Nimani shpëton Laçin nga humbja, Tërbuni nuk dorëzohet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ka përfunduar në barazim 1-1 sfida e parë e javës së 27-të të Kategorisë Superiore. Laçi i drejtuar nga Stavri Nica nuk po arrin dot të gjejnë rrugen e fitores, pasi edhe sot është ndalur në një barazim 1-1 nga Tërbuni në fushën e këtyre të fundit. 
Takimi i luajtur sot në Pukë ka qenë mjaft i luftuar dhe emocionues deri në sekondat e fundit. vendasit e drejtuar nga Gjoni edhe pse me një këmbë në Kategorinë e Parë vazhdojnë të mos dorëzohen dhe të tregojnë shpirt gare.
Pjesa e parë ka përfunduar në barazim 0-0 ndërsa në pjesën e dytë ritmi i lojës ka qenë edhe më i lartë. Tërbuni gjen golin në minutën e 61-të më Karakaçin që godet bukur nga një goditje dënimi dhe realizon.
Laçi nuk pajtohet me rezultatin dhe vihet i gjithi në kërkim të golit të barazimit. Përpjekjet e njëpasnjëshme të kurbisave shpërblehen në fundin e takimit, saktësisht në minutën e parë shtesë ku Nimani përfiton në zonë dhe barazon shifrat në 1-1.
Nuk ka më kohë dhe mbyllet gjithçka në barazim 1-1. Tërbuni mbetet sërish në fund të tabëlës me 14 pikë, ndërsa Laçi nuk mundet të përfitojë për t'u shkëputur sa më shumë nga zona e ftohtë dhe mbetet në kuotën e 30 pikëve, 9 më shumë sesa Bylisi që ndodhet i parafundit.
Tërbuni - Laçi 1-1
Golat: Karakaçi 61'/ Nimani 90+1´
Tërbuni: Haxho, Fangaj, Borshi, Tasiç, Beci, Karakaçi, Tushe, Gavazaj, Dedyn, Lala, Jovanoviç Trajner: Viktor Gjoni
Laçi: Vujadinoviç, Ademir, Sheta, Buljan, Çela, Gocaj, Veliaj, Dosti, Cetkoviç, Nimani, Mitraj Trajner: Stavri Nica