folur për këtë çështje.
Paratë janë ndarë dy ditë para ndeshjes së radhës me Luftëtarin. Këtë ngjarje e di i gjithë ambienti futbolldashës sarandjot", shprehet në prononcimin e tij Çipa duke hedhur një akuzë të fortë.
"Nga ana morale, trajneri i Butrintit, Shehu, kishte detyrim të luante me rezervat, pasi ata janë lojtarë më cilësorë se të tjerët që kanë ardhur gjatë merkatos së verës apo dimrit që janë plot 6 a 7 të tillë. Dhe këta lojtarë marrin më shumë para se futbollistët vendës.
Trajneri Shehu duket se ka harruar se për Butrintin çdo ndeshje është finale, nuk ka rëndësi kë ke përballë, Luftëtarin apo Turbinën. Nëse trajneri do të kishte njëfarë morali apo profesionalizmi duhet të kishte dhënë dorëheqjen shumë kohë më parë, pasi unë po ju flas me statistika.
Nga 66 pikë të mundshme, Butrinti nën drejtimin e trajnerit Shehu ka marrë vetëm 16 pikë. Kjo nuk është arritur asnjëherë në historinë futbollit sarandjot. Kjo duhet të hyjë në librin e rekordeve 'Guinnes'. Sa për punën e parave që trajneri Shehu akuzon ish-presidentin Çipa, ai bie vetë në kurth, pasi buxheti i Bashkisë këtë vit është pothuajse i njëjtë me vitet e tjera.
Butrinti ka një buxhet prej 130 milionë lekësh këtë vit, ndërsa vjet kishte 230 milionë. Këto buxhete nuk i kanë as ekipet pretendente. Gabimi i Bashkisë sipas opinionit tim është moskontrollimi i parave, të cilat janë përqendruar në një dorë të vetme te trajneri, i cili për më tepër nuk ngurron të shpërndajë rroga edhe te futbollistët që kanë luajtur shumë pak minuta duke bërë rolin e bamirësit.
Ky trajner, i cili është më i dështuari në historinë e Butrintit, mburret te futbolldashësit sarandjotë duke u thënë 'unë e futa Butrintin në Kategorinë e Parë dhe unë do ta rrëzoj'. I them publikisht që nuk e mohon dot këtë që ka thënë, por si dashamirës i Butrintit i kërkoj publikisht të japë dorëheqjen", mbyll reagimin e tij ish-trajneri i Butrintit, Odise Çipa.