e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Notat e skuadrave për javën 26-të

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Notat e skuadrave për javën 26-të

vllazniaVllaznia 8.5- Një mijë e një probleme që në nisje të sezonit, mirëpo në ndeshjen kundër Tiranës hyn në fushë si "zot shpijet" dhe ia tregon vendin Tiranës. Të besuarit e Cungut e nisën pa fat me autogolin, por bëjnë më së miri atë që duhet të bëjnë. Të marrin pikët e plota në shtëpi dhe të krijojnë hapësirë me ndjekëset. "+5" ndaj Bylisit, llogaritë me të cilën duhet t'i bëjë këtë fundjavë.

Teuta 8- E qetë dhe pa shumë pretendime në deklarata dhe "zhurmë mediatike", ama është "de facto" në vend të tretë. Skuadra e Maganit merr maksimumin edhe në një fushë të vështirë si ajo e kurbinasve.

Kukësi 7.5 - Katër fitore radhazi meritonin një notë më të lartë, por një gjysmë të tillë Kukësi e humbi vetëm për faktin që rrezikoi shumë në shtëpi me Tërbunin. Gjithsesi, skuadra e Duros ka gjetur njeriun që mendon për gjithçka, sidomos golat dhe pikët. Në fund të fundit, Emini u ka dhënë vendin e tretë aktualisht...

Skënderbeu 7.5- Atë që deshën, e morën në "Qemal Stafa", mirëpo fakti që ndeshja mund të kishte shkuar 2-0 bën që kryesuesit e kampionatit të mos kenë notë maksimale. Të mos cenosh diferencën edhe pas sfidës direkte është tregues force, ndërkohë që ruajtja deri në fund do të jetë tregues... eksperience.

Partizani 5.5- Mbase kjo mund të jetë nota që meriton Raçiç, pasi në rast se do të tregohej i saktë, Partizani mund të ishte në krye të vlerësimit dhe me vetëm një pikë nga kreu. Kjo notë të kuqve u shkon edhe për faktin se nuk ditën të ishin rezultativë, me dominimin që krijuan ndaj korçarëve.

Bylis 5- Një gjysmë note më shumë për vetë rezultatin në transfertë, edhe pse pamjet filmike tregojnë qartë që Dyrmishi e ka ekzagjeruar me gabimet. Gjithsesi, në fund numërohen pikët dhe një e tillë në Vlorë ka bërë që Flamurtari të ketë vetëm dy më shumë sesa ballshiotët. Garë interesante për fundin, falë këtij barazimi.

Flamurtari 4.5- Notë që i shkon për shtat rezultatit real dhe asaj që mori skuadra. Pavarësisht pretendimeve, një ekip si Flamurtari duhet të kishte bërë më shumë sesa maksimumi që të mund të merrte pikët e plota me një rival direkt si Bylisi. Investimet e bëra duhet të shpërbleheshin të paktën në një ndeshje të tillë.

Laçi 4- Një gjysmë note më shumë për të justifikuar faktin që në kampionat nuk kanë më pretendime, mirëpo nota jo kaluese në të njëjtën kohë i shkon edhe faktit që me rezultatet e dobëta, mund të afrohen rrezikshëm me zonën e rrezikut në fundin e tabelës. Kanë kupën si shpëtim, mirëpo një ekip me pretendime nuk mund të pësojë rënie të tillë të pajustifikueshme...

Tërbuni 4- Me pak kujdes mund të kishte marrë qoftë edhe një pikë në Kukës. Gjithsesi, me gjithë diferencën e madhe nga Bylisi i vendit të nëntë, pukjanët nuk janë dorëzuar dhe kanë treguar edhe një herë se do të provojnë të gjitha shanset për mbijetesën.

Tirana 3.5- Zemërata dhe deklarata e trajnerit Daja në fund të ndeshjes për shumë nga titullarët vlen më shumë sesa thjesht një notë. Humbja në Shkodër, jo vetëm që meriton notë negative, por më pak se aq meriton paraqitja e bardhebluve në atë 90-minutësh. Mungesat e shumta justifikojnë zgjedhjet e trajnerit, por gabimet dhe performanca në fushë nuk mund të justifikojë askënd nga ata që zbritën në fushë.