Nexhipi replikon me Agollin: Do vuash sërish, fiton Partizani
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Për një sezon e gjysmë, Nderim Nexhipi u bë njeriu vendimtar në ndeshjet derbi me golat e shënuar, por edhe grintën dhe spektaklin që dhuronte në fushë.
Ish-kapiteni i Partizanit, arriti të shënonte më shumë se askush tjetër në përballjet me Tiranën duke u kthyer në makthin e bardhebluve.
Aktualisht pjesë e Shkëndijës së Tetovës, lojtari flet për derbin e kryeqytetit, të cilit do t'i mungojë, por në një mënyrë replikon edhe Ansi Agollin me të cilin ka miqësi jashtë fushe.
Në fund, ishkapiteni lëshon atë që natyrisht gëzon tifozët e kuq, duke thënë se ende nuk e ka luajtur derbin e fundit me Partizanin, duke lënë të hapur mundësinë për një rikthim te "demat".
Nderim, të premten luhet derbi i kryeqytetit dhe sa herë afrohet kjo ndeshje, emri juaj del në skenë. Si ndiheni për këtë fakt?
Natyrisht që më bëhet qejfi që edhe unë kam lënë gjurmë në një ndeshje të tillë, e cila ka shumë histori dhe sfidë brenda saj. Java e derbit është një javë me shumë emocione dhe një qytet i tërë e pret me padurim këtë përballje. Momentalisht, edhe pse jam larg Tiranës, nuk jam shkëputur nga Superiorja, të cilën e ndjek me vëmendje.
Cili është parashikimi juaj për skuadrën që do të fitojë në këtë ndeshje?
Është një derbi dhe të bësh parashikim në një ndeshje të tillë për rezultatin është shumë e vështirë. Kur kam qenë pjesë e kësaj sfide, gjithmonë kam thënë që do të fitojmë dhe nuk kam zhgënjyer me rezultatin. Kështu që edhe këtë herë do të them që Partizani fiton, pasi Tiranës i është bërë pak kompleks fitorja në derbet e viteve të fundit.
Sa shanse ka që kjo përballje të dalë barazim dhe cilit prej dy ekipeve i prish më shumë punë një rezultat i tillë?
Barazimi është një rezultat, i cili nuk i duhet në asnjë moment Partizanit, pasi është në ndjekje të Skënderbeut në garë për të marrë titullin kampion. Kështu që një fitore në derbi do të bënte që Skënderbeu të kishte më shumë presion në rrugën e tij. Ndërsa sa i takon Tiranës nuk e di të them të drejtën nëse barazimin e ka një rezultat të pranueshëm apo i prish punë, pasi nuk e ndjek këtë skuadër dhe rrugën e saj. Gjithashtu, në një ndeshje të tillë, nuk mund të them një rezultat të saktë, pasi është e pamundur. Derbi i ka të tre rezultatet brenda. Edhe për objektivat që kanë dy skuadrat çdo gjë mbetet e hapur deri në fund, pasi ka ende shumë ndeshje për t'u luajtur.
Tirana vuan në sulm, ndërsa Partizani ka shumë zgjedhje. Do të jetë një faktor i tillë vendimtar?
Edhe unë jam i mendimit se Partizani ka një sulm shumë të mirë dhe më pëlqen akoma më shumë fakti që në këtë pjesë të dytë të kampionatit Raçiç është më i përfshirë në skuadër dhe po gjen hapësira. Për të kam bindjen se është një ndër sulmuesit më të mirë në kampionatin shqiptar. Në derbi, ai, Mazrekaj, Sukaj dhe Vila jam i bindur se do të bëjnë diferencën.
Agostineli ka pak kohë në krye të ekipit. Me aq sa e keni parë Partizanin, mund të bëni një vlerësim për lojën që zhvillon?
Çdo trajneri i nevojitet që të ketë kohë në dispozicion që të përshtatet me skuadrën, kështu që në 1 muaj e gjysmë që ai ka në ekip nuk mund të them gjë. Vlerësimi për të dhe punën e tij do të bëhet në fund të kampionatit, por unë kam besim se do të jetë i suksesshëm.
Si ndikojnë ndryshimet e shpeshta në skuadër, duke qenë se tani ekipi ka trajner dhe lojtarë të rinj?
Në këtë rast, unë dua të marr si shembull ekipin e Skënderbeut, që vit pas viti bën vetëm ndryshime të vogla në organikë. Për këtë arsye edhe rezultatet në këtë skuadër janë të dukshme. Ndërsa në një skuadër ku ka lëvizje të shpeshta, koha për përshtatje natyrisht që duhet të jetë pak më e madhe.
Ish-futbollisti i Tiranës, Ansi Agolli, është shprehur se Partizani i kujton paradat e PPSH-së. Keni një përgjigje për të?
Ansin e kam shok shumë të afërt dhe e di që zemra e tij është bardheblu. Një përgjigje në lidhje me deklaratën e tij nuk do doja të jepja, por më bëhet shumë qejfi që të paktën nuk e kam lënë t'u gëzohet fitoreve të Tiranës në derbi në kohën që unë kam luajtur me Partizanin. Besoj se djemtë do të vazhdojnë sërish në këtë rrugë, pasi një fitore në derbi e rrit shumë moralin e ekipit dhe ka një vlerë të dyfishtë për vazhdimësinë.
Sa shanse ka Partizani që në këtë sezon futbollistik ta zbresë Skënderbeun nga froni i kampionit?
Personalisht, mendoj se ky kampionat është më i dobët se ai i vitit të kaluar, kur deri në fund ishin katër skuadra në garë për të fituar titullin kampion. Partizani dhe Skënderbeu janë shkëputur përpara në renditje dhe tanimë kanë një garë mes tyre. Katër pikë nuk janë shumë, por na duhet të presim deri në fund për të parë se si do të shkojë rivaliteti mes dy ekipeve. Shpresoj dhe kam shumë dëshirë që Partizani ta kalojë Skënderbeun në klasifikim dhe të jetë në vendin e parë. Natyrisht që një gjë e tillë nuk do të jetë e lehtë, por në futboll gjithç- ka është e paparashikueshme.
Sa i mungon Nexhipit derbi?
Natyrisht që më mungon shumë, pasi është ndeshja simbol e kampionatit, është spektakël në tribuna dhe më pas në fushë. Është një ndeshje që të jep një ndjenjë të veçantë, të cilën vetëm si futbollist mund ta përjetosh. Gjithashtu, emocioni që të jep java e derbit nuk mund të përshkruhet me fjalë, ajo vetëm përjetohet. Pastaj është një kënaqësi më vete kur Partizani fiton dhe arrin të shënosh. Unë do të vazhdoj të jem në futbollin aktiv edhe për disa vite dhe jam i bindur se derbin e fundit në Shqipëri ende nuk e kam luajtur.
Përgatiti: ARMAND HALILI