Nishani i dhuron PD seline e ushtrise. Brace: Hetim parlamentar Presidentit
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka firmosur dhurimin e një prone të Forcave të Armatosura siç është Qendra Kulturore e Ushtrisë, Partisë Demokratike, e cila e zgjodhi në krye të shtetit në qershorin e një viti më parë. Dekreti nuk është bërë publik nga Presidenca, por mazhoranca e re e ka sulmuar ashpër kreun e shtetit. Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka kërkuar dje hetim parlamentar të Presidentit për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Nëse konkretizohet nisma parlamentare e bërë publike nga deputeti socialist, kemi të bëjmë me një iniciativë që në finalen e saj çon në shkarkimin e kreut të shtetit.
Dekreti
Siç bën të ditur “Top Channel”, në një korrespondencë të gazetarit Muhamed Veliu: “Burime nga Ministria e Mbrojtjes pohuan se Presidenti Republikës në kapacitetet edhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e ka firmosur dekretin për nxjerrjen jashtë inventarit të ushtrisë të godinës së SHQUP-it. Ky dekret ka mbërritur në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes pasditen e së enjtes”. Këtë dekret, për të cilin “Top Channel” i referohet burimit nga Ministria e Mbrojtjes, nuk e ka bërë publike institucioni i Presidentit të Republikës. Në fakt, Presidenca, në faqen e saj zyrtare, ka bërë publike vetëm një dekret të Nishanit, për të korrigjuar numrin e legjislaturës së Kuvendit të ri që mblidhet më 9 shtator, por nuk ka asnjë njoftim tjetër.
Në korrespondencën e tij, gazetari Muhamed Veliu, thekson se: “Zyra e shtypit e Presidencës, kontaktuar nga ‘Top Channel’ për të pasur versionin zyrtar dhe detajet e dekretit, përgjigjja e vetme që dha ishte: ‘Keni telefonuar jashtë orarit zyrtar’”.
Firma e djeshme e Bujar Nishanit, e vendosur për t’i dhënë Partisë Demokratike një ndërtesë që u takon Forcave të Armatosura, është hedhur pa propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, çka ia detyron ligji.
Braçe
Deputeti socialist, Erjon Braçe, ka reaguar menjëherë pas publikimit të dekretit të Nishanit, duke e akuzuar kreun e shtetit për shkelje të Kushtetutës. Braçe, në reagimin e tij për skandalin e SHQU, shprehet se “Presidenti i Republikës në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të FA-së është tërësisht i padenjë për një vend anëtar të NATO-s!!!”. Më tej, ai shton se “krimi është thelluar sot kur: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm, ka miratuar me dekret, por jo publik, nxjerrjen e SHQU nga lista e përhapjes së Forcave të Armatosura”. Kjo ka ndodhur përsëri në shkelje të rëndë të ligjit. “Komandanti i Përgjithshëm vendos vetëm me propozim dhe miratim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Gjeneral Gjunkshi jo vetëm që s’ka propozuar, por e ka kundërshtuar një veprim të tillë. Paligjshmëria e vendimmarrjes së Presidentit Bujar Nishani e vendos atë direkt nën akuzë shumë të rëndë. Sipas gjeneral Gjunkshit, plani i përhapjes së Forcave te Armatosura është element kushtetues nën dritën e parimeve të NATO-s, organizatës ku ne jemi anëtarë. Në anën tjetër, e gjithë kjo aferë është e lidhur me pronësinë e porsazbuluar të godinës së vjetër të PD-së. Media raportoi ditë më parë se familja e Presidentit ka interesa të drejtpërdrejta ekonomike, pronësore në atë godinë që duhet të mbesë bosh sa më parë. Nëse kjo provohet, atëherë Presidenti Bujar Nishani duhet vënë nën hetim përmes një procesi parlamentar për korrupsion!!! Nëse provohet, krimi i tij është shumë i rëndë!”, shkruan Braçe.
Kushtetuta dhe ligji
Sipas nenit 25 të rregullores së Parlamentit, “Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesën e një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë një komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë”. Ndërkaq, në nenin 90 të Kushtetutës së Shqipërisë, theksohet se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”. Në nenin 112 të rregullores së Kuvendit, theksohet se nëse një e katërta e deputetëve kërkon shkarkimin e Presidentit të Republikës, duhet të hartohet një raport nga Komisioni i Ligjeve, i cili më pas paraqet raportin për ngritjen e një komisioni që duhet të miratojë një raport për çështjen. Nëse Kuvendi e rrëzon raportin, atëherë ndërpritet procedura”. Por që të vihet në një vendim të tillë politik, duket se do të ketë shumë zhvillime. Megjithatë është fakt se përplasja mes mazhorancës së re dhe kreut të shtetit, ka nisur ende pa nisur nga puna parlamenti i ri dhe pa u instaluar qeveria e re e së majtës.
Kushtetuta
Neni 90 - Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.