e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Nishani: S’do hyj ne konflikt me PD, ja e verteta e semundjes sime

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Nishani: S’do hyj ne konflikt me PD, ja e verteta e semundjes sime
A keni qenë ju anëtar i Partisë së Punës gjatë kohës që keni qenë në shkollën e oficerëve?

Nuk kam aplikuar dhe as më është kërkuar kryesisht për rrethanat dhe begraundin familjar.

Ç’do të thotë?

Familja ime nga babai, të cilët vijnë nga Libohova e Gjirokastrës, janë detyruar që pas luftës të shpërngulen nga Gjirokastra dhe të vendosen në Durrës, ku dhe unë kam lindur. Më pas kam pasur disa histori të tilla që regjimi i ka konsideruar të papërshtatshme dhe nuk më është ofruar asnjëherë kërkesa për t’u bërë dhe unë s’kam qenë anëtar i PPSH-së.

A keni qenë ju pjesëtar i këtyre ngjarjeve të shkurtit të ‘91 në Shkollën e Bashkuar, kur kërkohej vendosja e bustit të Enver Hoxhës në sheshin e Tiranës?

Unë kam qenë pedagog në atë kohë dhe kam pasur një nga situatat më të vështira të jetës sime. Për faktin sepse së bashku me një grup studentësh dhe pedagogësh u pozicionuam kundër kësaj histerie që ishte krejt e pakuptimshme. Mbaj mend që jam takuar dhe me disa nga drejtuesit e PD-së së kohës në Tiranë. Atëherë unë bëja jetën e një beqari dhe banoja brenda akademisë dhe çdo ditë që kthehesha nga mësimi e gjeja dhomën të hapur, të shqyer dhe garderobën time të kontrolluar. Ka qenë psikologjikisht një periudhë shumë e vështirë dhe mjaft nga kolegët nuk më pranonin të pinin as kafe.

Ju s’keni qenë pjesë e këtij grupi?

Kam qenë një ndër aktivët në kundërvënie të këtij grupi dhe kjo ka qenë arsyeja që në vitin ’97, kur unë sapo isha kthyer nga ShBA ku isha specializuar atje, isha në drejtim të kabinetit të ministrit, rikthimin në Ministrinë e Mbrojtjes pas ardhjes së PS-së në pushtet të ish-drejtuesve të Shkollës së Bashkuar, më larguam nga puna, më larguan nga ambientet ku banoja së bashku me gruan dhe me djalin e vogël.

Ju keni qenë një nëpunës, pra një anëtar i administratës së qeverisë së PD-së ‘92-‘97. Kur jeni angazhuar me PD-në?

Në fakt unë jam angazhuar që në fillimet e PD-së. Madje në zgjedhjet e para të ’91-it kam qenë mjaft aktiv. Mesa mbaj mend, në atë kohë në atë zonë ku ishte dhe akademia ishte si kandidat Ritvan Peshkëpija dhe aty jam angazhuar në stafin e tij.

Aktualisht jeni zgjedhur Presidenti i 6-të i periudhës postkomuniste. A mendoni se zgjedhja e një presidenti konsensual do të ishte një zgjidhje më e mirë për Shqipërinë?

Unë besoj më së shumti tek ajo çka përfaqëson integriteti i individit që merr përsipër të ushtrojë një detyrë. Procedurat kanë rëndësinë e tyre, formalitetet kanë rëndësinë e tyre, por që mbeten subjektive në një farë mënyrë. Ne në Shqipëri kemi eksperienca të ndryshme dhe rezultate të ndryshme nga presidentë të ndryshëm, por e them me bindje që unë besoj dhe besoj thellë te çfarë përmban integriteti i personit që merr përsipër të ushtrojë një detyrë. Nëse një person ka integritetin e plotë që të ndjekë dhe zbatojë atë frymë që përcakton dhe kërkon Kushtetuta, unë besoj se më pas procedurat nuk kanë ndonjë vlerë esenciale.

Ju besoni se do jeni President i gjithë shqiptarëve?

Natyrisht që besoj. Është një detyrim, por njeriu duhet të besojë tek ajo çka ai merr përsipër për të përfaqësuar, apo ushtruar. Aq më tepër në institucione të tilla kaq të larta dhe delikate. Ndaj, përtej detyrimit, besoj sepse i besoj dhe kushteve në të cilat sot ndodhet Shqipëria.

A kishit detyrimin që në momentin kur u propozuat të dorëhiqeshit nga ministri i Brendshëm?

Jo. Kushtetua i ka të qarta kriteret për t’u zgjedhur president. I kam paraqitur dorëheqjen Kryeministrit para se të bëhej votimi në Kuvend, në drekën e datës 11.

Nëse nuk do të merrnit 73 vota, do e tërhiqnit dorëheqjen?

Do i rikthehesha jetës në Parlament.

Fizikisht keni një problem, mund ta bëni pak më transparente, pasi rrjetet sociale kanë komentuar sëmundjen?

Besoj shumë në vlerat e një shoqërie të civilizuar, individë kanë mangësi të theksuar të formimit civil. Është e vërtetë që kam pasur ndërhyrje kirurgjikale para 3 vitesh, për shkak të defekteve të enëve të gjakut, në një nga klinikat më të mira të Europës, pasoja e cila është në rehabilitim, nuk më lejon të vrapoj dot. Kjo është e vetmja mangësi që kam. Kam ushtruar detyrën e ministrit të Brendshëm, më është dashur të udhëtoj në dimër, verë, dhe të punojë me bashkëpunëtorët deri në orët e para të mëngjesit, e vetmja pengesë fizike është që nuk mund të vrapoj.

Keni marrë urime nga opozita, po nga Rama?

Kam pasur mesazhe dhe telefonata nga deputetë të PS dhe të opozitës, drejtues lokalë të saj, nga kryetari nuk kam pasur. Nga zoti Rama deri tani jo.

Raportet tuaja me Ramën?

Në zgjedhjet e 2009-s kam pasur disa kontakte përmes telefonit, që kishte shqetësime për listat e zgjedhësve për shkak të burimit dhe Ministria e Brendshme, ishte hartuesi i regjistrit themeltar që bëheshin në Gjendjen Civile. I kam dhënë të gjitha sqarimet.

Rama ka vlerësime për ju në editorialet e tij…

Nuk kemi pasur kontakte, jemi takuar në një pritje zyrtare, nuk kemi pasur kontakte, gjithsesi mua më vjen mirë që zoti Rama beson në vlerat e individit.

Keni kontaktuar me presidentin në detyrë?

Nuk kam pasur kontakt, nuk kam marrë ende urim. Asnjë telefonatë dhe asnjë mesazh, mbase ka bërë njoftim shtypi unë nuk kam marrë.

Zgjedhja e presidentit shihej si një lloj pakete së bashku me kryeprokuroren, në 24 korrik do të merrni presidencën, qëndrimi juaj ndaj kryeprokurores Ina Rama?

Nuk mund të shpreh qëndrimet e mia pa marrë detyrën dhe pa mbaruar detyrën kryeprokurorja. Do të ketë bashkëpunim mes Presidentit dhe Parlamentit.

Kur u propozuat, u diskutua për zgjedhjen e prokurores?

Nuk ka pasur asnjë element tjetër për çështjen e Presidentit.

A mendoni se në një moment të caktuar ju mund të konfliktoheni me këtë mazhorancë?

Unë nuk besoj

A ju trembte kjo gjë në momentin që morët detyrën?

Jo absolutisht, sepse pa gjykuar dhe analizuar asnjë veprim, qëndrim apo situatë të Presidentit të mëparshëm, sepse nuk është detyra ime, unë mund të gjykoj dhe angazhoj vetveten vetëm për atë çka unë mendoj dhe atë çka unë kam detyrë për të ushtruar. Nuk besoj se do të ketë ndonjë situatë të tillë, sepse jam plotësisht i qartë në objektivat e mia, jam plotësisht i qartë në detyrat e mia, plotësisht i qartë në atë çka unë dëshiroj të kontribuoj dhe mund të bëjmë së bashku me të gjithë aktorët politikë në vend.

Në një moment të caktuar, a do të jeni ju i aftë t’i thoni jo Kryeministrit Berisha, nëse mendoni se kërkesa e tij apo akti i tij bie ndesh me ushtrimin e detyrës suaj dhe pozicionin tuaj si President i Republikës?

Padyshim … eksperienca që kam grumbulluar më ka ndihmuar. Besoj shumë te liria e individit… unë besoj se dedikimi ndaj lirisë është një vlerë…

Ku jetoni?

Vazhdoj të banoj në apartamentin tim në zonën e Selitës. Për fat të mirë familja e bashkëshortes është familje tregtarësh të dëgjuar, trashëgimtare e njërit prej nënshkruesve të pavarësisë, Qemal Bej Elbasanit. Kanë trashëguar prona të konsiderueshme edhe në Durrës, familja e saj ka qenë ndër tregtarët e dëgjuar, kemi pasur përfitime nga rikthimi i pronave.

Nga jeni me origjinë, keni lidhje me Omer Nishanin?

Nga Libohova e Gjirokastrës, nuk kam lidhje.

Qëndrimi që keni mbi prokuroren e Ina Rama?

Puna e prokurorisë është punë që ka pasur probleme të shumta, nuk gjykoj punën e një individi, si një institucion prokuroria ka pasur, e ka probleme që duhet të korrigjohen, nuk mund të marr përsipër të gjykoj një prokurore.

Zonja Topalli nuk u zgjodh, pati thyerje mes jush?

Ka qenë një nga mbështetëset e mia kryesore, do të kisha kënaqësi të kisha votuar për të, është çështje e një procesi të gjatë, por zonja Topalli që nga momenti që jam propozuar ka qenë mbështetëse e kandidaturës sime.