e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Nje grup grekesh rrahin dy emigrante shqiptare

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Nje grup grekesh rrahin dy emigrante shqiptare
Dy emigrantë shqiptarë janë rrahur barbarisht në Rethymno të Kretës. Shqiptarët, emrat e të cilëve për momentin nuk bëhen publike, janë dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e këtij qyteti, si pasojë e rrahjes prej pesë shtetasve grekë. Njëri prej tyre ka dëmtime tepër të rënda dhe u mbajt në spital, ndërsa tjetri ishte në gjendje pak më të mirë dhe kërkoi të kurohej në shtëpinë e tij. Burime lokale thanë se ngjarja ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit. Dy shqiptarët po hipnin në makinën e tyre, kur janë sulmuar pa shkak nga grupi i grekëve, që u bërtisnin të largohen. “Ju jeni të huaj dhe Greqia është e grekëve”, citohet të kenë thënë ata. Pas kësaj, agresorët i kanë qëlluar shqiptarët barbarisht me shkopinj e mjete të forta.

Arsyeja e sulmit ka në sfond ksneofobinë, pasi personat e konfrontuar nuk njiheshin mes tyre. Policia ka nisur hetimet lidhur me ngjarjen, por deri tani nuk ka asnjë të dyshuar. Situata e rendit kohët e fundit ka qenë tepër problematike në qytetet kryesore të Greqisë. Gjendja paraqitet më e rëndë në kryeqendrën Athinë, ku si pasojë e kriminalitetit të lartë është rritur ndjeshëm pasiguria mes qytetarëve. Lidhur me këtë, ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit ka vënë në alarm të kuq të gjitha forcat policore në kryeqytet dhe ka kërkuar përforcime edhe prej qyteteve periferike, ndërsa u ka bërë thirrje banorëve të ruajnë qetësinë e të mos arrijnë në vetëgjyqësi, por të njoftojnë policinë për çdo rast, raportoi TCH.