e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Le parate ne kumar, sajon grabitje duke plagosur veten

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Le parate ne kumar, sajon grabitje duke plagosur veten

Një 26-vjeçar ka shpikur një histori grabitjeje pas humbjes së 3 mijë eurove në kumar, pasi nuk kishte guxim që t’i tregonte bashkëshortes. Madje i riu M. Domi ka plagosur edhe veten me thikë, që të ishte sa më bindës përpara saj dhe grupit hetimor. Burime nga policia bëjnë me dije se 26-vjeçari ishte menaxheri i një kompanie shitblerjesh dhe pas humbjes së parave në kumar ka shpikur edhe grabitjen, për të justifikuar zhdukjen e parave. Para se të telefononte policinë për “grabitjen”, ai i ka ngulur vetes një thikë prej 8 centimetrash në pjesën e kofshës.

Më pas ka njoftuar në numrin 129, duke thënë se në banesën ku jetonte me qira në rrugën “Karl Gega”, Tiranë, kishin hyrë persona të paidentifikuar për ta grabitur. Madje gjatë përleshjes me autorët e krimit, ai kishte mbetur i plagosur. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në banesën e të riut ka shkuar policia dhe grupi hetimor, për të zbardhur ngjarjen. Në dëshminë e dhënë në polici, Domi tha se nuk ka qenë në gjendje që t’i identifikonte autorët e krimit sepse ata kishin qenë të maskuar me kapela dhe syze, ndonëse ishte errësirë.

Sulmi ndaj tij, ishte bërë në mesnatë, nè momentin që ky kishte dalë nga tualeti. Sipas tij, autorët i kishin kërkuar para, por kur ai kishte refuzuar, grabitësit e qëlluan me thikë, në pjesën e kofshës. Por deklaratat e Domit nuk kanë qenë bindëse për policinë sepse dëshmia e tij, ka qenë disa herë kontradiktore dhe kjo ka bërë që grupi hetimor të ngulmojë në vërtetësinë e fakteve. Ai është marrë sërish në pyetje. Pas tetë orësh, ka pranuar se gjithçka ishte një sajesë dhe 3 mijë eurot që pretendonte se i ishin grabitur, i kishte humbur në lojën me kumar. Domi tha se sajesën e kishte bërë sepse nuk mund t’i justifikonte bashkëshortes humbjen e 3 mijë eurove, e për më tepër t’i thoshte se i kishte humbur në kumar. Pas përfundimit të çështjes, policia e akuzoi 26-vjeçarin për shpifje. Aktualisht Domi po mbahet nën survejim nga policia, në Spitalin Ushtarak dhe po mjekohet për plagën që i shkaktoi vetes. S. Muça