e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Nje kinez behet milioner per 1 vit ne Shqiperi, hetim per pastrim parash

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Nje kinez behet milioner per 1 vit ne Shqiperi, hetim per pastrim parash
Një kinez me biznes pasiv ka gjetur “parajsën ekonomike” në Shqipëri, duke mbledhur më shumë se 282 mijë USD gjatë vitit 2012. Por transaksioni i tij drejt Kinës ka përfunduar nën sekuestro me urdhër gjykate, pas dyshimeve të forta se bëhet fjalë për pastrim parash. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, shtetasi kinez, Gang Chen është shfaqur në bankë 1 vit pasi kishte hapur llogarinë e tij me 142 mijë dollarë, duke kërkuar t’i transferonte ato drejt një banke kineze. Verifikimet e kryera kanë nxitur dyshime të tjera, duke nisur edhe një çështje penale ndaj tij në Prokurorinë e Tiranës. “MAPO” boton vendimin e gjykatës për shtetasin kinez, i cili është tashmë në hetim jo vetëm për mënyrën sesi i ka bërë këto para, por edhe për hyrje-daljet e tij nga territori shqiptar.

Vendimi i gjykatës

Në datë 26 janar të vitit 2011, shtetasi Gang Chen është paraqitur në bankë për të vendosur marrëdhënie biznesi me bankën dhe aktualisht rezulton se zotëron dy llogari personale në monedhën EUR e USD. Në datë 25 janar 2012, shtetasi i mësipërm ka depozituar shumën 140 000 USD dhe ka deklaruar se të ardhurat janë nga puna në Shqipëri. Në të njëjtën ditë ka kryer dy transferta në nisje, përkatësisht në shumat 50 000 USD dhe 90 000 USD, me palë përfituese shtetasin Chen Yaping, Kinë për transfertën e parë dhe palë përfituese shtetasin Gang Chen për transfertën e dytë. 

Llogaria e klientit nga data e çeljes në vitin 2011 deri në datën e kryerjes së dy transfertave në vitin 2012 ka qenë jo aktive, pra për gati një vit. Në llogarinë në monedhën EUR shtetasi Gang Chen nuk ka kryer asnjë transaksion. Ka raportime të tjera për transaksione në vlera si: më datë 12.10.2009 shtetasi Gang Chen ka derdhur cash shumën 20 051 USD, burimi i të ardhurave është deklaruar nga biznesi.  Shumat e depozituara nga shtetasi Gang Chen në total arrin në shumën 282 520 USD brenda vitit 2012, të ardhura të deklaruara nga biznesi.

Nga kërkimet në QKR me gjeneralitetet Guang Chen rezultoi i regjistruar subjekti, “CHRM GUANG” shpk, regjistruar në datë 12 shkurt 2003, selia e ushtrimit të aktivitetit është Rr. e Dibrës, pranë Medresesë Tiranë. Objekti i veprimtarisë nuk është i plotësuar. Përfaqësuesi ligjor është Guang Chen, me status aktiv, ndërsa nga informacioni i marrë në Drejtoria  e Përgjithshme e Tatimeve rezulton se, që nga viti 2009 ky subjekt është pasiv dhe ka kaluar tek Drejtoria e Tatimeve Tiranë. Shumat e depozituara nga shtetasi Gang Chen në total arrin në shumën 282 520 USD brenda vitit 2012,  ndërkohë që ashtu siç u theksua më sipër rezulton se aktiviteti i biznesit të tij është pasiv. Këto shuma janë depozituar të gjitha në para fizike, fakt që e bën edhe më të dyshimtë për pastrim parash dhe për faktin se ka kryer transferimin e menjëhershëm të fondeve jashtë vendit, në të njëjtën ditë që i ka depozituar.

Hetimi mbi kinezin

Nga të dhënat e sistemit  TIMS, të paraqitur si provë në gjykim rezulton se ekzistojnë dy shtetas me të dhëna, Gang CHEN, datëlindja 19.08.1964. Gjithashtu, nga të dhënat e këtij sistemi rezulton se tek hyrjet në Republikën e Shqipërisë rezultoi se shtetasi Gang Jinsheng CHEN, hyrjen e fundit e ka në orën 17:49, me fugon TR9956R, Pika Kufitare Morinë. Tek daljet nga Republika e Shqipërisë rezultoi se shtetasi Gang Jinsheng CHEN, ka dalë nga Republika e Shqipërisë me datën 15.09.2012 ora 19:14 me linjën ajrore “Turkish”. Pra rezulton se ky shtetas ndodhej jashtë territorit të Shqipërisë që nga data 15.09.2012,  ndërkohë që  derdhja  e shumës figuron të jetë bërë me date 08.11.2012 dhe rezulton se ky shtetas është paraqitur personalisht pasi ka nënshkruar  në emër të tij.

Gjykata sekuestron transfertën 140 mijë USD

Gjykata e Tiranës ka vendosur të sekuestrojë transfertën 140 mijë dollarëshe të kinezit, ndërsa mbetet ende e paqartë se nga e kanë burimin këto para. Gjatë seancës së zhvilluar gjyqtarja i ka dhënë të drejtë dyshimeve të prokurorisë, ndërsa tashmë pritet që hetimi penal të zbardhë se kush është në të vërtetë personi që ka bërë transfertën, kur me emër rezulton të ketë qenë jashtë Shqipërisë. Prokuroria dyshon se mbas kësaj sasie parash mund të fshihet ndonjë aferë e dyshimtë, por detaje të hetimit mbeten ende të paqarta. Nga ana tjetër, hetimi në prokurori për të zbardhur aktivitetin e kinezit është ende në proces, me akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.