e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ne kerkim te mafiozit nga Singapori qe fikson ndeshjet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ne kerkim te mafiozit nga Singapori qe fikson ndeshjet
Diku në një nga vendet më pak të korruptuara të botës gjendet një njeri që akuzohet se ka fiksuar paraprakisht rezultatin e qindra ndeshjeve në të gjithë botën, përfshirë edhe ndeshjet e skuadrave shqiptare. Autoritetet e dinë se ku gjendet ai dhe madje një herë e kanë thirrur për të diskutuar. Por për të frustruar hetuesit europianë, Dan Tan Seet Eng mbetet një njeri i lirë dhe policia e Singaporit duket e pafuqishme për të vepruar.

Bosi

Dan Tan, siç njihet gjerësisht, është i lidhur ngushtë me fiksimin paraprak të ndeshjeve ndërkombëtare për më shumë se dy vjet. Në moshën 48-vjeçare dhe me origjinë kineze, ka vetëm dy fotografi të tij që disponohen publikisht në Singapor.

Por ndërsa fytyra e tij mbetet enigmatike, emri i tij shfaqet në mënyrë të përsëritur nëpër sallat e gjyqeve në hetimet e shumta në Itali dhe në vende të tjera.

Hetimi ka filluar që nga viti 2011 dhe përfshin manipulimin e ndeshjeve në kategorinë e dytë të Italisë. Deri tani ky hetim ka përfshirë dhjetëra lojtarë, shumë prej të cilëve janë ndaluar të luajnë futboll, ndërsa klubeve të tyre u janë hequr pikë.

Në letrat e Gjykatës së Kremonas, Dan Tan, ka pseudonimin “Il Boss”  dhe pretendohet se ai ka udhëhequr një sindikatë kriminale të stërmadhe të fiksimit të ndeshjeve, sindikatë që e drejton nga shtëpia e tij në Singapor.

Regjistrime të shumta bisedash telefonike të publikuara tregojnë komunikime me numra telefonash me prefiks Singapori, të cilat pretendohet se i përkasin Dan Tan.

Sipas dokumenteve të gjyqit, Dan Tan ka përdorur kriminelë nga Europa Lindore për të kontaktuar futbollistët. Këta njerëz shpesh janë ish-futbollistë apo agjentë me lidhje të forta me lojën moderne.

“Dan Tan ndoshta paguan te sekserët europianë rreth 200 mijë euro për të fiksuar rezultatin e një ndeshjeje”, thotë Stanley Ho, një gazetar nga Singapori që ka hetuar problemin.

“Ai më pas ia kalon informacionin sindikatës ilegale të basteve në Kinë, ku kanë disa dhjetëra njerëz me laptopë dhe kompjuterë, përmes të cilave, me një klik do të vënë baste në kohë reale, të gjithë në të njëjtën kohë, në një ndeshje të caktuar”.

Ho thotë se hetimi i tij sugjeron se Dan Tan duhet të shihet më shumë si një “blerës” ndeshjesh sesa një “fiksues” rezultatesh.

Pasi europianët arrijnë të fiksojnë një ndeshje, ata kontaktojnë Dan Tan për të marrë paratë.

Ndeshje të dyshimta

Shumica e provave kundër Dan Tan vjen nga një ish-bashkëpunëtor i tij, Wilson Raj Perumal. Ky është gjithashtu nga Singapori dhe ka një të shkuar me krime të vogla. Veprimet e Perumal për fiksimin e ndeshjeve shkuan përtej manipulimit të thjeshtë dhe përfshinë edhe organizimin e ndeshjeve miqësore me skuadra tërësisht të krijuara sipas llogarive të manipulimit.

Karriera e tij si sekser fiksimi ndeshjesh përfundoi papritur në shkurt 2011 kur pati mosmarrëveshje me Dan Tan dhe u arrestua në Finlandë. Një pazar për blerjen e skuadrës finlandeze të futbollit Rovaniemi dështoi dhe besohet gjerësisht se dikush informoi autoritetet për çfarë po ndodhte.

Në burg, fillimisht në Finlandë dhe pastaj nën arrest shtëpiak në Hungari, Wilson Raj Perumal, filloi të flasë. Ajo çfarë tha u bë lënda kryesore për shumë çështje hetimore të hapura në të gjithë Europën dhe që implikojnë Dan Tan si organizator.Një muaj më parë, bazuar pjesërisht në dëshminë e Perumal, forcat policore europiane raportuan një përmbledhje për zbulimet e tyre në Hagë të Holandës.

Mes viteve 2008 dhe 2011, Europol tha se ka identifikuar 680 ndeshje të dyshimta, nga të cilat 380 ndodhën në Europë. Mes ndeshjeve të dyshimta kishte ndeshje kualifikuese për Kampionatin Botëror dhe së paku një ndeshje për Ligën e Kampionëve të Europës. Detaje të tjera nuk u publikuan për arsye ligjore, por përgjegjësia për fiksimet u vendos gjerësisht te sindikatat e Azisë dhe në veçanti, një grupimi me bazë në Singapor.Kjo ngjarje rezultoi shumë e sikletshme për Singaporin. Ky është një vend që zakonisht krenohet me klimën pro biznes dhe pa korrupsion.

Njeri i lirë

Tifozët e futbollit janë tashmë duke shtruar me forcë pyetjen se pse një njeri që aludohet se ka korruptuar lojën më të bukur në planet, në një shkallë të tillë të gjerë, është ende i lirë.Unë shkova në Singapor në përpjekje për të gjetur Dan Tan dhe gjithashtu për të zbuluar nga autoritetet se pse ai nuk është arrestuar ende. Dështova në të dyja qëllimet.

Dan Tan është ende i lirë diku në Singapor, por ka lëvizur nga shtëpia e tij në një bllok apartamentesh te një vendbanim i panjohur. Përmes një kontakti, u dol në përfundimin se ai nuk kishte interes fare të fliste me median apo t’u përgjigjej akuzave të bëra kundër tij.

Pra pse Dan Tan është ende i lirë? Autoritetet e Singaporit qenë më të lehta për t’u gjetur, por u treguan po kaq shumë jobashkëpunuese. As Ministria e Brendshme dhe as policia e Singaporit apo agjencia kundër korrupsionit, nuk pranojnë të flasin mbi këtë çështje.

Për rrjedhojë, unë shkova te një nga avokatët më të rëndësishëm të krimit në Singapor, Subhas Anandan, për të marrë një opinion ligjor. Në të shkuarën ai ka përfaqësuar disa nga fiksuesit e ndeshjeve më të famshme nëpër gjykata. Anandan thotë se në fakt çështja është shumë e thjeshtë.

Mes Singaporit dhe Italisë nuk ka marrëveshje ekstradimi, pra është e pamundur që Dan Tan thjesht të arrestohet dhe të dorëzohet te autoritetet e Italisë. Kundër tij mund të veprohej vetëm në rast se ka prova se ka bërë krime në Singapor, tha ai.

“Nuk ka prova që të thonë se ai [Dan Tan] ka kryer ndonjë shkelje në Singapor. Pra nuk mund të bësh asgjë kundër tij këtu”.

Por pavarësisht kësaj nuk ka dyshim se autoritetet e Singaporit janë nën presion të madh dhe po e ndiejnë këtë. Dy javë më parë, Dan Tan dhe shtatë bashkëpunëtorë të tij u thirrën për t’u marrë në pyetje dhe u liruan pak orë më vonë pa ngritur akuzë.

Etiketuar pa të drejtë

Disa ditë më vonë, një nga bashkëpunëtorët, një ish-futbollist nga Sllovenia me emrin Admir Suljic, vendosi të fluturojë për në Milano. Ai u takua në Itali me oficerët e policisë dhe do të përballet me akuza për manipulim ndeshjesh sportive.

Disa bazohen te fakti se Dan Tan vijon të jetojë i lirë për të ngritur akuzën se Singapori nuk është i interesuar të luftojë korrupsionin në futboll.

Është një akuzë që autoritetet e Singaporit e kanë refuzuar dhe për këtë janë mbështetur edhe nga sekretari i përgjithshëm i Interpol, Ronald Noble.

Unë fola me Noble në një konferencë mbi fiksimin e ndeshjeve në Malajzi. Ai tha se besonte se Singapori është etiketuar pa të drejtë për këtë çështje dhe, pavarësisht se ka ngritur pikëpyetje publike e ka treguar me gisht se ku gjenden përgjegjësit, Europol nuk i ka ndarë provat që disponon me autoritetet në pjesën tjetër të botës.

“Të gjitha forcat policore duhet të lejohen me ligj që të bashkëpunojnë në rang ndërkombëtar ndërsa hetimet e tyre janë në zhvillim e sipër dhe jo të lihen të presin derisa hetimet të jenë mbyllur e gjykimet të kenë marrë formë të prerë”, tha ai.

Ka shumë pak dyshim mbi faktin se fiksuesit e ndeshjeve janë kaq shumë të sofistikuar në operacionet e tyre ndërkontinentale sa janë sakaq shumë më përpara dhe më të aftë sesa rregullat dhe autoritetet që përpiqen të luftojnë për ndeshje të ndershme. Për tifozët e futbollit duhet të thuhet se ata nuk mund të presin që situata të ndryshojë me shpejtësi.

Shumë në Singapor shprehin gjithashtu dyshime mbi faktin nëse Dan Tan është me të vërtetë po kaq i rëndësishëm sa është bërë nga akuzat në botën e fiksimit të ndeshjeve.

Ata thonë se Dan Tan u konsiderua si organizuesi i gjithçkaje në rang ndërkombëtar vetëm se ish-bashkëpunëtori i tij i burgosur, Wilson Raj Perumal, ka pranuar të flasë dhe ai është burimi i vetëm i informacionit për forcat e ligjit në Europë për botën e nëndheshme të sindikatave kriminale të Azisë.

Disa besojnë se sindikatat kriminale në Kinë, Vietnam, Rusi dhe në shumë vende të tjera janë po aq të fuqishme e të suksesshme në manipulimin e ndeshjeve për llogari të industrisë së basteve.

“Nëse sekserët europianë të ndeshjeve nuk arrijnë të shesin më rezultatet e manipuluara te Dan Tan, mos mendo se nuk kanë se ku t’i shesin?”, pyet gazetari Stanley Ho.

Dukshëm, ata me lehtësi mund t’i drejtohen një sindikate kriminale gjetkë.

Profili

Dan Tan – i akuzuari për fiksim ndeshjesh futbolli në rang ndërkombëtar

Besohet se është etnik kinez dhe rreth 50 vjeç.

Raportohet se e ka emrin në kod “bosi” apo “kapo” nga bashkëpunëtorët e tij.

Shumë rrallë shihet në publik. Në vitin 2011 i tha medias së Singaporit se qe i pafajshëm.

I akuzuar nga Interpol për fiksimin e qindra garave sportive, më së shumti, ndeshje futbolli.

Zyrtarët e Italisë thuhet se nuk janë në gjendje ta arrestojnë për shkak se urdhër-arrestet për të nuk ekzekutohen dot ndërsa ai qëndron në Azi.