e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Nje tjeter ish-i perndjekur i ve flaken vetes, digjet 50% 47-vjecari Beko (Video)

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Nje tjeter ish-i perndjekur i ve flaken vetes, digjet 50% 47-vjecari Beko (Video)
Një tjetër ish-i burgosur politik i ka vënë flakën vetes. Ai është Lirak Beko, 47 vjeç, i cili ka dalë nga çadrat e kampit ku mbahet greva e urisë dhe ka hedhur benzinë mbi vete dhe ka ndezur një shkrepëse.  Kanë qenë miqtë e tij, që kanë hedhur shishe me ujë në drejtim të shokut dhe për pak sekonda kanë shuar flakët. Bejko është dërguar në drejtim të spitalit të djegie-plastikës. Sipas mjekëve djegia e Bekos është në shkallën e tretë dhe ka plagë në 50% të trupit.

Gjithashtu, plagë të lehta ka marrë edhe ish-i burgosuri tjetër, Agim Kollçaku, që ndihmoi të shuante flakët e Bekos.
Pas aktit të Gjergj Ndrecës, ky është i dyti rast që në grevën e urisë së ish-të burgosurve politikë tentohet një vetëflijim.

Rasti i parë ndodhi ditën e hënë, kur Gjergj Ndreca, pasi ka lyer trupin me benzinë, ka kërkuar t'i vënë flakën në ambientet e grevës së urisë, gjë që e bëri ish-i përndjekuri tjetër, Pal Shtjefni.

Ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e ish-të burgosurve të tjerë, që ka bërë të mundur parandalimin e djegies së plotë të Ndrecës. Menjëherë ai është dërguar me urgjencë në repartin e djegieve në QSUT, ku mësohet se gjendja është e rëndë.

Ish-të përndjekurit politikë nisën mbrëmjen e 22 shtatorit një grevë urie, e cila pritet të zgjasë, për shkak se qeveria nuk mbajti premtimet për dëmshpërblimin e viteve të tyre të burgut. Sipas ish-të përndjekurve politikë, gjendja aktuale e tyre është tepër e rëndë, ndërsa dëmshpërblimi u shty për një afat të pacaktuar. Ata theksojnë se gjithçka ndodhi për shkak të tjetërsimit të ligjeve që qeveria bëri në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjergj Ndreca ndodhet në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", në repartin e djegie plastikës në gjendje të rëndë. Sipas mjekëve ai ka djegie në 40% të trupit dhe se ndodhet në terapi intensive.

Ish-të përndjekurit e Durrësit: Edhe ne gati për grevë

Dega e Durrësit e shoqatës për integrim e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë ka dalë ditën e sotme me një komunikatë solidariteti me grevistët politikë të Tiranës. Ata kanë deklaruar se janë të indinjuar për emërtimin e kësaj greve si grevë politike, pasi ajo është një greve e pastër ekonomike dhe se në solidaritet më të ata kanë deklaruar se janë të gatshëm që të hyjnë në greve urie edhe në qytetin e Durrësit.

Ata i kanë kërkuar kryeministrit të vendit, Sali Berisha, që të zbusë tonet e ashpra dhe të mos i cilësojë grevistët me shprehje si “plehra të komunizmit”, etj., pasi kjo shtresë është ajka e shoqërisë dhe se ka qenë pikërisht kjo shtresë që i ka siguruar atij kolltukun për rreth 20 vite.